Sinéad O’Connor, kantautorja e talentuar irlandeze, e cila u bë një superstar në të 20-at dhe ishte e njohur sa për muzikën e saj të guximshme dhe shprehëse, ashtu edhe për betejat e saj private dhe veprimet provokuese, ka vdekur në moshën 56-vjeçare.
“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Sinéad-it tonë të dashur. Familja dhe miqtë e saj janë të pikëlluar dhe kërkojnë privatësi në këtë kohë shumë të vështirë”, u shpreh familja e këngëtares në një deklaratë të publikuar të mërkurën. Nuk u dhanë arsyet e vdekjes së saj.
Ajo kishte folur hapur për probleme të shëndetit mendor, duke thënë se ishte diagnostikuar me çrregullim bipolar. O'Connor kishte postuar një video në Facebook në vitin 2017 nga një motel i Nju Xhersit ku po rrinte në atë kohë, duke thënë se po jetonte për hir të të tjerëve dhe se nëse do të ishte në dorën e saj, ajo do të "largohej".
Kur djali i saj adoleshent Shane vrau veten vitin e kaluar, O'Connor postoi në Twitter se "nuk kishte kuptim të jetonte pa të". Ajo u shtrua në spital shumë shpejt pas postimit.
Në postimin e saj të fundit në Twitter më 17 korrik, ajo shkruante: “Për të gjitha nënat e fëmijëve të vetëvrarë”, duke e shoqëruar me një shprehje të ndjerë tibetiane.
Ajo binte në sy me kokën e qethur dhe kishte një zë mezzo sopranoje me një oktavë të gjerë dhe një gamë të jashtëzakonshme emocionale.
O'Connor e filloi karrierën duke kënduar në rrugët e Dublinit dhe shpejt fitoi famë ndërkombëtare. Albumi i saj i parë i vitit 1987, "The Lion and the Cobra", e bëri atë një yll dhe në vitin 1990 ajo u kthye në një sensacion, kur këndoi baladën e artistit tjetër të famshëm, Prince "Nothing Compares 2 U", një interpretim drithërues me sukses të jashtëzakonshëm, që kryesoi listat këngëve më të mira, nga Evropa në Australi.
Ajo ishte një anti-konformiste e pandreqshme. Sinéad tha se e qethi kokën si reagim ndaj drejtuesve të shtëpive diskografike që i bënin presion të ishte tërheqëse, por qëndrimet e saj politike dhe kulturore dhe jeta e trazuar private shpesh e lanë në hije muzikën e saj.
O'Connor bëri bujë në tetor 1992 kur grisi një foto të Papa Gjon Palit II në emisionin "Saturday Night Live" të NBC, duke denoncuar kishën katolike.
Për vite me radhë, ajo bëri thirrje për hetim ndaj rolit të kishës në fshehjen e abuzimit të fëmijëve nga klerikët. Në vitin 2010, kur Papa Benedikti XVI i kërkoi falje Irlandës për dekada të tëra abuzimi, O'Connor reagoi duke thënë se ndjesa nuk ishte e mjaftueshme dhe u bëri thirrje katolikëve të bojkotonin meshën derisa të bëhej një hetim i plotë mbi rolin e Vatikanit.
“Njerëzit menduan se unë nuk besoja tek Zoti. Nuk është aspak e vërtetë. Unë jam lindur dhe rritur katolike dhe do të isha e para që do të kthehesha (tek kisha) nëse Vatikani do të ofronte një ndjesë të sinqertë”, u shpreh ajo në një shkrim në Washington Post në 2010.
O'Connor njoftoi në vitin 2018 se ishte konvertuar në fenë islame.
“Gjithë bota e donte muzikën e saj dhe talenti i saj ishte i pakrahasueshëm”, u shpreh kryeministri irlandez Leo Varadkar në një deklaratë në mediat sociale.
O'Connor lindi më 8 dhjetor 1966. Ajo pati një fëmijëri të vështirë dhe kishte thënë se mamaja e saj ishte abuzive dhe e kishte nxitur të vidhte.
Kur ishte adoleshente ajo u dërgua në një institucion katolik për vajza, ku ajo tha se i duhej të lante rrobat e priftërinjve.
Por një murgeshë i dha këngëtares kitarën e saj të parë dhe shumë shpejt ajo doli të këndonte në rrugët e Dublinit. Në vitin 1987, O'Connor nxorri albumin "The Lion and the Cobra".
"Nothing Compares 2 U" u emërua për tre çmime Grammy dhe ishte kënga kryesore në albumin e saj të mirënjohur, "I Do Not Want What I Haven't Got". Revista Rolling Stone e quajti atë Artisten e Vitit në 1991. "
Albumi i saj i fundit "I'm Not Bossy, I'm the Boss", doli në qarkullim në vitin 2014.
O'Connor kishte katër fëmijë: Jake, me bashkëshortin John Reynolds; Roisin, me John Waters; Shane, me Donal Lunny; dhe Yeshua Bonadio, me Frank Bonadion.