Lidhje

Pavarësisht tensioneve, Izraeli vazhdon furnizimin me ujë të Jordanisë


Megjithëse tensionet politike midis Izraelit dhe Jordanisë janë në rritje, dy vendet po vazhdojnë zbatimit e marrëveshjeve të ndërsjella për ujin dhe energjinë diellore. Izraeli po ndërton një tubacion të ri që do të dyfishojë sasinë e furnizimeve me ujë të Jordanisë, vendit me mungesa uji të pijshëm.

Pavarësisht tensioneve, Izraeli vazhdon furnizimin me ujë të Jordanisë  
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Në këto fusha në veri të Izraelit, Ujësjellësi Kombëtar “Mekorot”, po vendos një tubacion të ri që do të dyfishojë furnizimet me ujë të Izraelit për Jordaninë.

Projekti është pjesë e një marrëveshjeje trepalëshe e quajtur “e ardhmja blu dhe gjelbër”, në bazë të së cilës Izraeli është pajtuar t’i shesë Jordanisë 200 milionë metra kub ujë në vit, me çmimin e prodhimit, ndërsa Jordania do t’i sigurojë Izraelit energji diellore.

Megjithëse kjo përmbush vetëm një sasi të vogël të nevojave energjetike të Izraelit, zyrtarët thonë se marrëveshja ka rëndësi simbolike.

Impiantet diellore në Jordani do të financohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Tubacioni i ri është pjesë e një projekti për të rinovuar furnizuesin e vjetër me ujë, i ndërtuar nga tubacione çimentoje në vitet 1960.

“Projekti parasheh një linjë të re uji nga ujësjellësi qendror drejt Jordanisë. Tani po vendosim tubacionin. Projekti përfundon brenda një viti dhe kushton rreth 4.1 milionë dollarë”, thotë Tal Golbary, menaxher i projektit.

Izraeli ka ndërtuar pesë impiante për filtrimin e ujit nga kripa në brigjet e tij në Mesdhe, duke përmbushur shumë nga nevojat e veta për ujë dhe duke prodhuar një tepricë që mund të shitet.

Jordania, në anën tjetër, po përballet me një mungesë në rritje të ujit të pijshëm.

“Është një vend në mes të shkretëtirës. Ata kanë vetëm një rrugëdalje në det, Detin e Kuq, në skajin jugur të vendit. Janë në një situatë të vështirë. Ngrohja globale dhe ndryshimet klimatike po i godasin rëndë. Për aq kohë sa të mundemi do ta furnizojmë Jordaninë me ujë”, thotë Lior Gutnam nga ujësjelli kombëtar izraelit.

Ndërkohë, tensionet politike midis Izraelit dhe Jordanisë janë rritur që kur qeveria e re e vijës së ashpër, e kryesuar nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, erdhi në pushtet, e sidomos pas bastisjes së policisë izraelite në xhaminë “Al Aqsa” gjatë muajit të Ramazanit.

Demonstrues në Jordani i kërkuan vendit të ndërpresë lidhjet me Izraelin.

Zyrtarët izraelitë thonë se pavarësisht tensioneve, marrëveshjet për ujin dhe energjinë diellore janë të qëndrueshme.

“Nuk shohim ndonjë rënie apo problem. Ky është një projekt që po vazhdon ”, thotë Ran Peleg nga ministria e Jashtme izraelite.

Ai thotë se marrëveshja për ujin mund të shërbejë si model për thellimin e lidhjeve të Izraelit me shtetet e tjera të Lindjes së Mesme, të cilat gjithashtu përballen me mungesa uji.

XS
SM
MD
LG