Lidhje

Shqetësime mbi propozimin për një marrëveshje botërore kundër krimit kibernetik


Një marrëveshje botërore mbi luftimin e krimeve kibernetike, që po mbështetet nga vende si Rusia, Kina dhe Venezela, ka krijuar shqetësime për disa shtete demokratike si edhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Mbështetëset e para të një marrëveshjeje botërore të Kombeve të Bashkuara, për përmbajtjen përfundimtare të së cilës është rënë dakord që të mbahen bisedime në gusht, në Nju Jork, janë vende me udhëheqje autoritare dhe që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit.

Marrëveshja, e cila u propozua fillimisht nga Rusia në vitin 2017, supozohet të përcaktoje se çfarë do të konsiderohet si krim kibernetik dhe mund t’i hapë udhë vendeve anëtare që të propozojnë ligje të reja.

Qëllimi i marrëveshjes, deklarohet të jetë lufta ndaj krimit kibernetik në nivel botëror. Por, Kombet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore kanë ngritur një sërë shqetësimesh, mes tyre edhe shqetësimi se me pretendimin se po luftohet krimin kibernetik, mund të përligjet përgjimi shtetëror dhe censura.

Barbora Bukovska, e cila punon për “Article 19”, një organizatë ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, thotë se në pikëpamje të parë, një marrëveshje ndërkombëtare për të luftuar krimin kibernetik duket një ide e mirë.

“Por kjo marrëveshje është shumë më tepër se sa lufta ndaj mashtrimeve përmes internetit, sulmeve kribernetike dhe krimeve të tjera që kryhen përmes teknologjisë digjitale. Propozimi duket se ka për qëllim ligjet mbi krimit kibernetik, që përdoren për të goditur lirinë e shprehjes, që cënojnë të drejtën e privatësisë dhe forcojnë kontrollin mbi veprimtaritë e ligjshme në internet”, thotë ajo.

Sipas ekspertes, me bazë në Londër, marrëveshja “mund të ketë pasoja reale mbi gazetarët, disidentët, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe organizatat e shoqërsë civile”.

Sipas saj, kjo marrëveshje, është një prej përpjekjeve të qeverive autoritare për të manipuluar dhe përdorur mekanizmat ligjorë në dëm të gazetarëve, e të tjerë.

Sipas ekspertëve, propozimit i mungojnë garanicitë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndërsa shteteve do t’u zgjerohej e drejta për përgjim, pre e të cilit do të ishin gazetarët dhe zërat opozitarë.

Komisioni i posaçëm i ngarkuar me hartimin e kësaj marrëveshje, në përbërje të të cilit janë disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën, nuk iu përgjigj një kërkese të dërguar me email nga Zëri i Amerikës, për një koment nga ana e tyre, për këtë lajm.

Debatet rreth marrëveshjes

Marrëveshja ka qenë pjesë e punimeve që në vitin 2017, kur u propozua fillimisht nga Rusia, me qëllimin për të luftuar krimin kibernetik.

Në vitin 2019, Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë për hartimin e një marrëveshjeje për të luftuar krimin kibernetik.

Por Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian e kundërshtuan rezolutën, duke vënë në dukje shqetësimet se përbënte një përpjekje për të lehtësuar kontrollin shtetëror mbi internetin.

Në të njëjtin vit, Moska njoftoi ligjin e “internetit sovran”, që i mundësonte qeverisë të drejtën për të bllokuar përmbajtjen në internet dhe për të hetuar njerëzit që postojnë në internet.

Ndërsa procesi i bisedimeve në Kombet e Bashkuara ka qenë tejet i gjatë, bisedimet nisën të qartësoheshin në vitin 2022, dhe muajin e ardhshëm, vendet anëtare do të nisin bisedimet për çdo pikë të marrëveshjes.

Qeveritë në mbarë botën kanë kryer vlerësime mbi kërcënimin që paraqet krimi kibernetik për sigurinë kombëtare, si edhe përfitimet që kanë prej tij grupet e krimit të organizuar, por shume vende perëndimore dhe aktivistë për mbrojtjen e të drejtave digjitale kanë dyshime, se marrëveshja në fjalë, mund të jetë zgjidhja.

Sipas ekspertëve, variant i fundit i propozuar është përmirësuar. Për shembull, në variantet e mëparshme, në disa raste, të shprehurit në publik, kosniderohej si krim kibernetik, vetëm sepse postohej në internet.

Disa qeveri kanë përdorur tashmë shumë nga këto dispozita në kuadrin e tyre ligjor, duke përfshirë “veprat e lidhura me ekstremizmin”, shpërndarjen e materialeve “të motivuara nga urrejtja politike, ideologjike, sociale, racore, etnike apo fetare” dhe “përhapjen e rebelimit, urrejtjes apo racizmit”, për të sulmuar gazetarët dhe për të shuar zërat e disidentëve.

Katitza Rodriguez, e cila punon tek Fondacioni “Electronic Frontier”, që mbron të drejtat digjitale, me bazë në Shtetet e Bashkuara, thotë se edhe pse shkeljet që lidhen me përmbajtjen nuk parashikohen qartësisht në marrëveshje, një prej pikave të saj i referohet krimeve të parashikuara në traktate të tjera, të papërcaktuara.

“Kjo mund të jetë një mënyrë për të risjellë në fokus të marrëveshjes shkeljet ligjore që lidhen me përmbajtjen, duke cituar marrëveshje dhe protokolle të tjera të zbatueshme”, tha zonja Rodriguez.

Shqetësimet e tjera lidhen me përgjimin dhe lënien jashtë të garancive për të drejtat e njeriut.

“Në tërësi, marrëveshja mund t’u japë më shumë mjete qeverive shtypëse që të sulmojnë median”, tha përmes një deklarate në muajin korrik, grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me bazë në Vjenë “International Press Institute”.

Sipas deklaratës “mungesa e këtyre garancive, rrit rrezikun që gazetarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile të përgjohen nga qeveritë”.

Për shembull, varianti aktual, inkurajon shkëmbimin e informacionit për të shqyrtuar me kujdes aktivitetet e fshehta. Kjo dispozitë, sipas zonjës Bukovska nga organizata Article 19, mund t’u japë të drejtën qeverive autoritare të hetojnë dhe të bllokojnë përdorimin e aplikacioneve si Signal apo VPN, që ofrojnë siguri gjatë shkëmbimit të informacionit, apo ruajtjen e të dhënave.

“Këto janë mjete thelbësore për punën e aktivistëve të të drejtave të njeriut gazetarëve, disidentëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile”, tha zonja Bukovska.

Ndërsa pritet bisedimet, marrëveshja është parashikuar të miratohet në janar të vitit 2024, por sipas Fondacionit “Electronic Frontier”, ky afat mund të shtyhet. Pasi marrëveshja të miratohet, duhet që të ratifikohet prej secilit vend anëtar.

XS
SM
MD
LG