JERUZALEM – Për shtatë muaj, dhjetëra mijëra izraelitë kanë dalë për të protestuar kundër planit të Kryeministrit Benjamin Netanyahu për të reformuar gjyqësorin dhe për të dobësuar autoritetin e Gjykatës së Lartë.
Të hënën u miratua pjesa e parë e paketës ligjore. Ligjvënësit miratuan masat që ua ndalojnë gjykatësve të rrëzojnë vendimet e qeverisë për shkak se mund t’i konsiderojnë ato “të paarsyeshme”.
Në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të reformës dhe arsyeve përse ajo ka shkaktuar demonstratat më të vazhdueshme dhe më intensive që Izraeli ka përjetuar ndonjëherë.
ÇFARË PËRMBAN REFORMA?
Reforma e propozuar parashikon ndryshime të mëdha që synojnë të ulin kompetencat e gjyqësorit.
Njëri ndër projektligjet do të lejonte që me një shumicë të thjeshtë në parlament të rrëzoheshin vendimet e Gjykatës së Lartë. Një tjetër projektligj do t’i jepte parlamentit fjalën e fundit për përzgjedhjen e gjykatësve.
Aleatët ultra-nacionalistë dhe ultra-ortodoksë të zotit Netanyahu thonë se paketa ligjore synon të rikthejë pushtetin tek zyrtarët e zgjedhur, dhe të zvogëlojë pushtetin e gjykatësve të pazgjedhur me votë.
Protestuesit, të cilët përbëjnë segmente të gjera të shoqërisë izraelite, mendojnë se reforma do ta shtyjë Izraelin drejt autokracisë. Ata thonë se është marrje pushteti për shkak të pakënaqësive të ndryshme personale dhe politike të zotit Netanyahu, i cili është në proces gjyqësor për korrupsion, si dhe të aleatëve të tij.
Të hënën, parlamenti miratoi një ligj që i heq Gjykatës së Lartë autoritetin e rrëzimit të vendimeve të qeverisë që gjykata i konsideron si të “paarsyeshme”.
Kundërshtarët thonë se standardi i tanishëm u jep gjykatësve kompetenca të tepruara mbi vendimet e marra nga zyrtarët e zgjedhur. Por kritikët thonë se heqja e këtij standardi, që vihet në zbatim vetëm në raste të rralla, do t’i lejonte qeverisë të kalonte vendime arbitrare, të bënte emërime apo shkarkime të papërshtatshme, si dhe do t’i hapte derën korrupsionit.
Protestuesit thonë se zoti Netanyahu dhe aleatët e tij dëshirojnë të ndryshojnë ligjin në mënyrë që të mund të emërojnë mbështetësit e tyre në poste qeveritare – dhe në veçanti në mënyrë që të munden të shkarkojnë prokurorin e pavarur të përgjithshëm të vendit, thotë Amir Fuchs, studiues në Institutin e Demokracisë së Izraelit, me seli në Jeruzalem.
Ndryshimet “e bëjnë më të vështirë shqyrtimin” e vendimeve arbitrare të zyrtarëve të zgjedhur, tha Yohanan Plesner, president i këtij instituti. “Ky është një kapitull i një plani dhe programi më të gjerë të qeverisë për të dobësuar sistemin e kontrollit dhe balancës”.
Zoti Netanyahu ka hedhur poshtë akuzat se plani do të shkatërronte themelet demokratike të Izraelit si absurde. “Kjo ishte një përpjekje çorientuese për diçka që nuk bazohet tek realiteti”, tha ai.
PËRSE JANË PROTESTUESIT KAQ TË VENDOSUR PËR TË MBROJTUR GJYQËSORIN?
Për shkak të sistemit relativisht të dobët të kontrollit dhe balancës së Izraelit, gjyqësori luan një rol më të madh për balancimin e pushtetit ekzekutiv në vend.
