Lidhje

Problemet e pronësisë vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e zonave malore


Banorët e zonës malore në veri të Shqipërisë pas vitit 1991, kur edhe ndryshoi sistemi politik, u kthyen në trojet dhe pronat e tyre duke refuzuar zbatimin e ligjit 7501 të vitit 1991 për ndarjen e tokës. Por, 30 vite pas këtij ndryshimi, kur turizmi malor po zhvillohet me shpejtësi në zona të tilla si Valbona, Vermoshi, Lëpusha, Tamara, Razma, apo Thethi, pjesa më e madhe e banorëve po përballen me pamundësi për zhvillimin e pronës së tyre për shkak të mungesës së çertifikatës së pronësisë mbi tokën dhe pronat e trashëguara brez pas brezi.

Problemet e pronësisë vazhdojnë të pengojnë zhvillimin e zonave malore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:48 0:00

“Thethit i është bërë një padrejtësi e madhe. Nuk i jepen tapitë e tokave, megjithëse janë autoktonë, nuk kanë probleme me njëri-tjetrin. Nuk ka pasur nevojë asnjë lloj grupimi për t’i nda tokat e Thethit, sepse janë ndarë prej shekujsh, gjithsecili njeh njëri-tjetrin, kushërinjtë njohin njëri-tjetrin. Janë të gjithë thethjanë, janë në trojet e veta. Dhe janë akoma sot të pazhvilluara bizneset. Ato biznese që janë të ngritura, janë të gjobitura shumëfish”, thotë banori i njësisë administrative Theth, David Lteri.

Përpjekjet e vazhdueshme të banorëve, për t’u pajisur me çertifikatën e pronësisë për pronat e trashëguara, kanë ndeshur në vesh të shurdhër dhe zvarritje nga viti në vit. Ndërsa përpjekja për të investuar në ndërtimin e bujtinave apo rikonstruktimin e kullave ekzistuese i ka përballur me ligjin. Vetëm në Theth, më shumë se 40 banorë janë penalizuar nga policia dhe prokuroria duke u ndjekur penalisht për ndërtime të jashtëligjshme dhe kjo për shkak të mungesës së çertifikatës së pronësisë.

“Njësia administrative e Shoshit, e Pultit, e Shalës, e Shllakut, gjithë malësia jonë, janë të gjithë në pronat e trashëguara brez pas brezi, tash 500 vjet, por të paevidentuara nga ana zyrtare shtetërore. I jemi lutur qeverisë për të na dhënë kontribut që të zhvillohet turizmi, pronat të legalizohen, të regjistrohen dhe populli i kësaj zone të mëkambin turizmin, se është zonë me resurse turistike të jashtëzakonshme”, thotë banori i njësisë administrative Shosh, Gjon Vojvoda.

Drejtuesja e Drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore në Shkodër, Besara Podgorica, pohon se, mungesa e çertifikatës së pronësisë, në zona të tilla të turizmit malor siç është edhe Thethi, po pengon zbatimin e programit të bonusit të rrjetëzimit, i cili synon rijetëzimin dhe restaurimin e objekteve me rëndësi për trashëgimine kulturore duke i shndërruar në modele të qëndrueshme biznesi që gjenerojnë të ardhura dhe punësim për banorët dhe komunitetin.

“Në fakt, çështjet e pronësisë mbeten një nga problematikat më thelbësore, kryesore, që penalizojnë aplikuesit për të marrë pjesë në programin e bonusit të rrjetëzimit dhe këtu vlen të përmenden edhe shumë bujtina në Theth, të cilat, pavarësisht se gëzojnë statusin “Monument Kulture”, ato përjashtohen nga kjo skemë për shkak të mungesës së çertifikatës së pronësisë”.

Për avokatin Anton Kosteri, mungesa e paisjes me aktet e pronësisë i ka dekurajuar banorët e zonave malore në Veri të Shqipërisë për të zhvilluar pronat e trashëguara dhe, bashkë me to, edhe turizmin e bujtinave.

“Një nga problematikat kryesore është edhe dekurajimi i qytetarëve për të investuar për shkak të mosregjistrimit të akteve të pronësisë, të pronave të tyre, pronave të mëparshme, të cilat nuk kanë qenë të regjistruara më parë nga zyrat e kadastrës. Ndaj, kjo është një problematike që dekurajon njerëzit, si për të blerë këto prona, po ashtu edhe për të investuar, për të bërë ndërtime, për të marrë leje ndërtimi, për t’i vendosur si kolateral dhe për të mundësuar hapjen e mundësive të turizmit”.

XS
SM
MD
LG