Lidhje

Sulmet ruse ndaj Odesës shkaktojnë vdekjen e një personi, dëmtojnë rëndë një katedrale historike


Rusia goditi sërish të dielën Odesën, qytetin ukrainas të Detit të Zi, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e 22 të tjerëve në një sulm në orët e para të mëngjesit, thanë zyrtarët lokalë.

Sulmi ishte në vazhdën e goditjeve ruse që prej një jave kanë vënë në shënjestër infrastrukturën kritike portuale të Ukrainës jugore.

Guvernatori rajonal Oleh Kiper tha se katër fëmijë ishin mes të plagosurve nga shpërthimet, të cilat dëmtuan rëndë një katedrale ortodokse historike në qytet.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan në aplikacionin Telegram se Rusia kishte lëshuar 19 raketa kundër rajonit të Odesës, përfshirë pesë raketa me precizion të lartë Onyx dhe katër raketa kruz Kalibr det-tokë dhe se mbrojtja ajrore e Ukrainës kishte rrëzuar nëntë nga raketat.

Rusia ka ndërmarrë sulme të vazhdueshme ndaj Odesës, një qendër kyçe për eksportin e grurit, pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e drithit të hënën.

Guvernatori Kiper vuri në dukje se gjashtë ndërtesa banimi u shkatërruan nga sulmet. Disa persona u bllokuan në apartamentet e tyre si rezultat i dëmeve të shkaktuara nga sulmi, ndërkohë që rrënojat bllokuan pjesërisht rrugën. Sulmet dëmtuan edhe linjat energjetike.

Katedralja e dëmtuar rëndë është nga objektet ortodokse më të rëndësishme dhe më të mëdha në Odesa.

Pasi u shuan zjarret, vullnetarët filluan punën për spastrimin e rrënojave, dhe për të shpëtuar objektet e shenjta të kishës. Peshkopi Andrii Palcuk tha se dëmet ishin të konsiderueshme dhe u shkaktuan nga një goditje e drejtpërdrejtë e një rakete ruse që depërtoi në ndërtesë deri në bodrum. Dy persona që ndodheshin brenda në momentin e goditjes, kanë mbetur të plagosur.

Katedralja i përket Kishës Ortodokse të Ukrainës, e cila është akuzuar për lidhje me Rusinë. Kisha ka këmbëngulur se është besnike ndaj Ukrainës, ka denoncuar pushtimin rus që në fillim dhe madje ka shpallur pavarësinë e saj nga Moska.

Por agjencitë ukrainase të sigurisë kanë thënë se disa persona të lidhur me kishën ukrainase kanë mbajtur lidhje të ngushta me Moskën.

Qendra historike e Odesës u përcaktua si objekt i rrezikuar i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në fillim të këtij viti, pavarësisht kundërshtimit rus.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të dielën se forcat ruse kishin sulmuar në Odesa objektiva “ku po përgatiteshin akte terroriste kundër Federatës Ruse”.

Ministria tha në një deklaratë se sulmet u kryen me armë me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi me bazë detare dhe ajrore dhe se në objektet e vëna në shënjestët kishte "mercenarë të huaj".

Në një deklaratë të mëvonshme, ministria mohoi që sulmet e saj të kishin goditur Katedralen, duke pretenduar se shkatërrimi kishte gjasa të ishte rezultat i goditjes nga “një raketë kundërajrore ukrainase".

Por ndryshe nga pretendimet e Rusisë, Kisha Ortodokse e Ukrainës tha se sulmi kishte qenë një goditje e drejtpërdrejtë, duke shkruar në Facebook se "një raketë ruse goditi altarin qendror".

XS
SM
MD
LG