Lidhje

Milan Kundera, shkrimtari dhe disidenti çek, vdes në Paris në moshën 94-vjeçare


Një fotografi e Milan Kunderas e marrë në Pragë, më 27 qershor 1967
Një fotografi e Milan Kunderas e marrë në Pragë, më 27 qershor 1967

PARIS – Mediat çeke njoftuan të mërkurën se Milan Kundera vdiq në Paris në moshën 94 vjeçare. Shkrimet e tij disidente në periudhën e Çekosllovakisë komuniste bënë që ai të shkonte në mërgim, duke u shndërruar në një autor i satirës kundër totalitarizmit.

Romani i tij i mirënjohur, “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, çelet në mënyrë tronditëse me tanket ruse që kalojnë përmes Pragës, kryeqyteti çek ku banonte autori përpara se të zhvendosej në Francë në vitin 1975. Me gërshetimin e temave të dashurisë, mërgimit, politikës dhe të thellësisht personales, romani i zotit Kundera tërhoqi vëmendje të madhe, duke i siguruar atij një bazë të gjerë lexuesish në radhët e perëndimorëve që përqafuan rebelimin e tij anti-sovjetik dhe eroticizmin që përshkon shumë prej veprave të tij.

“Nëse dikush do të më kishte thënë kur isha i vogël: Një ditë do ta shohësh vendin tënd të zhduket nga kjo botë, unë do ta kisha konsideruar një gjë të pakuptimtë, diçka që nuk mund ta imagjinoja dot. Njeriu e di që nuk është i pavdekshëm, por e merr për të mirëqenë se vendi i tij ka një lloj jete të përjetshme”, i tha ai autorit Philip Roth në një intervistë në gazetën The New York Times në vitin 1980, vitin përpara se të bëhej shtetas francez.

Në vitin 1989, revolucioni çek i mbiquajtur revolucioni i kadifenjtë rrëzoi komunistët nga pushteti dhe vendi i zotit Kundera mori emrin Republika Çeke. Por, në atë kohë ai kishte krijuar tashmë një jetë të re – dhe një identitet krejtësisht të ri – në apartamentin e tij në papafingon e një godine në Bregun e Majtë të Parisit.

Nuk mund të theksohet mjaftueshëm fakti se marrëdhënia e tij me vendin e lindjes ishte komplekse. Ai kthehej rrallë në Republikën Çeke dhe fshehtas, madje edhe pas rënies së Perdes së Hekurt. Veprat e tij të fundit, të shkruara në frëngjisht, nuk u përkthyen ndonjëherë në gjuhën çeke. “Lehtësia e papërballueshme e qenies” që i dha atij famë dhe u bë film në vitin 1988, u publikua në Çeki vetëm në vitin 2006, 17 vite pas Revolucionit të Kadifenjtë, megjithëse ishte përkthyer në çekisht që në vitin 1985 nga një bashkëatdhetar i mërguar që kishte një shtëpi botimi në Kanada. Vepra qëndroi për javë të tëra në krye të listës së librave më të shitur, dhe në vitin pasues zoti Kundera u vlerësua për këtë me Çmimin Shtetëror për Letërsinë.

Bashkëshortja e zotit Kundera, Vera, ishte një prani jetike për autorin vetmitar që shmangte përdorimin e teknologjisë – ajo shërbeu si përkthyesja e tij, si ndërmjetëse për angazhimet e tij sociale dhe mbi të gjitha si mbrojtësja e tij nga bota e jashtme. Ishte ajo që ndërtoi miqësinë me zotin Roth duke shërbyer si ndërmjetëse gjuhësore mes të dyve, dhe – sipas një profili të çiftit të botuar në vitin 1985 – ishte ajo që i përgjigjej telefonatave dhe që menaxhonte kërkesat e pashmangshme për autorin me famë botërore.

Shkrimet e zotit Kundera, romani i parë i të cilit, “Shakaja”, çelet me një djalë të ri që dërgohet në miniera pasi kishte bërë shaka me sloganet komuniste, u ndaluan në Çekosllovaki pas pushtimit sovjetik të Pragës në vitin 1968, kur ai edhe humbi punën si profesor i kinematografisë. Ai shkruante romane dhe skenarë filmash që nga viti 1953.

Libri “Lehtësia e papërballueshme e qenies” ndjek një kirurg disident nga Praga, drejt mërgimit në Gjenevë dhe më pas gjatë rikthimit në atdhe. Për shkak se refuzoi t’i përulej regjimit komunist, kirurgu Tomas detyrohet të punojë si pastrues dritaresh dhe ta shfrytëzojë profesionin e tij për të ndërmjetësuar marrëdhënie seksuale me qindra gra kliente. Tomasi kalon ditët e fundit të jetës së tij në fshat me bashkëshorten, Terezën, ndërsa jeta e tyre bëhet në të njëjtën kohë më idilike dhe më e prekshme me kalimin e ditëve.

