NJU JORK – Të premten ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare Tony Bennett, artisti i famshëm që i qëndroi besnik stilit të këngëve klasike amerikane, me një talent të lindur për të krijuar standarte të reja si me këngën “I left My Heart In San Francisco” (“E lashë zemrën në San Françisko”), dhe me një karrierë prej dekadash që i fitoi admirues të tillë si Frank Sinatran, apo edhe deri tek Lady Gaga. Zoti Bennet vdiq vetëm dy javë përpara ditëlindjes.
Vdekjen e konfirmoi publicistja Sylvia Weiner për agjencinë e lajmeve Associated Press, duke thënë se ai vdiq në qytetin e tij Nju Jork. Nuk u bë i ditur menjëherë shkaku i vdekjes, por zoti Bennett ishte diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer në vitin 2016.
Si i fundit i këngëtarëve të mëdhenj të salloneve të mesit të shekullit 20, zoti Bennett thoshte shpesh se ambicia e jetës së tij ishte të krijonte “një katalog të këngëve më të mira, dhe jo thjesht albume me këngët më të mira”. Ai pati nxjerrë mbi 70 albume muzikore, prej të cilave fitoi 19 Çmime Grammy – pjesën dërrmuese të tyre pasi arriti të 60-tat – dhe gëzonte admirimin e thellë dhe të përhershëm të artdashësve dhe të kolegëve artistë.
Zoti Bennett nuk impononte rrëfimin e historisë së tij kur shfaqej në skenë; e linte muzikën të fliste vetë – me pjesë nga kompozitorë si Gershwin, Cole Porter, Irving Berlin dhe Jerome Kern. Në dallim nga miku dhe mentori i tij Frank Sinatra, ai preferonte ta interpretonte këngën dhe jo ta mishëronte atë. Megjithëse jetës së tij skenike dhe publike i mungonte dramaciteti i Sinatras, zoti Bennett tërhiqte me paraqitjen e tij të lirshme dhe të sjellshme, si dhe me një zë të pazakontë të pasur dhe të qëndrueshëm – “një tenor që këndon si bariton”, siç e quante veten – që e shndërroi në një mjeshtër të baladave apo edhe të këngëve me ritëm të shpejtë.
“Më shijon kur e argëtoj audiencën, i bëj t’i harrojnë problemet e tyre”, i tha ai agjencisë së lajmeve Associated Press në vitin 2006. “Mendoj se njerëzit... preken kur dëgjojnë diçka që është e sinqertë dhe e ndershme, dhe që ndoshta ka pak sens humori... Thjesht më pëlqen t’i bëj njerëzit të ndihen mirë kur këndoj”.
Zoti Bennett lavdërohej shpesh nga kolegët e tij, por asnjëherë në mënyrë më domethënëse nga ajo që tha Frank Sinatra gjatë një interviste me revistën Life në vitin 1956: “Për mua, Tony Bennett është këngëtari më i mirë në treg. Më ngazëllon kur e shoh. Më prek. Ai është këngëtari që përcjell atë që ka patur kompozitori në mendje, dhe ndoshta më shumë se aq”.
Ai jo vetëm që i mbijetoi periudhës së triumfit të muzikës rock, por rezistoi aq gjatë dhe me aq sukses sa madje fitoi ndjekës të rinj dhe bashkëpunëtorë, disa në mosha aq të reja sa mund të ishin fare mirë nipërit e tij. Në vitin 2014, në moshën 88-vjeçare, zoti Bennett theu rekordin e vendosur nga po ai vetë, si këngëtari në moshën më të vjetër me një album të radhitur në vendin e parë të renditjes Billboard të 200 këngëve më të mira, me duetin me këngëtaren Lady Gaga, “Cheek to Cheek” (“Faqe më faqe”). Vetëm tre vite përpara kësaj, ai qëndronte në krye të klasifikimeve me “Duets II”, ku merrnin pjesë yje të muzikës bashkëkohore si Gaga, Carrie Underwood dhe Amy Winehouse, për të cilën ishte regjistrimi i fundit në studio i jetës së saj. Raporti i tij me këngëtaren Winehouse u pasqyrua në dokumentarin e emëruar për Çmimin Oskar, të titulluar “Amy”, në të cilin zoti Bennett inkurajon me durim këngëtaren e re dhe të pasigurtë, nëpërmjet këngës së tij “Body and Soul” (“Trup dhe shpirt”).
Albumi i tij i fundit, që doli në treg në vitin 2021 me titullin “Love for Sale” (“Dashuri për Shitje”), përmban duete me Lady Gagan në këngën kryesore “Night and Day” (“Ditë e natë”), si dhe këngë të tjera të kompozitorit Porter.
Për zotin Bennett, një ndër artistët e paktë që mund të zhvendoseshin me lehtësi nga muzika pop tek muzika jazz, bashkëpunimet e tilla ishin pjesë e përpjekjes së tij për t’i njohur audiencat e reja me ato që i quante këngët e mëdha amerikane.
“Asnjë vend nuk i ka dhënë botës muzikë kaq madhështore”, tha zoti Bennett në një intervistë në vitin 2015 me revistën “Downbeat Magazine”. “Cole Porter, Irving Berlin, George Gershwin, Jerome Kern. Këto këngë nuk do të vdesin kurrë”.
