Lidhje

Putini dënon grupin Wagner për rebelimin, liron ushtarët nga fajësia


Në një fjalim drejtuar vendit, presidenti rus Vladimir Putin kritikoi organizatorët e rebelimit nga grupi Wagner duke i quajtur "tradhtarë". Udhëheqësi rus tha se organizatorët gënjejnë njerëzit e tyre dhe "i shtynë ata drejt vdekjes, nën zjarr, për të qëlluar njerëzit e tyre", duke iu referuar luftëtarëve të Wagner-it për sulmin në qytetin jugor të Rostovit, të cilin ata e pushtuan përkohësisht në rrugën e tyre drejt Moskës.

Putini ftoi ushtarët e Wagner-it dhe komandantët e tyre, të cilët ai i quajti "patriotë", të bashkohen me ushtrinë duke nënshkruar kontrata me Ministrinë ruse të Mbrojtjes ose me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Ai gjithashtu u dha atyre mundësinë të ktheheshin te familjet dhe miqtë e tyre nëse dëshironin ose të transferoheshin në Bjellorusi.

Udhëheqësi rus nuk përmendi shefin e Wagner-it, Yevgeny Prigozhinin, i cili udhëhoqi revoltën. Megjithatë, ai tha se organizatorët e këtij rebelimi tradhtuan "vendin , popullin e tyre, tradhtuan ata që u tërhoqën në krim".

Ai tha gjithashtu se përmes kësaj revolte, organizatorët u dhanë armiqve rusë atë që dëshironin - "që ushtarët rusë të vrisnin njëri-tjetrin, në mënyrë që personeli ushtarak dhe civilët të vriteshin, që në fund Rusia të humbiste ... të mbytet në një përleshje të përgjakshme civile".

Putini tha gjithashtu se ai kishte lënë qëllimisht rebelimin 24-orësh të së shtunës nga milicia e Wagner-it të vazhdonte aq gjatë për të shmangur gjakderdhjen dhe se kjo kishte përforcuar unitetin kombëtar.

“Duhej kohë, ndër të tjera, për t'u dhënë atyre që kishin bërë gabim një shans për të ardhur në vete, për të kuptuar se veprimet e tyre ishin refuzuar me vendosmëri nga shoqëria dhe se aventura në të cilën ishin përfshirë ishte tragjike dhe shkatërruese, me pasoja për Rusinë dhe për shtetin tonë”, tha ai.

Udhëheqësi i grupit mercenar Wagner mbrojti kryengritjen e tij jetëshkurtër në një deklaratë në audio plot mburrje të hënën, ndërsa Kremlini u përpoq të projektonte stabilitet, me autoritetet që publikuan një video të ministrit rus të Mbrojtjes duke rishikuar trupat në Ukrainë.

Yevgeny Prigozhin tha se ai nuk po kërkonte të organizonte një grusht shteti, por po vepronte për të parandaluar shkatërrimin e Wagner-it, kompanisë së tij private ushtarake. "Ne e filluam marshimin tonë për shkak të një padrejtësie," tha ai në një deklaratë 11-minutëshe, duke mos dhënë detaje se ku ndodhej apo cilat ishin planet e tij.

Mosmarrëveshja midis udhëheqësit të Grupit Wagner dhe ushtrisë ruse ka qënë e acaruar gjatë gjithë luftës, duke shpërthyer në një kryengritje gjatë fundjavës kur mercenarët u larguan nga Ukraina për të pushtuar një seli ushtarake në një qytet jugor rus. Ata marshuan në dukje të pakundërshtuar për qindra milje drejt Moskës përpara se të ktheheshin pas më pak se 24 orësh të shtunën.

Kremlini tha se kishte bërë një marrëveshje që Prigozhini të transferohej në Bjellorusi dhe të merrte amnisti, së bashku me ushtarët e tij. Nuk kishte asnjë konfirmim për vendndodhjen e tij të hënën, megjithëse një kanal i njohur rus i lajmeve në Telegram raportoi se ai ishte në një hotel në kryeqytetin bjellorus, Minsk.

Prigozhini u tall me ushtrinë ruse të hënën, duke e quajtur marshimin e tij një "klasë master" të asaj sesi duhej të ishte kryer pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ai gjithashtu u tall me ushtrinë që dështoi të mbronte vendi, duke vënë në dukje shkeljet e sigurisë që lejuan Wagnerin të marshonte 780 kilometra drejt Moskës pa u përballur me asnjë rezistencë.

Deklarata me mburrje nuk e bëri të qartë se çfarë do të ndodhte përfundimisht me Prigozhinin dhe forcat e tij sipas marrëveshjes së supozuar të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko.

Prigozhini tha vetëm se Lukashenko "propozoi gjetjen e zgjidhjeve që kompania private ushtarake Wagner të vazhdojë punën e saj në një juridiksion të ligjshëm". Kjo sugjeron se Prigozhini mund të mbante forcën e tij ushtarake, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë se cilit juridiksion i referohej.

Gazeta e pavarur ruse e lajmeve Vyorstka pohoi se ndërtimi i një kampi fushor për deri në 8,000 trupa të Wagnerit ishte duke u ngritur në një zonë të Bjellorusisë rreth 200 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën.

Raportimi nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur. Grupi i monitorimit ushtarak bjellorus Belaruski Hajun tha të hënën në Telegram se nuk kishte parë asnjë aktivitet në atë zonë dhe nuk kishte tregues për autokolona të Wagnerit në lëvizje drejt Bjellorusisë apo në Bjellorusi.

