Shkencëtarët kanë krijuar modele embrionësh për t’i ndihmuar në studimin e mistereve të fazave të hershme të zhvillimit njerëzor, të problemeve mjekësore që ndodhin përpara lindjes dhe arsyet përse dështojnë shumë shtatëzani. Këto modele krijohen nga qeliza staminale, dhe jo nga vezët dhe sperma, dhe nuk munden të rriten më tej për t’u bërë foshnje.
Lajmi se shkencëtarët mund të prodhojnë formën më të hershme të jetës së njeriut në kushte laboratorike ka shkaktuar përshtjellim në mbarë botën.
Kjo u njoftua për herë të parë gjatë një fjalimi më 14 qershor në Boston të profesores Magdalena Zerinka-Goetz, në takimin vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare për Studimin e Qelizave Staminale. Në atë periudhë, studimi nuk i ishte nënshtruar ende oponencës shkencore.
Zonja Zerinka-Goetz bashkëpunon me Universitetin e Kembrixhit dhe Institutin e Kalifornisë për Teknologjinë. Tashmë studimi i saj është publikuar në revistën shkencore “Nature”, së bashku me një studim tjetër nga shkencëtarët e Universitetit Jeill në Shtetet e Bashkuara. Të dy studimet arritën të prodhojnë embrionë 14-ditësh nga qeliza staminale njerëzore. Modelet përfaqësojnë fazën menjëherë pas krijimit të embrionit, kur është i vështirë studimi i tij. Teknikat e dy ekipeve mjekësore variojnë. Ekipi i Kembrixhit p.sh., përdori qeliza burimore të modifikuara paraprakisht. Gjithashtu, shkencëtarë të tjerë në Izrael dhe në Kinë kanë publikuar studimet e tyre këtë muaj.
Profesorja Zerinka-Goetz shpjegoi gjatë një konference në Los Anxhelos sfidat më të mëdha me të cilat përballet ekipi i saj në krijimin e një modeli që imiton plotësisht embrionin njerëzor.
“Do të donim gjithashtu ta përmirësonim modelin tonë pasi megjithëse shohim nga një anë sa i mrekullueshëm është, dimë se ka disa aspekte që nuk imitojnë plotësisht një embrion të vërtetë njerëzor. Pra po mendohemi se si ta përmirësojmë dhe kjo është diçka për të cilën po vazhdohet të punohet dhe nuk flasim dot për detajet. Por, sigurisht nëse zbulojmë një ide apo mënyrë për ta realizuar, atëherë do ta raportojmë sërish”, tha ajo.
Dy modelet e Kembrixhit dhe Kalifornisë imitojnë zhvillimin deri në 14 ditë pas fertilizimit. Modeli përmban qeliza embrionale që vazhdojnë të prodhojnë struktura përreth embrionit, si p.sh. placentën. Modeli i ekipit të Jeillit fillon t’i ngjasojë embrionit njerëzor gjatë periudhës 9-14 ditë pas fertilizimit.
“Këto janë struktura që vijnë nga qeliza staminale të rritura në laborator dhe të vendosura së bashku në mënyra që inkurajojnë krijimin e formacioneve të ngjashme me embrionët. Pra ato imitojnë organizimin e embrionëve dhe fillojnë të sillen në njëfarë mënyre si embrionët. Këtu përqëndrohet puna kërkimore, për të kuptuar se si ndodh vërtet, se çfarë duhet bërë për të mbështetur ndërveprimin për krijimin e embrionëve dhe duke e bërë këtë të kuptojmë më shumë rreth zhvillimit të hershëm, qoftë tek kafshët apo tek njerëzit”, thotë Dr. James Briscoe, shkencëtar në Qendrën kërkimore “Francis Crick” në Londër.
Dr. Briscoe mendon se kjo lloj pune kërkimore mund të shpjegojë në të ardhmen se përse ndodh dështimi i shtatëzanisë.
Edhe Jacob Hanna, nga Instituti i Shkencave “Weizmann” në Izrael, thotë se puna e tyre studimore gjithashtu imiton embrionin deri në ditën e 14-të pas fertilizimit. Ai thotë se kjo punë kërkimore është e domosdoshme, pasi nuk ka mënyrë tjetër për të kuptuar sjelljen e embrionit në fazat e hershme.
“Po bëhet një përpjekje e madhe në kërkimin shkencor se si mund të arrijmë nga qelizat staminale në organet që na duhen për të imituar embrionin njerëzor. Pengesa e madhe ka qenë se nuk kemi qasje tek zhvillimi embrional që nga dita e shtatë dhe deri tek dita e 28-të, për shkak se është fazë tepër e hershme e shtatëzanisë. Madje zakonisht gratë as nuk e dinë që janë shtatzëna. Ka edhe shumë probleme etike dhe teknike në marrjen e të dhënave të tilla”, thotë profesor Hanna.
Avantazhi tjetër është se duke qenë se modelet nuk janë embrionë të vërtetë, nuk ekzistojnë kufizime ligjore ndaj tyre. Në të ardhmen, ato mund të përdoren edhe për të eksploruar efektet nga mjedisi dhe kimikatet në zhvillimin e hershëm të embrionëve.