Ish-kryetari i Komunës “Qendër” të Shkupit, Vladimir Todoroviç u arrestua të premten nën akuzat për “shpërdorim të fondeve të komunës”, të cilën e drejtoi nga viti 2009 deri më 2013.
Sipas organit të akuzës bëhet fjalë për projektin e njohur në publik si “Shkupi 2014”, i cili i ndryshoi pamjen qendrës së kryeqytetit me fasadat e stilit barok dhe ku u shpenzuan miliona euro, por asnjëherë nuk u dhanë shifra të sakta për vlerën e këtij projekti si nga qeveria e kaluar apo qeveria aktuale.
63-vjeçari Todoroviç është vetëm një nga 15 të akuzuarit, ndërsa i dyshuari kryesor sipas prokurorisë për këtë rast është ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
Ky i fundit më 13 nëntor të vitit 2018 u arratis në Hungari, ndërsa pak ditë më vonë u njoftua se autoritetet në Budapest i kishin miratuar kërkesën për azil politik, duke mos iu dhënë kështu mundësi autoriteteve në Shkup ta arrestojnë.
Prokuroria Themelore për Luftën kundër Krimit të Organizuar e akuzon këtë grup, ku bëjnë pjesë edhe ish-ministra të kulturës e të financave, për shpërdorimin e detyrës dhe për pastrim parash, që lidhen me projektin “Shkupi 2014”.
Prokurori Lubomir Llape u tha gazetarëve se organi i akuzës kishte bërë kërkesa për të marrë leje që të kryeshin më shumë kontrolle, të konfiskoheshin disa prona, të bllokoheshin disa llogari bankare me qëllim sigurimin e pranisë së të akuzuarve në gjykatë.
Sipas prokurorit “ish-Kryeministri në vitin 2007 me bashkëpunëtorë të tij të ngushtë në qeveri dhe në Komunën Qendër ishin bashkuar me qëllim të përfitimit financiar në një projekt për të cilin nuk ekziston një dokument i shkruar, as vendim apo projekt nga një organ kompetent shtetëror”.
Prokurori Llape tha se ministritë, duke anashkaluar Parlamentin, kishin transferuar në fondin e Komunës “Qendër” rreth 57.6 milionë Euro që të dukej se projekti është i komunës dhe jo i qeverisë.
Sipas prokurorit, njëmbëdhjetë monumente ishin punuar nga një kompani në Itali, në mesin e të cilave ajo e Aleksandrit të Madh, apo siç njihet së fundmi si “Luftëtari mbi kalë”. Nga hetimet ka rezultuar se të dyshuarit kishin përvetësuar 16 milionë euro, të cilat përmes “kanaleve të ndryshme ishin transferuar nga Italia në Maqedoninë e Veriut”. Prokuroria lidhur me këtë rast të koduar si “Feniks” ka kërkuar ndihmë nga pesë shtete të ndryshme.
Ndërkohë projekti “Shkupi 2014”, sipas një pjese të ekspertëve mendohet të ketë kushtuar nga 500 milionë deri në 1 miliard euro.
Maqedonia e Veriut së fundmi është kritikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe organizatat e tjera ndërkombëtare për zvarritjen e rasteve gjyqsore si dhe për besimin e ulët të qytetarëve tek gjyqësori.