Në fakt, kontributi i tij më i famshëm u bë i mundur nga dy persona jo të njohur, George Cory dhe Douglass Cross, të cilët në vitet ’60-të i dhuruan këngën e tij më të mirënjohur, në një periudhë kur karriera e tij ishte zbehur. Ata i dhanë drejtuesit muzikor të zotit Benett, pianistit Ralph Sharon, disa fletë kompozimesh që ai i futi në një sirtar komoje dhe të cilat i harroi deri në momentin kur po përgatiste valixhen për një tur muzikor gjatë të cilit do të ndaleshin edhe në qytetin San Françisko.
“Ralph-i pa disa fletë muzike në sirtarin ku mbante këmishat... dhe në krye të tufës së letrave gjendej një këngë e titulluar ‘I left My Heart In San Francisco’ (‘E lashë zemrën në San Françisko’),” tregoi zoti Bennett. “Po bënim provat dhe baristi tek klubi në Little Rock, të Arkansasit, tha ‘Nëse e regjistroni këtë këngë, unë do të jem i pari që do ta blej’.”
E dalë në treg në vitin 1962 si pjesë e albumit “Once Upon a Time” (“Na ishte njëherë”), balada medituese u bë një fenomen për masat dhe qëndroi në krye të klasifikimeve për mbi dy vjet dhe i siguroi zotit Bennett dy çmimet e tij të para Grammy, përfshirë edhe për albumin e vitit.
Ndërsa hyri në të 40-tat, në pamje të parë ai dukej si i dalë mode. Por, pasi mbushi 60 vjeç, një moshë kur edhe artistët më popullorë shpesh mjaftohen duke kënaqur vetëm ndjekësit e tyre të vjetër, zoti Bennett së bashku me djalin e tij dhe njëkohësisht menaxherin Danny, gjetën mënyra krijuese për t’ia afruar këngëtarin brezit të ri të kanalit muzikor MTV. Ai u shfaq i ftuar në emisionin “Late Night with David Letterman” dhe u bë i ftuari i nderit në serialin “The Simpsons”. Ai veshi një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra dhe mbante syze dielli si prezantues me grupin Red Hot Chili Peppers gjatë ceremonisë së Çmimeve për Videot Muzikore të MTV-së në vitin 1993 dhe vetë videoja e tij “Steppin’ Out With My Baby” nga albumi i tij i vlerësuar me çmimin Grammy, arriti gjithashtu të vlerësohet edhe në MTV.
Kjo mundësoi në vazhdim edhe ofertën në vitin 1994 për një episod të “MTV Unplugged”, me të ftuar nderi Elvis Costellon dhe k.d. lang. Kjo mbrëmje u shndërrua më vonë në një album, “Tony Bennett: MTV Unplugged”, që i dha atij dy çmime Grammy, përfshirë për albumin më të mirë të vitit.
Zoti Bennett fitonte çmime Grammy për shkak të dedikimeve për këngëtaret gra, apo nga bashkëpunimet me këngëtarë të tjerë si p.sh. Louis Armstrong, Barbra Striesand, Paul McCartney, Stevie Wonder, etj.
“Ata janë të gjithë gjigandë të industrisë, dhe krejt papritur më thonë mua ‘Ti je mjeshtri’,” i tha zoti Bennett agjencisë së lajmeve AP në vitin 2006.
Megjithëse identifikohej me San Françiskon, zoti Bennet vinte në dukje se vendi i tij i lindjes ishte Astoria, komuniteti në qytetin e Nju Jorkut, në lagjen Queens, ku ai u rrit gjatë Depresionit të Madh. Pikërisht në lagjen e tij të vjetër, ai ngriti shkollën publike artistike “Frank Sinatra School of the Arts”, të cilën e themeloi në vitin 2001 së bashku me bashkëshorten e tij të tretë, Susan Crow Benedetto, ish-mësuese me profesion. Ai u lind në një familje emigrantësh italianë dhe frymëzimin e parë për muzikën e mori nga babai, Anthony Dominick Benedetto, i cili vdiq duke e lënë atë të vogël në moshën 10-vjeçare. Tony Bennett vlerësonte punën e nënës së tij si rrobaqepëse, me të cilën arriti të mbështesë tre fëmijët. Megjithëse u regjistrua në shkollë vizatimi artistik, u detyrua më pas ta linte shkollën. Ai bëri punë nga më të ndryshmet dhe madje punoi edhe si kamarier këngëtar, apo mori pjesë në spektakle amatore. Zoti Bennett shërbeu në ushtri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe këndoi me bandën e madhe të ushtrisë në Gjermaninë e pushtuar. Regjistrimi i tij më i hershëm është i vitit 1946, nga Radioja e Forcave të Armatosura, me një këngë blues.
Tony Bennett kaloi disa faza vështirësish të mëdha financiare gjatë jetës së tij, si dhe sfida personale, si ndërvarësia nga droga, nga e cila për pak humbi jetën në vitin 1979, por nga e cila arriti të shkëputet me sukses dhe të rifillonte punën me gati 200 spektakle në vit.
Ai lë pas bashkëshorten Susan, vajzat Johanna dhe Antonia, djemtë Danny dhe Dae, si dhe nëntë nipër e mbesa.