Lidhje

Hetim përdorimit të fondeve të IPARD II, Brukseli ndërpret rimbursimin për bujqësinë shqiptare


Komisioni Europian ka vendosur të ndërpresë përkohësisht rimbursimet ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Vendimi është marrë “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke saktësuar se kjo është një “masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”. IPARD II (2014-2020) ofroi një mbështetje totale prej 71 milionë eurosh nga të cilat 25 përqind janë financuar nga qeveria shqiptare.

Mësohet se OLAF ka marrë denoncime të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike. Përfaqësuesit e Zyrës europiane kanë kryer të paktën dy misione në Shqipëri. Në kuadër të hetimeve ata kanë qenë në zyrat e Agjencisë për Zhvilimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) si dhe kanë kontaktuar personat të cilët kanë bërë denoncimet.

Fakti që Komisioni ka zgjedhur masën e ndërprerjes së rimbursimit të fondeve duket se lë të kuptohet se dyshimet e OLAF-it janë serioze. Megjithatë Ministria e Bujqësisë, duke reaguar sot lidhur me lajmet e publikuara për këtë çështje, nuk shfaqi ndonjë shqetësim për situatën e krijuar duke folur për “një proces krejtësisht administrativ. Këto janë procedura normale të Bashkimit Europian në kushtet kur ka nevojë të verifikohen shpenzime të dyshuara për aktivitet jo konform rregullave të përcaktuara”, deklaroi ministria, ndërkohë që akuzat e ngritura ndaj strukturave të saj, siç pohon dhe deklarata e Delegacionit të BE-së janë për korrupsion.

Ministria shpjegoi se për çështjen në fjalë “strukturat e saj janë duke bashkëpunuar me ato europiane duke ofruar transparencë të plotë të të gjitha proceseve kontrolluese, hetuese dhe administrative të ndjekura deri më sot apo që mund të aktivizohen në të ardhmen”.

Për zotin Ilir Pilku, një ndër njohësit më të mirë të politikave dhe proceseve të fondeve europiane për bujqësinë dhe një nga 3 ekspertët e scertifikuar nga BE-ja në Shqipëri për Politikat e Përbashkëta Europiane “bllokimi i fondeve grant të BE-së për bujqësinë, është një lajm i keq kombëtar, dhe kryesisht për fermerët dhe përpunuesit që kanë plane investimi”. Megjithatë ai shpjegon për Zërin e Amerikës, se “procesi është në hetim e sipër, dhe akoma nuk ka një vendim përfundimtar. Edhe nëse vjen një vendim final, qeveria ka të drejtën e mos-pranimit dhe të justifikimit apo ofrimit të fakteve kundërshtuese”.

Delegacioni i BE-së në deklaratën e vet bëri të ditur se “kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”. Në rast se autoritetet shqiptare do të gjenden në shkelje, sipas zotit Pilku “qeveria shqiptare, bazuar në një nen të vecantë të MSA-s, detyrohet të rikthejë të gjithë fondin, ndërsa subjektet e identifikuara kalojnë në proces hetimor”.

Që prej marsit të vitit të kaluar Brukseli ka miratuar dhe programin IPARD III, me një vlerë prej 146 milionë eurosh. Por ende nuk është hedhur asnjë hap i mëtejshëm, për vënien e tij në jetë. Në një emision në televizionin Klan Plus, drejtoresha e AZHBR-së Eranda Selmanaj, deklaroi shtatorin e kaluar se thirrja e parë pritej të hapej në janar të këtij viti, por diçka e tillë nuk ka ndodhur. Autoriteteve shqiptare nuk iu është dhënë ende riakreditimi dhe për pasojë nuk mund të hapet as thirrja e parë.

XS
SM
MD
LG