Lidhje

Sulmohet ambasada suedeze në Bagdad, shkak planet për djegie të kuranit


Protestues të zemëruar nga njoftimet se në Stokholm po planifikohet të digjet publikisht një kopje e Kuranit, sulmuan ambasadën suedeze në Bagdad sot në orët e para të mëngjes.

Ata u ngjitën në muret e saj dhe ndezën një zjarr të vogël brenda hapësirës rrethuese të ambasadës.

Policia dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë mbërritën në vendngjarje kur zbardhi dita. Disa demonstrues, të papenguar nga policia, vazhdonin të qëndronin në oborrin e ambasadës, duke mbajtur pankarta, që tregonin fytyrën e klerikut shiit irakian me ndikimdhe udhëheqësit politik Muqtada al-Sadr.

Ministria e Jashtme suedeze tha në një deklaratë se “personeli i ambasadës ndodhet në një vend të sigurt”, por pa dhënë detaje të tjera.

Ministria e Jashtme e Irakut lëshoi një deklaratë duke dënuar sulmin.

Agjencia suedeze e lajmeve TT njoftoi se policia suedeze kishte pranuar një kërkesë për një demonstratë përballë ambasadës së Irakut në Stokholm e cila pritet të mbahet sot.

Po sipas agjencisë, në kërkesë thuhej se dy demonstrues planifikonin të digjnin librin e shenjtë të myslimanëve dhe flamurin e Irakut.

XS
SM
MD
LG