Një ish-pilot ushtarak amerikan është në proces gjyqësor në Australi për të kundërshtuar një kërkesë të autoriteteve amerikane për ekstradimin e tij. Ai akuzohet ndër të tjera se ka stërvitur në rrugë të paligjshme pilotë kinezë. Seanca gjyqësore u shty ndërsa autoritetet po hetojnë rolin që luajti një agjenci zbulimi australiane në arrestimin e tij.
Një gjykatë në Sidnei të Australisë miratoi kërkesën e avokatëve të Dan Duggan-it, i lindur në Boston të Shteteve të Bashkuara, për ta shtyrë deri në 24 nëntor seancën dëgjimore për ekstradimin e tij.
Zoti Duggan u arrestua vitin e kaluar në New South Wales dhe po kundërshton në rrugë ligjore kërkesën për ekstradimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara.
Bashkëshortja e zotit Duggan dhe nëna e gjashtë fëmijëve, foli për mbështetësit që ishin mbledhur përpara gjykatës për të kërkuar lirimin e tij.
“Pasojat tek fëmijët tanë dhe familja janë të tmerrshme. Jemi të pikëlluar, të tronditur, të tmerruar që mund të ndodhte diçka e tillë, jo vetëm neve, por çdokujt. Ndaj këtij njeriu nuk asnjë akuzë nga Australia dhe po mbahet në izolim për nëntë muaj. As nuk do e kisha menduar kurrë që një gjë e tillë do të ndodhte në Australi, dhe jo më tek familja jonë”, tha Saffrine Duggan.
Avokatët e zotit Duggan thonë se ai u josh në mënyrë të paligjshme për të shkuar nga Kina në Australi në vitin 2022, me qëllim arrestimin e tij.
Ish-marinsi amerikan dhe instruktor i aviacionit thotë se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se ka rënë viktimë e përplasjeve mes Uashingtonit dhe Pekinit.