Këtë javë në Uashington mbahet një konferencë që do të përqendrohet tek Ballkani Perëndimor dhe tek bashkëpunimi transatlantik dhe rajonal i lidhur me të. Kjo temë trajtohet në kushtet kur qëndrueshmëria dhe rruga e integrimit euro-atlantik të rajonit ka marrë një rëndësi të veçantë, në kushtet e agresionit rus në Ukrainë. Në takim merr pjesë edhe ekspertja e sigurisë, Dr. Valbona Zeneli, kryetare e Departamentit të Iniciativave Strategjike në Qendrën Evropiane Marshall, e cila ishte e ftuar për një bisedë në studio me kolegen Klementina Cenkollari në emisionin televiziv Ditari.
Zëri i Amerikës: Zonja Zeneli, lidhur me akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, lufta ndaj korrupsionit mbetet ende një sfidë për vendin. Raste të tilla nxjerrin në pah lidhjen e strukturave shtetërore me interesat e biznesit. Çfarë mund të bëhet për të luftuar këtë dukuri?
Dr. Valbona Zeneli: Besoj kjo është një nga temat kryesore jo vetëm në Ballkanin Perendimor, por është një çështje globale. Edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka një strategji në luftën kundër korrupsionit global duke e përcaktuar atë si një çështje të interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Vetëm para disa muajsh u mbajt Samiti i Demokracisë dhe lidhja midis demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit është shumë e rëndësishme. Pra do të thoja që është një temë gjithëpërfshirëse. Korrupsioni siç e kemi parë minon demokracinë, minon rendin ligjor, por mbi të gjitha minon zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit. Në anketimet e fundit që janë bërë, korrupsioni rezulton së bashku me varfërinë si një nga sfidat kryesore të qytetarëve në vendet e Ballkanit Perendimor, por gjithashtu si një nga arsyet kryesore pse të rinjtë po lënë rajonin. Pra duhet një strategji gjithëpërfshirëse. Ajo që është e rëndësishme në rastin e Shqipërisë është që çdo ditë e më tepër reforma në drejtësi është duke funksionuar por siç e thashë duhet parë në të gjitha aspektet – aspektet ligjore, aspektet ekonomike, aspektet e emigracionit. Pra duhen përfshirë të gjitha këto në një luftë kundër korrupsionit. Është një çështje demokracie, është një çështje sigurie. Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit Perendimor janë vende anëtare të NATO-s, por është edhe një çështje zhvillimi ekonomik.
Zëri i Amerikës: Zonja Zeneli, zvarritjet në procesin e pranimit të Bashkimit Evropian kanë shkaktuar një lloj padurimi tek vendet e Ballkanit Perendimor. Ju jeni një prej eksperteve që keni sugjeruar disa hapa për të përshpejtuar dhe më tej zgjerimin e Bashkimit Evropian. Çfarë mund ta nxisë më shumë këtë proces?
Dr. Valbona Zeneli: Besoj se jemi në një pikë shumë të mirë, pas një periudhe më tepër se 10 vjeçare që themi procesi i integrimit të vendeve të Ballkanit Perendimor me Bashkimin Evropian ishte stagnant, pra ishte një proces që ishte ngadalësuar, ishte kthyer në një proces tepër teknik dhe kishte humbur rëndësinë gjeopolitike; ne tani kemi një momentum bashkë me dhënien e statusit kandidat të Ukrainës dhe Moldavisë dhe gjithashtu të kondicionuar të Gjeorgjisë, kemi një moment të ri të zhvillimit të Bashkimit Evropian, jo vetëm për Ballkanin Perëndimor. Do të mendoja se për kredibilitetin e Bashkimit Evropian është shumë e rëndësishme që të ecet sa më shpejt me vendet e Ballkanit. Kam idenë që për një kohë të gjatë ajo që quhej lodhja që ishte krijuar nga zgjerimi me vendet e Bashkimit Evropian krijoi në rajonin e Ballkanit Perendimor një lodhje reformash, pra një ngadalësim reformash. Ne kemi parë që kjo strategji nuk ka funksionuar. Duhej diçka e re dhe siç ju e përmendët ne kemi sjellë disa ide në lidhje me çfarë mund të funksionojë. Ajo që ne do të thonim janë disa pika të rëndësishme – e para është që duhet të ketë një integrim në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit me faza. Në momentet që vendet plotësojnë të gjitha kushtet dhe standartet për t’u afruar dhe për t’u bërë pjesë e anëtarësuar në sektorë të ndryshëm sidomos atë ekonomik të Bashkimit Evropian duhen lejuar sepse kjo është mundësia që ne të shikojmë direkt avantazhet ekonomike dhe politike të hyrjes në Bashkimin Evropian. Ajo që është do të thoja në rajonin e Ballkanit është se ne kemi një skepticizëm tashmë. 