Në Shtetet e Bashkuara për shembull, Kongresi ka dy dhoma që funksionojnë në mënyrë të pavarur nga presidenti dhe munden të kufizojnë pushtetin e tij. Por në Izrael, kryeministri dhe shumica qeverisëse në parlament ndihmojnë njëri-tjetrin.
Kjo lë gjyqësorin si “të vetmin kontroll ndaj pushtetit të qeverisë”, thotë profesori i ligjit kushtetues Amichai Cohen.
Izraeli ka gjithashtu një qeverisje minimale në nivel lokal dhe nuk ka një kushtetutë zyrtare. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e pushtetit është e centralizuar tek parlamenti, tha zoti Cohen. Ligjet themeltare, të cilat ekspertët i përshkruajnë si një lloj kushtetute informale, mund të ndryshohen në çdo kohë nga një shumicë e thjeshtë.
Me reformën, thotë zoti Cohen, parlamenti izraelit tashmë rrezikon të konsolidojë më tej pushtetin e tij, duke dobësuar gjyqësorin.
“Qeveria mund të bëjë çfarë të dëshirojë, pasi kontrollon mundësitë për të ndryshuar edhe ligjet themelore”, tha zoti Cohen.
Historikisht, gjyqësori i Izraelit ka luajtur rol në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, që nga palestinezët që janë shtetas të Izraelit dhe deri tek të huajt dhe azilkërkuesit nga Afrika, tha zoti Cohen.
Kritikët thonë se nëpërmjet dobësimit të gjyqësorit do t’i jepet kontroll pothuajse i plotë qeverisë izraelite, të udhëhequr nga një koalicion i dominuar nga burra, anëtarët e të cilit mbështesin aneksimin e plotë të Bregut të pushtuar Perëndimor, duke diskriminuar ndaj personave të komunitetit LGBTQ+ dhe shtetasve palestinezë të Izraelit, si dhe duke kufizuar të drejtat e grave.
“Do të jetë një demokraci boshe”, tha zoti Fuchs.
A NUK E PEZULLOI KËTË PLAN ZOTI NETANYAHU?
Gjatë muajve që nga momenti i paraqitjes së planit nga zoti Netanyahu, protestat filluan në qytetet kryesore, drejtues të sipërmarrjeve e kritikuan planin dhe ndoshta më e rëndësishmja, ushtarakët rezervistë në forcat ajrore izraelite dhe njësi të tjera kyçe, kërcënuan se nuk do të paraqiteshin në detyrë nëse plani miratohej.
Protestat e shtynë zotin Netanyahu ta pezullonte reformën në muajin mars dhe të fillonte bisedimet me ligjvënësit e opozitës. Por bisedimet dështuan muajin e kaluar, dhe zoti Netanyahu njoftoi në qershor se reforma do të vazhdonte.
Protestuesit e akuzuan zotin Netanyahu për ndryshim taktikash, por jo të synimeve të tij më të gjera, duke vepruar në një mënyrë më të ngadaltë dhe më të mirëllogaritur, për të dobësuar kundërshtitë.
“Qeveria u bë më e zgjuar”, thotë Josh Drill, zëdhënës për lëvizjen e protestuesve. “Panë pasojat nga përpjekja për ta imponuar menjëherë reformën, dhe tashmë vendosën ta bëjnë pjesë-pjesë”.
ÇFARË NDODH MË PAS?
Një grup i shoqërisë civile njoftoi se do ta dërgonte ligjin e ri në Gjykatën e Lartë.
Zoti Fuchs tha se gjykata do të jepte një masë paraprake që do të ndalonte hyrjen në fuqi të ligjit derisa të bëhej shqyrtimi i duhur i tij.
Ai tha se duket se qeveria do ta respektonte një vendim të tillë. “Por nëse nuk veprojnë kështu, do të kemi menjëherë një krizë kushtetuese”, shtoi ai.
Ndërkohë, intensiteti i protestave që kanë tronditur vendin duket se do të shtohet.