Një nacionalist i njohur i vijës së ashpër, që e akuzoi Presidentin Vladimir Putin për dobësi dhe pavendosmëri në Ukrainë, u arrestua të premten nën akuza për ekstremizëm. Veprimi tregon se Kremlini e ka ashpërsuar qasjen ndaj kritikëve të rreptë pas rebelimit të dështuar të muajit të kaluar nga kompania mercenare Wagner.
Igor Strelkov, ish punonjës i organeve të sigurisë, ka qenë udhëheqës i separatistëve të mbështetur nga Moska në Ukrainën lindore në vitin 2014. Po atë vit, ai u akuzua nga Holanda për përfshirje në rrëzimin e një avioni pasagjerësh të kompanisë “Malaysia Airlines”.
Nacionalisti Igor Strelkov ka argumentuar se kërkohet një mobilizim total që Rusia të arrijë fitoren në Ukrainë. Kohët e fundit ai e kritikoi Putinin si një “frikacak-mediokër” dhe “inekzistent”.
Gjykata e Qarkut Meshchansky në Moskë dha urdhër që 52-vjeçari Strelkov, emri i vërtetë i të cilit është Igor Girkin, të mbahet në paraburgim për dy muaj në pritje të përfundimit të hetimeve. Ai akuzohet për thirrje për aktivitete ekstremiste dhe rrezikon deri në pesë vjet burg nëse shpallet fajtor.
Rusi Strelkov i hodhi poshtë akuzat, ndërsa i kërkoi gjykatësit arrest shtëpiak, duke përmendur probleme shëndetësore.
Arrestimi i zotit Strelkov vjen gati një muaj pas një rebelimi jetëshkurtër të nisur nga shefi mercenar Yevgeny Prigozhin. Trupat merecenare morën kontrollin e një qendre ushtarake në qytetin Rostov-on-Don dhe u nisën drejt Moskës me synimin për të rrëzuar udhëheqësit më të lartë ushtarak të Rusisë.
Kryemercenari Prigozhin ra dakord t'i jepte fund rebelimit të 23-24 qershorit sipas një marrëveshjeje që ofronte amnisti për të dhe luftëtarët e tij dhe i lejonte ata të transferoheshin në Bjellorusi. Revolta ishte kërcënimi më serioz ndaj sundimit 23-vjeçar të Putinit, duke gërryer autoritetin e tij dhe duke ekspozuar dobësinë e qeverisë.
Ashtu si Prigozhini, zoti Strelkov i kritikoi ashpër udhëheqësit ushtarakë të Rusisë për paaftësi, por ai gjithashtu e denoncoi shefin e Wagner-it dhe e cilësoi veprimin e tij si tradhti dhe një kërcënim të madh për shtetin rus. Të dy patën shkëmbyer në mënyrë të përsëritur ofendime, ndërsa mbështetësit e zotit Strelkov thanë se hetimi penal për deklaratat e tij ishte nisur nga një prej mercenarëve të Wagner-it.
Strelkov ka mbi 875,000 ndjekës në një kanal mesazhesh në median sociale. Klubi i Patriotëve të Zemëruar, një grup i linjës së ashpër të krijuar së fundmi, të cilit ai i përkiste, publikoi një deklaratë duke protestuar kundër ndalimit të tij si një "provokim" që "minon besimin e popullit në organet e zbatimit të ligjit" dhe "mbart pasoja jashtëzakonisht negative për stabilitetin e vendit".
Strelkov shërbeu në ushtrinë ruse gjatë luftërave separatiste çeçene dhe më vonë iu bashkua agjencisë më të lartë të sigurisë së vendit, Shërbimit Federal të Sigurisë, ku mori gradën e kolonelit. ‘’
Pas largimit nga Shërbimi Federal i Sigurisë, ai mori pjesë në aneksimin e Gadishullit të Krimesë të Ukrainës dhe më pas udhëhoqi luftëtarët në Ukrainën lindore gjatë muajve të parë të një rebelimi separatist të mbështetur nga Moska në vitin 2014.
Vitin e kaluar, një gjykatë holandeze e dënoi atë dhe dy burra të tjerë për vrasje, lidhur me rolin e tyre në rrëzimin e avionit të kompanisë “Malaysia Airlines” me një raketë ruse, duke vrarë të 298 personat në bordin e avionit, ndërsa fluturonte mbi një rajon të kontrolluar nga separatistët në Ukrainën lindore më 17 korrik 2014.