Lidhje

Trafiku në urën kryesore që lidh Krimenë me Rusinë u ndërpre pas një shpërthimi që vrau dy persona


Trafiku në urën kryesore që lidh Krimenë me Rusinë u ndërpre të hënën pasi në një nga seksionet e saj ndodhi një shpërthim për të cilin zyrtarët rusë thanë se ishte një sulm ukrainas i cili vrau një çift bashkëshortësh dhe plagosi vajzën e tyre.

Komiteti Kombëtar Anti-Terrorist i Rusisë tha se sulmi ishte organizuar nga shërbimet e posaçme të Ukrainës dhe përfshinte dy dronë detar. Zyrtarët ukrainas nuk morën përgjegjësinë për sulmin, që është sulmi i dytë i madh në urë që nga muaji tetor i vitit të kaluar, kur një kamion bombë shpërtheu dy nga seksionet e saj.

Natalia Humeniuk, një zëdhënëse e Komandës Jugore të ushtrisë ukrainase, tha se shpërthimi mund të jenë një provokim rus, por mediat ukrainase Ukrainska Pravda dhe RBC Ukraine, thanë se sulmi ishte planifikuar nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës dhe Marina e Ukrainës dhe përfshinte dronët në det.

Kievi fillimisht nuk e pranoi përgjegjësinë për sulmin e tetorit, por një zyrtar i lartë ukrainas e konfirmoi në fund atë.

Ura është një arterie thelbësore për furnizimin e Krimesë, e cila shërben si qendër kryesore për luftën e Rusisë në Ukrainë. Sulmi në urë ndodhi ndërsa forcat ukrainase po përpiqen të kryejnë një kundërsulm në disa pjesë të vijës së frontit.

Një video e postuar nga kanali i lajmeve në internet Crimea 24 tregoi një pjesë të urës të dëmtuar, por nuk kishte asnjë tregues se ndonjë pjesë kishte rënë në ujë.

Guvernatori i rajonit të Belgorodit të Rusisë, Vyacheslav Gladkov tha se sulmi vrau një çift nga rajoni dhe vajza e tyre u shtrua në spital me plagë të rënda.

Dëmi në urë dukej më i lehtë se në sulmin e tetorit pas të cilit u deshën muaj për t'u riparuar. Trafiku hekurudhor rifilloi më vonë të hënën, pasi u ndërpre për rreth gjashtë orë dhe autoritetet thanë se po shqyrtonin planet për të përdorur seksionin rrugor të padëmtuar të urës për trafikun në të dy drejtimet.

Ura prej 19 kilometrash, më e gjata në Evropë, u hap në vitin 2018 dhe është lidhja kryesore tokësore midis Rusisë dhe gadishullit të Krimesë, që u aneksua nga Moska në vitin 2014.

Andriy Yusov, një zëdhënës i departamentit ushtarak të zbulimit të Ukrainës, nuk pranoi të komentonte të hënën mbi incidentin, por tha se "gadishulli përdoret nga rusët si një qendër e madhe logjistike për lëvizjen e forcave dhe mjeteve thellë në territorin e Ukrainës. Sigurisht që çdo problem logjistik është ndërlikim shtesë për pushtuesit”.

XS
SM
MD
LG