Jiri Srstka, agjenti letrar çek për zotin Kundera në periudhën kur më në fund u botua libri në Republikën Çeke, tha se vetë autori shtyu botimin e tij për shkak të frikës se do të censurohej.

“Kunderës iu desh të lexonte sërish të gjithë librin, të rishkruante pjesë, të shtonte dhe të rishikonte të gjithë tekstin. Për shkak të perfeksionizmit të tij, kjo ishte një punë afatgjatë, por tashmë lexuesit do të kenë në dorë librin që Milan Kundera mendon se duhet të kenë”, i tha zoti Srstka në atë kohë Radio Pragës.

Zoti Kundera nuk pranonte të shfaqej për kamerat, refuzoi të komentojë kur u botua një përmbledhje e plotë e veprave të tij në vitin 2011, si dhe nuk lejoi prodhimin e versioneve dixhitale të shkrimeve të tij. Në një fjalim në qershor 2012 për Bibliotekën Kombëtare Franceze – të rilexuar në radion franceze nga një mik i tij – ai shprehu shqetësimin për të ardhmen e letërsisë.

“Më duket se koha, që vazhdon të marshojë pa mëshirë, po fillon të rrezikojë librat. Është për shkak të kësaj dhimbjeje, që prej vitesh tashmë, kam vendosur një kusht në të gjitha kontratat e mia që librat duhet të publikohen vetëm në formën tradicionale të librit, që të lexohen vetëm në letër dhe jo në një ekran”, tha ai. “Njerëzit ecin në rrugë pa patur më kontakt me personat rreth tyre, as nuk i shikojnë shtëpitë përpara të cilave kalojnë, tela u varen nga veshët. Bëjnë gjeste, ashtu siç do të duhej, por pa parë askënd dhe ndërsa askush nuk i shikon. Pyes veten, a lexojnë më ndonjë libër? Është e mundshme, por për sa kohë mund të vazhdojë kjo?”.

Besnikëria e tij ndaj fjalës së shtypur në letër do të thotë se lexuesit kanë mundësinë të gjejnë kritika dhe biografi të Kunderës në internet, por jo vetë veprat e tij.

Megjithëse mbrojti me rreptësi jetën e tij private – ai dha intervista të pakta dhe e mbajti në minimum informacionin e tij biografik – zoti Kundera u detyrua të përballej me të shkuarën e tij, kur Instituti i Republikës Çeke për Studimin e Regjimeve Totalitare publikoi dokumenta ku mësohej se në vitin 1950, kur ishte student 21-vjeçar, zoti Kundera kallëzoi në polici për një person në konviktin e tij. Personi përfundoi i dënuar për spiunazh, me burgim dhe punë të detyruar për 22 vite.

Studiuesi që botoi artikullin, Adam Hradilek, doli në mbrojtje të materialit si produkt i një pune të zgjeruar studimore për zotin Kundera.

“I ka bërë edhe miqtë e tij çekë që të zotohen se do të qëndrojnë në heshtje. Kështu që edhe ata nuk duan të flasin me gazetarët se kush është dhe kush ishte Milan Kundera”, tha zoti Hradilek në atë kohë.

Milan Kundera në një aktivitet në Paris në nderim të filozofit francez Bernard-Henri Levy (30 nëntor 2010)
Milan Kundera në një aktivitet në Paris në nderim të filozofit francez Bernard-Henri Levy (30 nëntor 2010)

Zoti Kundera tha se studimi ishte i pavërtetë. Ai i tha agjencisë çeke të lajmeve CTK se ishte “vrasje e karakterit të një autori”.

Në një profil të vitit 1985 – ndër më të gjatët dhe më të detajuarit të shkruar ndonjëherë, dhe ku shqyrtohet edhe jeta e zotit Kundera në Paris – autori dha tregues të nivelit të dhimbjes që mund t’i ketë shkaktuar.

“Për mua, papërgjegjshmëria është mëkat madhor. Çdokush që zbulon jetën intime të dikujt tjetri, meriton të fshikullohet. Jetojmë në një epokë kur jeta private po shkatërrohet. Policia e shkatërron atë në vendet komuniste, gazetarët e rrezikojnë në vendet demokratike, dhe pak nga pak njerëzit vetë humbasin shijen për jetën private dhe ndjesinë e saj”, i tha ai shkrimtares Olga Carlisle. “Një jetë ku nuk mund të fshihesh nga sytë e të tjerëve – ky është ferri”.

XS
SM
MD
LG