Lidhje

Flota e nëndetëseve suedeze shton vlerat e NATO-s


Ndërsa duket që është hapur drita jeshile për anëtarësimin e Suedisë në NATO, pas zhvillimeve të fundit në takimin e nivelit të lartë të udhëheqësve të NATO-s javën e kaluar, shtrohet pyetja se çfarë vlerash do t’i ofrojë ushtria suedeze aleancës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, shpjegon në materialin në vazhdim aftësitë e flotës së nëndetëseve suedeze në Detin Baltik.

Nëndetëset suedeze, simbol i fshehtësisë dhe forcës, patrullojnë ujërat e Detit Baltik, kritike për Rusinë dhe NATO-n.

“Deti Baltik ka kufizime, është i debatueshëm, çorientues dhe i mbingarkuar”, thotë Frederik Linden, kapiten në flotën e nëndetëseve të Suedisë.

Ujërat janë të rrezikshme me një thellësi mesatare prej rreth 60 metrash, shumë të cekëta për pjesën më të madhe të flotës së nëndetëseve ruse dhe të gjithë flotën e nëndetëseve amerikane.

“Shtetet e Bashkuara kanë prirje të kenë nëndetëse të thellësive të mëdha, me fuqi bërthamore që nuk bëjnë zhurmë dhe shpesh të pajisura me armë bërthamore. Suedia ka nëndetëse që i përshtaten pozicionit të saj gjeografik. Ato janë më të vogla dhe të përshtatshme për ujëra të cekta dhe marinarët suedezë i njohin ujërat e tyre”, thotë për Zërin e Amerikës ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker.

Suedezët kanë më shumë përvojë nën ujë se çdo fqinj i tyri nordik. Nëndetëset suedeze kanë mbi 100 vjet që lundrojnë në ujërat e Detit Baltik.

Para fillimit të dekadës, tre nëndetëseve të avancuara Gotland do t'u bashkohen dy nëndetëset e gjeneratës së ardhshme A26, për të cilat disa thonë se janë ndër nëndetëset më të avancuara konvencionale.

“Me pesë nëndetëse mund të kufizosh lehtësisht lëvizjet e kundërshtarit”, thotë kapiteni Frederik Linden.

Bëhet fjalë për Rusinë. Sapo Suedia të anëtarësohet zyrtarisht në NATO, rruga e vetme detare për të arritur Shën Peterburgun, qytetin e dytë më të madh të Rusisë, do të jetë përmes ujërave tejet të ngushta të kontrolluara nga aleanca.

“Kjo i zë frymën hyrjes në Shën Petersburg, çka është strategjikisht shumë e rëndësishme”, thotë zoti Volker.

Suedia thotë se nëndetëset e saj më të reja do të kenë karakteristika edhe më të përshtatshme për të mbrojtur tubacionet dhe infrastrukturën tjetër kritike në tabanin detar, një çështje thelbësore që doli në dritë vitin e kaluar pas dëmtimit të gazsjellësit Nord Stream.

XS
SM
MD
LG