Lidhje

SHBA: Koreja e Veriut nuk i përgjigjet kërkesave për të trajtuar çështjen e ushtarit amerikan


Koreja e Veriut nuk u është përgjigjur përpjekjeve amerikane për të diskutuar rastin e ushtarit amerikan që kaloi me vrap kufirin e fortifikuar, sipas zyrtarëve në Uashington, të cilët theksuan se gjasat për lirimin e shpejtë të tij mbesin të paqarta në këtë periudhë marrëdhëniesh të tensionuara mes dy vendeve dhe kanaleve të mbyllura të komunikimit.

Ushtari Travis King, do të duhej të ishte kthyer tashmë në SHBA, në kampin ushtarak "Fort Bliss" në Teksas, pas vuajtjes së dënimit me burg për një sulm ndaj një personi në Korenë e Jugut.

Ai kaloi me vrap kufirin në drejtim të Koresë së Veriut ndërsa ishte me një grup turistësh që po vizitonin fshatin kufitar Panmunxhom të martën. Kjo ngjarje e bën atë amerikanin e parë që mbahet në Korenë e Veriut në pesë vitet e fundit, sipas agjencisë së lajmeve The Associated Press.

“Dje Pentagoni kontaktoi me homologët e tij në Ushtrinë Popullore të Koresë (Veriore). Me sa kuptoj përpjekjet për të komunikuar nuk kanë marrë përgjigje ende”, u tha gazetarëve të mërkurën në Uashington zoti Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Veriore, të cilat luftuan kundër njëra-tjetrës në Luftën Koreane gjatë viteve 1950-1953, janë ende teknikisht në gjendje lufte.

Konflikti përfundoi përmes një armëpushimi dhe jo një marrëveshje paqeje dhe të dyja vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Suedia ka ofruar shërbime konsullore për amerikanët në të kaluarën, por sipas njoftimeve personeli diplomatik suedez nuk është kthyer më në Korenë e Veriut, që kur Pheniani, urdhëroi të huajt të braktisin vendin në fillim të pandemisë COVID-19.

Zoti Miller tha se Departamenti i Shtetit ka kontaktuar me zyrtarët në Korenë e Jugut dhe Suedi. Jeon Ha-kyu, zëdhënës për Ministrinë e Mbrojtjes së Koresë së Jugut tha të enjten se ministria e tij ka ndar informata me Komandën e OKB-së të udhëhequr nga Amerika në Korenë e Jugut, por pa dhënë detaje tjera.

Me sa dihet aktualisht nuk ka dialog aktiv mes Koresë së Veriut dhe SHBA-ve apo Koresë së Jugut.

Motivi i ushtarit King për të kapërcyer kufirin mbetet i panjohur. Një dëshmitare që ishte mes grupit të turistëve që po vizitonte fshatin kufitar tha se kur pa zotin King tek vraponte mendoi fillimisht mos ishte një truk.

Familjarët e ushtarit King deklaruan se ai mund të jetë i shqetësuar nga problemet ligjore në Korenë e Jugut, që mund të çojnë në shkarkimin e tij nga ushtria.

23- vjeçari King po shërbente në skuadrën e këmbësorisë me Divizionin e parë të Blinduar në Korenë e Jugut. Ai ishte liruar nga burgu në fillim të korrikut pasi një gjykatë në Seul e dënoi me 5 milionë won në muajin shkurt për sulmin ndaj një individi dhe dëmtimin e një makine të policisë, sipas vendimit të dënimit, siguruar nga agjencia e lajmeve "The Associated Press".

Sipas vendimit të gjykatës, zoti King ishte akuzuar për grushtimin e një individi në një klub nate në Seul, ndonëse gjykata e kishte hedhur poshtë këtë akuzë pasi viktima nuk kishte dëshiruar ta ndiqte çështjen në rrugë ligjore.

Të hënën, zoti King ishte përcjellur për në aerport, por ishte larguar nga aty para se të hipte në avion. Mbetet e paqartë se si ai i kishte kaluar orët prej atij momenti deri kur iu kishte bashkangjitur vizitorëve në fshatin kufitar Panmunxhom të martën.

Ushtria amerikane e kuptoi se ai po mungonte në momentin kur nuk kishte mbërritur në Teksas siç ishte planifikuar.

Në të kaluarën, Koreja e Veriut kishte mbajtur nën arrest një numër amerikanësh, të arrestuar nën akuzat për veprime anti-shtetërore, spiunazh dhe akuza të tjera.

Por nuk dihet për ndonjë amerikan të arrestuar që kur Koreja e Veriut ka larguar nga shteti amerikanin Bruce Byron Lowrance, në vitin 2018. Gjatë Luftës së Ftohtë, një numër i vogël i ushtarëve amerikanë që ikën në Korenë e Veriut u shfaqën në filma propagandistik të këtij vendi.

Ekspertë të ndryshëm vlerësojnë se Koreja e Veriut nuk do ta kthejë lehtë zotin King pasi ai ishte ushtar, i cili vullnetarisht iku në Korenë e Veriut, ndonëse shumë civilë amerikanë në të kaluarën janë liruar pasi SHBA-të dërguan delegacione me zyrtarë të lartë në Phenian për ta siguruar lirimin e tyre.

Rasti i ushtarit King vjen në një kohë kur Koreja e Veriut ka shtuar kritikat ndaj SHBA-ve rreth veprimeve amerikane për ta forcuar përkushtimin e saj lidhur me aspektin e sigurisë ndaj Koresë së Jugut.

Në ditën kur zoti King kaloi kufirin, SHBA-të dislokuan për herë të parë pas katër dekadash një nëndetëse me armë bërthamore në Korenë e Jugut. Më vonë, Koreja e Veriut kreu prova me dy raketa me potencial për të goditur portin e Koresë së Jugut ku është ankoruar nëndetësja amerikane.

XS
SM
MD
LG