Lidhje

Raporti: Agjencitë e zbulimit injoruan sasinë e madhe të informacionit që paralajmëronte sulmin ndaj Kapitolit


Byroja federale e Hetimit (FBI) si dhe Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, nuk i kushtuan rëndësi apo injoruan "një sasi të madhe informacioni të zbulimit", përpara sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021. Kjo thuhet në një raport të komisionit të Senatit për Sigurinë e Kombëtare dhe Çështje Qeveritare, i cili u publikua marten. Raporti flet për një dështim të agjencive të zbulimit përpara sulmit.

Raporti detajon se si agjencitë nuk arritën të pranojnë dhe paralajmërojnë për potencialin për dhunë, ndërsa disa nga mbështetësit e Presidentit të atëhershëm Donald Trump, kishin planifikuar hapur sulmin, duke postuar mesazhe në forume në internet.

Në raport thuhet se mes numrit të madh të informacioneve të zbulimit që u anashkalua, ishte dhe një informacion i dhjetorit 2020, drejtuar FBI-së, se anëtarët e grupit të ekstremit të djathtë ‘Proud Boys’, po planifikonin të ishin në Uashington, ditën e çertifikimit të fitores së Joe Biden-it, dhe se "plani i tyre” ishte “të vrisnin njerëz” siç dhe ishin shprehur ata, fjalë për fjalë.

Komisioni tha se agjencitë ishin gjithashtu në dijeni të shumë postimeve në mediat sociale që flisnin për dhunë. Në disa prej tyre u bëhej thirrje mbështetësve të zotit Trump që "të shkonin të armatosur" (në Uashington), të sulmonin Kapitolin, të vrisnin ligjvënësit si dhe ta "digjnin atë (Kapitolin) tërësisht".

Senatori demokrat Gary Peters, kryetar i komisionit, tha se sulmi ishte "kryesisht një dështim për ta parë rrezikun që i kanosej Kapitolit, si diçka të besueshme", duke i bërë jehonë gjetjeve të komisionit të 11 shtatorit, mbi dështimin e agjencive të zbulimit, përpara sulmet terroriste të vitit 2001.

Në raportin, e miratuar nga shumica e anëtarëve të komisionit, thuhet se komuniteti i zbulimit nuk është përshtatur plotësisht për t'u përqendruar tek kërcënimet që paraqet terrorizmi i brendshëm. Drejtuesit e zbulimit nuk arritën të jepnin alarmin "pjesërisht sepse ata nuk arritën ta mendonin se protestuesit do të vërshonin brenda ndërtesës së Kapitolit".

Megjithatë, tha senatori Peters, arsyet për të mos i marrë në konsideratë atë që ai e quajti një sasi e madhe informacionesh zbulimi, nuk është diçka që mund të kalojë me një shpjegim të thjeshtë.

Dështim i të gjithëve

Në një kohë kur edhe raporte të tjera kanë pasqyruar dështimet e komunitetit të zbulimit lidhur me atë që ndodhi më 6 janar, mes tyre një raport dypartiak i Senatit i vitit 2021, një raport i vitit të kaluar i komisionit të ashtuquajtur të 6 janarit, të Dhomës së Përfaqësuesve, apo disa vlerësime të brendshme të kryera nga Policia e Kapitolit si dhe agjenci të tjera qeveritare, raporti i fundit është i parë i Kongresit që përqendrohet vetëm në veprimet e FBI-së dhe të zyrës së Zbulimit e Analizës në Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Zoti Peters tha se komisioni intervistoi zyrtarë të të dyja agjencive dhe rezultoi që ata në mënyrë të vazhdueshme "i drejtonin gishtin njëri-tjetrit”.

"Të gjithë duhet të japin llogari sepse të gjithë dështuan", tha senatori Peters.

Duke përdorur emailet dhe intervistat e mbledhura jo vetëm nga komisioni i Senatit, por edhe nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi ngjarjet e 6 janarit, raporti paraqet në detaje informacionet e zbulimit që agjencitë kishin në javët përpara sulmit.

Në raport thuhet se nuk pati një dështim për të siguruar prova, por se agjencitë "dështuan të vlerësojnë plotësisht dhe saktë seriozitetin e kërcënimit të identifikuar, falë informacioneve të zbulimit e të shpërndajnë zyrtarisht udhëzimet, për partnerët e tyre të zbatimit të ligjit".

XS
SM
MD
LG