Në Shqipëri të enjten pasdite Prokuroria e posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit i dorëzoi policisë urdhërin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për ish zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Urdhëri pasoi vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila miratoi kërkesën e Prokurorisë. Parlamenti i dha dritën jeshile kërkesës për arrestimin e zotit Ahmetaj që të premten e shkuar dhe mbetet e paqartë se përse u desh një javë për të përmbyllur të gjitha hallkat proceduriale.
Sipas rregullit, policia ka një muaj kohë për të kërkuar një person ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti. Por që më herët, Prokuroria i kishte kërkuar asaj informacione mbi vendndodhjen e ish zëvendëskryeministrit. Nuk dihet nëse policia do të shfrytëzojë të gjithë kohën e parashikuar, apo do të vijojë në një kohë të shkurtër për ta shpallur atë në kërkim ndërkombëtar, duke ditur që ai është jashtë vendit dhe e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të kthehet, të paktën jo brenda një kohe të shkurtër.
Zoti Ahmetaj u largua nga Shqipëria më 7 korrik, pak përpara se Prokuroria e posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit. Ai udhëtoi drejt Greqisë përmes kufirit tokës, në pikën e Kakavijës. Vendndodhja e tij e mëpasshme mbetet ende enigmë, të paktën publikisht, ndonëse avokatët e tij deklaruan se ai ndodhet pranë familjes në Londër.
Ish zëvendëskryeministri, ka reaguar deri më tani dy herë, përmes postimeve në Facebook. Herën e parë ai shkruajti pak përpara seancës së jashtëzakonshme të parlamentit, për votimin e kërkesës për arrestimin e tij. Një kërkesë e cila mori një mbështetje thuajse unanime. Në atë rast ai deklaroi se do të mund të kthehet kur “të ndriçohet e vërteta”, duke bërë të qartë se hetimet në vijim e ndoshta dhe procesin gjyqësor do ta ndjekë në arrati, përmes avokatëve të tij.
Reagimi i tij i dytë ishte këtë të martë, pasi me urdhër të Prokurorisë së posaçme u ushtruan kontrolle në 7 banesa në pronësi të tij apo të afërmve të tij. Pajise të ndryshme të gjetura në to, që ga kompjuterë, latop, celularë apo dhe USB u sekuestruan. Po atë ditë u vnë nën sekuestro dhe 4 apartamente të cilat Prokuroria tha se i përkisnin ish kryeministrit, si dhe dy llogari bankare në emër të tij në të cilat ishin depozituar 124.300 euro. Ish zëvendëskryeministri foli për “raprezaljen e radhë ndaj familjes sime”, ndërsa shigjetoi njerëz të qeverisë si të lidhur me çështjen e inceneratorëve.
Zoti Ahmetaj, dyshohet, sipas Prokurorisë, për të paktën tre vepra penale, që nga korrupsioni te pastrimi i parave dhe mosdeklarimi apo fshehja e pasurisë. Hetimet kanë zbuluar lidhje të ngushta mes tij dhe dy sipërmarrësve të cilët fituan kontratat për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, si dhe favorizme që ai, nga pozitat e ish ministrit të Ekonomisë dhe më pas të Financave u ka ofruar atyre, duke marrë në këmbim , sipas prokurorisë, shpërblime në forma të ndryshme.