30 përqind e popullsisë në Ballkanin Perëndimor megjithëse e duan anëtarësimin mendojnë se kjo nuk do të ndodhi ndonjëherë. Pra ne duhet të kemi disa reforma të cilat kanë avantazhe immediate sidomos nga prespektiva ekonomike për këto vende të rajonit. E dyta është pa diskutim zhvillimi i rendit ligjor, lufta kundër korrupsionit - duhet të mbeten shumë të forta në procesin e anëtarësimit. Sepse kjo ka qënë një nga arësyet sepse vendet e BE-së kanë ngadalësuar, sepse duke patur eksperiencat jo aq të mira nga Bullgaria dhe Rumania, kanë pasur këtë lloj frike me vendet e Ballkanit Perendimor. Pika e tretë që do të thoja është qasja tek fondet strukturore. Fondet nuk duhet të aksesohen vetëm kur vendet bëhen anëtarë të BE-së por kjo duhet të fillojë më përpara për të rritur kapacitetet, jo vetëm kapacitetet ekonomike, jo vetëm për zhvillimin infrastrukturor, por për të afruar mendërisht edhe nga pikëpamja e mentalitetit vendet e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Pika e fundit që unë do të shtoja është se të gjitha vendet gjithashtu të kondicionohen që të kenë të njëjtën politikë të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme sepse kjo krijon edhe atë besimin e vendeve të Bashkimit Evropian në lidhje me anëtarësimin dhe të integrimit të rajonit që për mendimin tim është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për një Bashkim Evropian gjeopolitik që ne duam të shohim në arenën ndërkombëtare.
Pika e fundit që unë do të shtoja është se të gjitha vendet gjithashtu duhet të kondicionohen që të kenë të njëjtën politikë të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme sepse kjo krijon edhe atë besimin e vendeve të Bashkimit Evropian në lidhje me anëtarësimin, në lidhje me integrimin e rajonit që për mendimin tim është një “must”, është shumë i rëndësishëm për një Bashkim Europian gjeopolitik që ne duam të shikojmë në arenën ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: Të ndalemi pak edhe tek takimi i nivelit të lartë që po zhvillohet sot dhe nesër në Lituani. Udhëheqësit e aleancës ende nuk po bien dakort për sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në NATO, ndërsa presidenti i vendit Zelenski bëri thirrje për të patur një afat të qartë kohor se kur Kievi do të mund të marrë një ftesë. Si pjesë e grupit të punës për konceptin strategjik të aleancës, çfarë ndikimi mendoni ju se kanë këto ndasi tek vetë aleanca, dhe nga ana tjetër edhe tek përballja e Ukrainës ndaj agresionit që ka ndërmarrë Rusia?
Dr. Valbona Zeneli: Ju faleminderit për këtë pyetje. Është shumë e rëndësishme. Samiti i NATO-s që po mbahet në Vilnius ka një axhendë shumë të fortë, shumë solide, që në qoftë se do ta përkufizoja, bazohet në tre pika. Bazohet në “crisis management”, në menaxhimin e krizës me agresionin brutal të Rusisë ndaj Ukrainës, me adaptimin e aleancës, dhe pika e tretë ka të bëjë me të ardhmen, dhe këtu kemi të bëjmë më tepër me inovacionin. Katër pika do të thoja unë janë kryesore për sa i përket mbajtjes së unitetit brenda aleancës. E para duhet thënë që në vitet e fundit ne nuk kemi parë ndonjë unitet kaq të fortë transatlantik për sa i përket çështjes së Ukrainës, pra kjo është një gjë shumë e rëndësishme që duhet ta mbajmë në mend. Pika e parë do të jetë, dhe këtu kemi arritur një sukses shumë të madh, është dhënia e dritës jeshile për anëtarësimin e Suedisë. Ajo që filloi në samitin e Madridit me Finlandën, duhet të vazhdonte me Suedinë dhe që është “good news”, kjo është shumë e mirë. Sepse ka të bëjë jo vetëm me tregimin e unitetit politik të aleancës, por ka të bëjë me atë që Suedia dhe Finlanda i sjellin nga pikëpamja e sigurisë aleancës për sa i përket vendeve balltike, por edhe sa i përket asaj që ne e quajmë “High North”, pra veriun e Evropës. Pika e dytë është ajo pyetja që ju më bëtë në lidhje me perspektivat e anëtarësimit të Ukrainës. Ne kemi parë një unitet politik për sa i përket suportit të Ukrainës në muajt e fundit, por është shumë e rëndësishme që të ketë një plan. Ne e dimë që nuk do të ndodhë menjëherë, por që të ketë një plan të strukturuar dhe me masa në lidhje me kapacitetet që do të forcohen për sa i përket anëtarësimit në të ardhmen. Pra, kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Duhet të kemi jo vetëm një suport politik. Duhet të kemi suport ushtarak, që e kemi parë nga shumë vende të NATO-s, jo të NATO-s si organizëm. Dhe pikërisht dhënia e kësaj dritës jeshile, apo një “roadmap”-i që Ukraina të ketë për të ardhmen. Pika e tretë do të thoja ka të bëjë me “defense budgets”.