Megjithëse rebelimi ishte i shkurtër, ai nuk ishte pa gjakderdhje. Mediat ruse raportuan se disa helikopterë ushtarakë dhe një aeroplan komunikimi u rrëzuan nga forcat Wagner, duke vrarë të paktën 15 persona. Prigozhini shprehu keqardhjen për sulmin e avionit, por tha se ata po bombardonin forcat e tij.

Mediat ruse raportuan se një çështje penale kundër Prigozhinit nuk është mbyllur, pavarësisht deklaratave të mëparshme të Kremlinit, dhe disa ligjvënës rusë kanë kërkuan kokën e tij.

Andrei Gurulev, një gjeneral në pension dhe ligjvënës aktual, i cili ka pasur grindje me udhëheqësin mercenar, tha se Prigozhini dhe krahu i tij i djathtë Dmitry Utkin meritojnë nga "një plumb në kokë".

Nikita Yurefev, një anëtar i këshillit të qytetit në Shën Petersburgut, tha se ai paraqiti një kërkesë zyrtare në Prokurorinë e Përgjithshme të Rusisë dhe Shërbimin Federal të Sigurisë, duke pyetur se kush do të dënohej për rebelimin, duke pasur parasysh se presidenti rus Vladimir Putin u zotua në një fjalim në mëngjesin e së shtunës për të ndëshkuar ata që qëndrojnë pas saj.

Ishte e paqartë se cilat burime mund të përdorë Prigozhini dhe sa qasje mund të ketë ai tek pasuria e tij e konsiderueshme. Sipas raporteve të mediave ruse të konfirmuara nga bosi i Wagner, policia gjeti 48 milionë dollarë në kamionë jashtë ndërtesës ndërsa kontrolloi zyrën e tij në Shën Petersburg në mes të rebelimit.

Mediat ruse raportuan se zyrat e Wagnerit në disa qytete ruse ishin rihapur të hënën dhe kompania kishte rifilluar regjistrimin e rekrutëve.

Kryebashkiaku i Moskës njoftoi fundin e "regjimit kundër terrorizmit" të vendosur në kryeqytet të shtunën, kur trupat dhe automjetet e blinduara ngritën postblloqe në periferi dhe autoritetet bllokuan rrugët që të çonin në qytet.

Ministria e Mbrojtjes publikoi videon e shefit të mbrojtjes Sergei Shoigu në një helikopter dhe më pas takimin me oficerët në një seli ushtarake në Ukrainë. Është e paqartë se kur u xhirua videoja. Ajo erdhi ndërsa mediat ruse spekuluan se Shoigu dhe udhëheqës të tjerë ushtarakë kishin humbur besimin e Putinit dhe mund të zëvendësohen.

Përpara kryengritjes, Prigozhini kishte sulmuar ministrin Shoigu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralin Valery Gerasimov, me fyerje për muaj të tërë, duke i akuzuar ata se nuk kishin siguruar trupat e tij me municion të mjaftueshëm gjatë luftës për qytetin ukrainas të Bakhmutit, lufta më e gjatë dhe më e përgjakshme e betejës.

Deklarata e Prigozhinit duket se konfirmon pikëpamjen e analistëve se revolta ishte një lëvizje e dëshpëruar për të shpëtuar Wagnerin nga shpërbërja pas një urdhri që të gjitha kompanitë private ushtarake të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes deri më 1 korrik.

Prigozhini tha se shumica e luftëtarëve të tij refuzuan të viheshin nën komandën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe forca planifikoi të dorëzonte pajisjet ushtarake që po përdorte në Ukrainë më 30 qershor pasi u tërhoq nga Ukraina dhe u grumbullua në qytetin jugor rus të Rostov-on- Donit. Ai akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se kishte sulmuar kampin e Wagnerit, duke i shtyrë ata të lëviznin më shpejt.

Analistja politike ruse Tatiana Stanovaya tha në Twitter se rebelimi i Prigozhinit "nuk ishte një përpjekje për pushtet apo një përpjekje për të marrë Kremlinin", por një lëvizje e dëshpëruar mes përshkallëzimit të përçarjes me udhëheqjen ushtarake ruse.

Ndërsa Prigozhini mund të dilte i gjallë nga kriza, ai nuk ka një të ardhme politike në Rusi nën Putinin, tha analistja Stanovaya.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha të hënën se Ukraina kishte "bërë përparime" rreth Bakhmutit. Forcat ukrainase pretenduan se kishin rimarrë fshatin Rivnopil, në juglindje të Ukrainës ku ka pasur luftime të ashpra.

Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e disa aleatëve evropianë të Ukrainës diskutuan ngjarjet në Rusi gjatë fundjavës, por zyrtarët perëndimorë kanë qenë të heshtur në komentet e tyre publike.

Presidenti Biden tha të hënën se SHBA dhe NATO nuk ishin të përfshirë në kryengritjen jetëshkurtër. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Biden shpjegoi se ishte i kujdesshëm për të folur publikisht, sepse nuk donte t'i jepte "Putinit asnjë justifikim për të fajësuar Perëndimin apo NATO-n për këtë ngjarje".

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u pajtua të hënën se "ngjarjet e fundjavës janë një çështje e brendshme ruse".

Dhe ministri i jashtëm rus Sergey Lavrov tha se ambasadorja e SHBA Lynne Tracy kishte kontaktuar përfaqësuesit rusë të shtunën për të theksuar se SHBA nuk ishte e përfshirë në kryengritje.

Ngjarjet tregojnë se lufta po “përçan sistemin politik të Rusisë”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Përbindëshi që Putini krijoi me Wagnerin, po e kafshon tani”, zoti tha Borrell. “Përbindëshi po vepron kundër krijuesit të tij”.

XS
SM
MD
LG