Lidhje

Irani mbyll kompaninë pasi punonjëset shfaqen në një foto pa shami


Autoritetet iraniane kanë mbyllur zyrat e njërës prej kompanive më të madhe tregtare në vend dhe filluan menjëherë procedurat gjyqësore pasi u publikuan në internet fotografi ku duken punonjëset pa shaminë e detyrueshme të kokës, njoftuan mediat gjysmë-zyrtare.

Duket se ky veprim është bërë në kuadrin e një fushate të re të njoftuar javën e kaluar për të imponuar kodin islamik të veshjes, gati një vit pasi policia e moralit u zhduk pothuajse nga rrugët e Iranit pas protestave të mëdha.

Kompania Digikala, e njohur ndryshe edhe si kompania Amazon e Iranit, duket se ka shkelur rregullat duke publikuar fotografi nga një takim i kompanisë ku disa punonjëse nuk kanë hixhab.

Kompania ka mbi 40 milionë përdorues aktivë në muaj dhe nëpërmjet saj tregtojnë në rrugë elektronike rreth 300 mijë biznese. Iranianët janë përgjithësisht të përjashtuar nga kompanitë tregtare perëndimore, siç është Amazon, prej sanksioneve perëndimore të vendosura për shkak të programit bërthamor të vendit.

Faqja në internet e të përditshmes iraniane Hamshahri, e cila funksionon në kuadrin e bashkisë së kryeqytetit Teheran, njoftoi të dielën se një prej zyrave të kompanisë Digikala ishte mbyllur, por se faqja e internetit vazhdonte funksionimin.

Faqja në internet e gjyqësorit iranian tha se janë hapur çështje gjyqësore në lidhje me fotot, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Policia e moralit në Shiraz
Policia e moralit në Shiraz

Protestat mbarëkombëtare filluan vjeshtën e kaluar pasi 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq ndërsa mbahej nën arrest nga policia e moralit. Ajo ishte ndaluar për shkelje të kodit të veshjes, që kërkon veshje konservatore si për burrat ashtu edhe për gratë, si dhe që gratë të mbulojnë flokët në publik.

Protestat, në të cilat gratë luajtën një rol kryesor, u përshkallëzuan në thirrje për rrëzimin e teokracisë në Iran, e cila mori pushtetin pas revolucionit të vitit 1979. Autoritetet u përgjigjën me masa të rënda shtypëse, me mbi 500 protestues të vrarë dhe gati 20 mijë të arrestuar. Protestat përgjithësisht u shuan gjatë fillimit të këtij viti, por ekzistojnë ende shenja pakënaqësish të mëdha.

Pasi filluan protestat, policia e moralit nuk shfaqej më nëpër rrugë dhe shumë gra, në veçanti në Teheran dhe në qytete të tjera, nuk mbanin më hixhabin.

Por, zyrtarët këmbëngulën gjatë periudhës së krizës se rregullat nuk kishin ndryshuar. Klerikët në pushtet e konsiderojnë hixhabin si një ndër shtyllat e Republikës Islamike dhe veshjen me stil perëndimor si shenjë të dekadencës.

Javën e kaluar, policia e moralit u rikthye nëpër rrugë dhe zyrtarët njoftuan fillimin e një fushate të re për t’i detyruar gratë që të mbajnë hixhabin.

XS
SM
MD
LG