Rusia njoftoi sot se po pezullonte pjesmarrjen në një marrëveshje e cila mundësonte eksportimin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi. Marrëveshja historike e ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Turqia, siguronte kalimin e sigurt të grurit nga Ukraina drejt Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë, kontinente ku uria është një kërcënim në rritje dhe ku çmimet e larta të produkve ushqimore kanë futur edhe më shumë njerëz në varfëri. Marrëveshja skadon në fund të ditës së sotme. Në një reagim të saj Shtëpia e Bardhë tha se një vendim i tillë do të dëmtonte sigurinë ushqimore e miliona vetë në mbarë botën. Nëpërmjet një deklaratë të zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adam Hodge, Uashingtoni i bëri thirrje qeverisë ruse të ndryshojë menjëherë vendimin e saj.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha sot se Moska nuk do të ishte pjesë e marrëveshjes derisa të plotësoheshin kërkesat e saj për të eksportuar produktet bujqësore ruse në vende të ndryshme të botës.
“Kur të zbatohet ajo pjesë e marrëveshjes së Detit të Zi që lidhet me Rusinë, Rusia do t'i kthehet menjëherë zbatimit të marrëveshjes”, tha zoti Peskov.
Rusia është ankuar se kufizimet në transport e që lidhen me sigurimet, janë bërë pengesë për eksportin e drithërave dhe plehrave kimikë rusë.
Si përgjigje ndaj interesimit të gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit tha se ky vendim muk kishte lidhje me sulmin ndaj urës që lidh Krimenë me Rusinë.
Po sot Presidenti turk Tajip Erdogan tha se besonte se Presidenti rus Vladimir Putin dëshironte vazhdimin e marrëveshjes. Ai tha se do të diskutojë mbi këtë çështje me homologun e tij rus gjatë një takimi që është parashikuar të mbahet në muajin gusht.
"Sot, ministri ynë i jashtëm do të ketë një takim me homologun e tij (rus) dhe me këtë takim, shpresoj që ne mund të arrijmë të biem dakord për rifillimin e marrëveshjes së grurit pa ndërprerje. Ndoshta ne mund të ndërmarrim hapa të mëtejshëm, duke kryer një telefonatë me zotin Putin pa pritur muajin gusht”, tha ai.
Edhe Gjermania i bëri thirrje Rusisë të mos heqë dorë nga marrëveshja.
“Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Rusisë që të bëjë të mundur zgjatjen e afatit të saj dhe mos ta kalojë peshën e kësaj mosmarrëveshjeje në kurrizin e më të varfërve të këtij planeti”, tha zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christian Hoffmann.
Carlos Mera një ekspert i lartë mbi çështje të bujqësisë me bazë në Londër tha se pezullimi i marrëveshjes do të godasë vendet më të varfra.
“Ukraina do të vendoset përballë pamundësisë për të eksportuar nëpërmjet porteve në Detin e Zi, që është rruga më efikase për drithërat. Fermerët ukrainas do të detyrohen të gjejnë rrugë alternative për eksportet e tyre, që do të jenë më të gjata dhe më kushtueshme, çka mund ta vështirësojnë aftësinë e tyre për të ruajtur prodhimin në vitet e ardhshme”, tha ai.
Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë bëri të ditur këtë muaj se 45 vende kanë nevojë për ndihmë ushqimore nga jashtë, në një kohë kur çmimet e larta të produkteve vendase po nxisin urinë në nivele shqetësuese. Marrëveshja e grurit është përballur me pengesa që prej ndërmjetësimit të saj nga OKB-ja dhe Turqia. Rusia u tërhoq për një kohë të shkurtër në muajin nëntor të vitit të shkuar, përpara se të binte dakord për zgjatjen e afateve të saj. Ukraina ka akuzuar Rusinë se prej fundit të muajit qershor është bërë pengesë duke mos lejuar anijet që të kryejnë lirish punën e tyre. Po kështu janë ngadalësuar edhe inspektimet e përbashkëta që synonin të siguronin që anijet kishin vetëm ngarkesë me grurë dhe jo armë, çka u vinte ndihmë të gjitha palëve. Por ndryshe nga sa pretendon, Rusia ka eskportuar sasi të mëdha gruri. Dërgesat ruse të grurit arritën nivele më të larta të të gjitha kohërave pas fushatash korrjeje të madhe. Sipas një vlerësimi të Departamentit amerikan të Bujqësisë ajo ka arritur të eksportojë 45.5 milionë tonë mes viteve 2022-2023, me një rekord tjetër prej 47.5 milionë tonësh metrikë që pritet të sheënohet për periduhën 2023-2024.