Gjyshja e adoleshentit të vrarë nga policia u bëri thirrje të dielën protestuesve të ndalin aktetet e dhunës, ndërsa në qytetet franceze vazhduan për të gjashtën natë me radhë trazirat. Autoritetet shprehën zemërim për sulmin ndaj banesës së një kryebashkiaku, ku protestuesit i vunë flakën një automjeti.
Nga sulmi mbetën të lënduar familjarë të zyrtarit.
Gjyshja e 17 vjeçarit Nahel, e identifikuar si Nadia, tha në një intervistë telefonike në televizionin BFM se dhuna duhet të marrë fund. Sipas saj, protestuesit po e përdorin vdekjen e nipit të saj si një justifikim për të kryer akte dhune. “Po u bëj thirrje atyre (protestuesve) që të ndalojnë. Naheli ka vdekur. Vajza ime është e shkatërruar, tani ajo nuk ka më jetë”, tha gjyshja e 17 vjeçarit që vdiq pasi u qëllua nga një punonjës policie.
"Mos thyeni dritare, mos shkatërroni autobuse dhe shkolla. Duam që gjërat të qetësohen”, tha ajo.
Ajo tha se ishte e zemëruar me punonjësin e policisë që i vrau nipin, por jo me të gjithë strukturat policore dhe shprehu besim tek sistemi i drejtësisë, ndërsa Franca përballet me demostratat më të dhunshme ndër vite.
Nipi i saj, u varros të shtunën.
E pytur mbi fushatën për mbledhjen e të ardhurave në ndihmë të punonjësit të policisë që qëlloi ndaj nipit të saj, që deri tani ka arritur vlerën e 731 mijë dollarëve, Nadia tha “Më dhemb zemra”.
Ndaj punonjësit të policisë është ngritur akuza për vrasje me dashje.