Zëri i Amerikës: Kjo është një nga çështjet më të rëndësishme.
Dr. Valbona Zeneli: Ne arrijmë në dhjetë vjet nga ai premtimi që patëm në samitin e Uellsit për 2% për sa i përket buxheteve të mbrojtjes dhe 20% për sa i përket buxheteve të modernizimit, të inovacionit. Besoj se kjo duhet të jetë dysheme, pra nuk duhet të jetë më tavan. Pra vendet duhet të shpenzojnë edhe më shumë. Pika e katërt dhe e fundit që do të thoja është shumë e rëndësishme për të treguar unitet, ka të bëjë me partneritetet, ka të bëjë me partneritetet dhe reziliencën. Reziliencë shumë të përgjithshme, që ka të bëjë me reziliencën ekonomike, ka të bëjë me reziliencën e rrjeteve të distribucionit, “supply chains”, ka të bëjë me reziliencën e informacionit. Pra këto janë pika që janë të rëndësishme jo vetëm për vendet anëtare të NATO-s, por sidomos në lidhjet që NATO ka me partnerët në vende të ndryshme të botës. Pra, këto janë katër pika shumë të rëndësishme mendoj, që në qoftë se do të kemi më shumë “deliverables” nga samiti, tregojnë unitetin brenda NATO-s.
Zëri i Amerikës: Zonja Zeneli, një nga sfidat madhore të situatës në rajon janë tensionet mes Kosovës dhe Serbisë. Vendet partnere dhe opozita në Kosovë kanë kritikuar ashpër mungesën e fleksibilitetit dhe koordinimit nga ana e qeverisë aktuale. Si mendoni ju se mund të zgjidhet ky ngërç që mes të tjerash ka cënuar dhe marrëdhëniet mes Prishtinës, Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit.
Dr. Valbona Zeneli: Unë mendoj se jo vetëm në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por në çfarëdolloj marrëdhënieje bilaterale që ne kemi në vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një rajon që ka ecur mjaft përpara në 20 vitet e fundit, por ka shumë xhepa jostabiliteti siç mund t’i quajmë, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveçse dialogut dhe konsensusit. Në fund të ditës, e nisa duke u përgjigjur se sfidat kryesore të qytetarëve janë papunësia, janë korrupsioni dhe janë varfëria. Nëse ne nuk do të kemi një rajon që do të jetë stabël nga pikëpamja politike, nga pikëpamja e rendit ligjor, nuk do të kemi investime të huaja. Po ta shikojmë çfarë ndodh në rajonin që është aq i rëndësishëm gjeostrategjikisht, vetëm 0.2% të investimeve botërore vijnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që Bashkimi Evropian është investuesi kryesor në ekonominë globale. Po nuk patëm stabilitet politik, dhe stabiliteti politik arrihet vetëm përmes konsensusit, mes dialogut, do të jetë shumë e vështirë që vendet të ecin përpara. Edhe nëse ne nuk do të ecim përpara, të rinjtë do ta lënë rajonin. Pra në qoftë se Bashkimi Evropian nuk do të vijë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të rinjtë do të gjejnë mënyrën për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian duke lënë rajonin. Dhe mendoj që në të ardhmen kjo është sfida kryesore e Ballkanit Perëndimor. Largimi i trurit dhe largimi i të rinjve. Pra, dialog edhe konsensus, të vetmet zgjidhje.