Lidhje

Presidenti izraelit afirmon marrëdhëniet me SHBA në mes të trazirave në vendin e tij


Presidenti izraelit Isaac Herzog shënoi të mërkurën 75-vjetorin e pavarësisë së Izraelit me një fjalim para Kongresit amerikan. Vizita e tij në Uashington vjen mes shqetësimeve rreth planit debatueshëm të kryeministrit Benjamin Netanyahu për ndryshimeve në sitemin gjyqësor si dhe konfliktit të vazhdueshëm të Izraelit me palestinezët. Korrespondentja e Kongresit të Zërit të Amerikës Katherine Gypson sjell hollësi.

Presidenti izraelit Isaac Herzog iu drejtuar Kongresit në Uashington në një pikë kyçe në marrëdhëniet SHBA-Izrael, duke u thënë ligjvënësve se Irani është kërcënimi më i madh për të dy vendet.

“Irani po ndërton kapacitete bërthamore që përbëjnë një kërcënim për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe më gjerë”.

Vizita e presidentit Herzog vjen në mes të konfliktit për ndërtimet e vazhdueshme në vendbanimet hebraike të Bregut Perëndimor – një veprim që ai e mbrojti, duke thënë se Izraeli nuk do të diskutojë paqen ndërsa kërcënohet nga terroristët.

"Paqja e vërtetë nuk mund të vijë nga dhuna."

Në fillim të këtij muaji, udhëheqësi i Hezbollahut Sayyed Hassan Nasrallah tha se toka libaneze nën kontrollin e Izraelit duhet të çlirohet.

“Kjo është toka libaneze. Izraelitët e ripushtuan atë. Jo vetëm e ripushtuan, por e rrethuan dhe ndërtuan një mur”.

Para fjalimit, disa anëtarë të Kongresit shprehën shqetësimin për trajtimin e palestinezëve nga qeveria izraelite. Zoti Herzog tha se mohimi i shtetit hebraik është antisemitizëm, por pranoi se ka vend për kritika.

“Një brez i ri izraelitësh dhe amerikanësh po marrin role udhëheqëse, një brez që nuk ishte i vetëdijshëm për vështirësitë e viteve të formimit të Izraelit. Një brez që është më pak i angazhuar në rrënjët që lidhin popujt tanë. Një brez që, ndoshta, e merr të mirëqenë marrëdhënien SHBA-Izrael”.

Presidenti Herzog adresoi gjithashtu protestat masive të vazhdueshme mbi planin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për të rishikuar sistemin gjyqësor të Izraelit – të cilin shumë e shohin si një lëvizje drejt autoritarizmit.

“Debati intensiv që po zhvillohet në Izrael, është nderimi më i qartë për qëndrueshmërinë e demokracisë së Izraelit. Demokracia e Izraelit ka qenë gjithmonë e bazuar në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në nderimin e zgjedhjes së popullit, në mbrojtjen e të drejtave të pakicave, në mbrojtjen e lirive njerëzore dhe civile dhe në një gjyqësor të fortë dhe të pavarur”.

Një përfaqësues i Judaizmit reformator në Shtetet e Bashkuara i tha Zërit të Amerikës se heqja e kontrollit dhe balancës në qeverinë izraelite përbën shkak për shqetësim.

“Është shumë problematike ajo që ka propozuar ky kryeministër dhe koalicioni i tij. Ata duan të bëjnë gjithçka, nga ndryshimi i mënyrës së përzgjedhjes së gjyqtarëve, në mënyrë sesi mund të zgjedhin gjyqtarët e tyre deri te përfundimi i shqyrtimit gjyqësor në thelb”, tha rabin Jonah Pesner me organizatën ‘Qendra e Veprimit Fetar të Judaizmit Reform’.

Presidenti Joe Biden e ka ftuar kryeministrin Netanyahu të vizitojë Shtetet e Bashkuara këtë vjeshtë.

XS
SM
MD
LG