Sulmi rus ndaj Ukrainës do të jetë në krye të agjendës të takimit që Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë me udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, më 11 dhe 12 korrik në Vilnus të Lituanisë. Vëmendja do të përqendrohet gjithashtu në përcaktimin e hapave për anëtarësimin në të ardhmen në Ukrainës në NATO, si dhe garancitë e sigurisë, që do t'i nevojiten vendit, në mënyrë Rusia, të mos e sulmojë sërish, pas përfundimit të luftës. Po kështu udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë mbi antarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, e do të vendosin një objektiv të ri, më të lartë, mbi shpenzimet për mbrojtjen.
Në Vilnus po bëhen përgatitjet e fundit për takimin e nivelit të lartë të NATO-s që nis të martën. Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e të tjerë të aleancës do të mblidhen vetëm 32 kilometra larg kufirit të Lituanisë me Bjellorusinë, një vend aleat i Rusisë, ndaj dhe takimi po shoqërohet me masa të forta sigurie.
Udhëheqësit perëndimorë pritet të përqendrohen tek agresioni rus në Ukrainë dhe garantimi i mbështetjes për Kievin, për sa kohë që lufta vazhdon. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Lituanisë Gitanas Nauseda, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca synon të forcojmë mekanizmat parandalues në fushën e mbrojtjes, duke parashikuar edhe më shumë investime.
“Ne do të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën dhe do ta afrojmë atë edhe më pranë NATO-s. Do të punojmë edhe më ngushtë me partnerët për të mbështetur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha ai.
Përpara udhëtimit për në Vilnus, për takimin e NATO-s, Presidenti amerikan Biden zhvilloi një vizitë në Britani. Takimi me Kryeministrin Sunak, u përqendrua tek forcimi i bashkëpunimit dhe partneritetit të dy vendeve si anëtare të NATO-s.
“Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe janë shumë të forta”, tha presidenti Biden.
Ky është takimi i gjashtë mes zotit Biden dhe zotit Sunak që kur ky i fundit mori detyrën në tetor.
“Ne qëndrojmë si dy nga aleatët më të fortë në NATO. E di që të gjithë duam të bëjmë gjithçka që mundemi, për të forcuar sigurinë euroatlantike”, tha zoti Sunak.
Të dy vendet janë dy nga mbështetësit më të fortë të Kievit. Londra e ka shtyrë Uashingtonin të ndërmarrë hapa më agresivë në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, por duket se është distancuar nga vendimi i fundit i administrates Biden për të dërguar bomba thërrmuese në këtë vend.
NATO nuk është ende gati të nisë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën, por po ndihmon këtë vend me stërvitje e modernizim të ushtrisë e institucioneve të saj të sigurisë. Në takimin e nivelit të lartë në Vilnus, pritet të krijohet dhe një forum i ri për konsultime, Këshilli NATO-Ukrainë.
Eksperti i lartë i fondit gjerman Marshall, Bruno Lete, thotë se ky organizëm do t’i sigurojë Ukrainës të drejtën të mbledhë aleatët.
“Pra, ky këshill do të jetë sigurisht një instrument politik mjaft i rëndësishëm për Ukrainën", thotë ai.
Por këshilli nuk do të ketë kompetenca të vendosë mbi zbatimin e nenit 5 të traktatit të NATO-s, nga i cili vendet aleate përfitojnë garanci kolektive sigurie. Bazuar tek ky nen, një sulm ndaj cilitdo vendi anëtar të NATO-s, konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve.
"Ukraina do të ketë kompetenca për të mbledhur NATO-n në kohë emergjence, por thjesht për të biseduar", thotë zoti Lete.
NATO pritet të miratojë dhe planet e reja të mbrojtjes, në rast se Presidenti rus Vladimir Putin përpiqet të zgjerojë luftën përtej Ukrainës, në territorin e vendeve aleate. Një vend të rendësishëm do të zërë dhe çështja e shpenzimeve mbi mbrojtjen. Aleatët kanë rënë dakord tashmë që deri në vitin 2024, shpenzimet për mbrotjen të arrijnë në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në Vilnius, udhëheqësit e NATO-s do të bien dakord që ky të jetë niveli minimal i shpenzime për mbrotjen.