Policia e Elbasanit ndaloi sot 45 persona dhe shpalli në kërkim 7 tjerë si të dyshuar për prodhim, shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike, në bashkëpunim.
Operacioni tremujor “Rrjeti” u shtri në shtatë qytete dhe përfshiu afro 500 forca policore. Elbasani vlerësohet si një prej zonave më problematike të kriminalitetit në Shqipëri.
Operacioni policor “Rrjeti” kulmoi pas tre muaj ndjekje të hollësishme me kontrollin e 52 banesave dhe një seri lokale dhe biznese nga afro 500 policë në Elbasan, Cërrrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec.
Në përfundim të tij policia ndaloi 45 persona dhe shpalli në kërkim 7 të tjerë. Drejtori i policisë së Elbasanit, Ilir Proda, bëri të ditur se, krahas narkotikëve, kapi në mjediset e kontrolluara armë zjarri dhe municion luftarak, silenciatorë, thika dhe sasi të konsiderueshme parash
“Gjatë kontrolleve në këto ambiente, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi”, tha zoti Proda.
Sipas forcave të rendit, me këtë operacion u godit plotësisht një grup kriminal dhe u goditën pjesërisht 3 grupe të tjerë.
Këta persona ishin përfshirë prej disa vitesh veprimtaritë kriminale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, të ndarë në disa grupe kriminale dhe në disa zona ndikimi të tyre.
27 prej të ndaluarve u skeduan vetëm gjatë këtij viti, ndërsa të tjerët ishin skeduar ndër vite nga strukturat e antikrimit; 11 prej tyre janë përsëritës, derisa ishin dënuar më parë për trafikim narkotikësh, dhe 10 të tjerë janë dënuar për krime të tjera.
Policia detajoi se janë arrestuar në flagrancë edhe pesë persona, pjesëtarë të këtyre grupeve kriminale, si dhe u proceduan në gjendje të lirë 29 shtetas, për të cilët vazhdojnë hetimet.
Elbasani vlerësohet nga policia dhe ekspertë të pavarur të sigurisë si një nga bazat dhe zonat e nxehta të kriminalitetit në Shqipëri, ku shpesh gjejnë strehë dhe ushtrojnë veprimtaritë e tyre grupe të organizuara kriminale.