Lidhje

Fentanili, një sfidë e madhe për forcat e zbatimit të ligjit në SHBA


Opioid Crisis
Opioid Crisis

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në Amerikë janë opioidet sintetike, kryesisht fentanili, i cili mund të jetë deri në 50 herë më i fortë se heroina. Organet e zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara thonë se fentanili i paligjshëm prodhohet me çmim të ulët nga kimikatet që vijnë kryesisht nga Kina, trafikohen përmes Meksikës dhe më pas futen kontrabandë në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, i hedh një vështrim sfidave që fentanili paraqet në shtetin e Uashingtonit dhe mënyrën se si po reagojnë organet e zbatimit të ligjit në SHBA.

Fentanili, një sfidë e madhe për forcat e zbatimit të ligjit në SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:48 0:00

Armë automatike të modifikuara ilegalisht, qindra mijëra dollarë para në dorë dhe 27 kilogramë fentanil u sekuestruan në një apartament në Siatëll, në kuadër të një operacioni mbarëkombëtar të forcave të zbatimit të ligjit kundër opioideve sintetike.

Jacob Galvan, një agjent special i Agjencisë Amerikane kundër Drogës në Siatëll, thotë se fentanili është vdekjeprurës madje edhe në doza tepër të vogla.

“Kjo sasi është sa maja e një lapsi. Pra, kjo dozë fentanili prej 2 miligramësh është vdekjeprurëse”, thotë ai.

Agjenti kryesor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare për hetimet në Siatëll, Robert Hammer, thotë se droga e kapur këtu erdhi nga Meksika përmes shtetit jugperëndimor të Arizonës.

"Shumë nga substancat e lidhura me fentanilin, substancat ngjitëse, presat dhe ngjyrat vijnë nga Kina", thotë ai.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning thotë se nuk ka trafik ilegal të fentanilit midis Kinës dhe Meksikës.

“Të dy vendet kanë kanale të mira komunikimi mes agjencive që merren me luftën kundër narkotikëve dhe departamenteve përkatëse përgjegjëse për këtë çështje. Kina nuk ka marrë asnjë njoftim nga Meksika për sekuestrim të përbërësve ose pajisjeve të prodhimit të fentanilit, të ardhura nga Kina”, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme kineze Mao Ning.

Shtëpia e Bardhë thotë se po krijon një koalicion global për të “parandaluar prodhimin e paligjshëm të drogës, për të zbuluar kërcënimet e reja të drogës, për të penguar trafikimin, financimin e paligjshëm dhe ndikimin negativ të drogave ndaj shëndetit publik”.

“Ne po dyfishojmë përpjekjet për të frenuar trafikimin e drogave sintetike, të cilat kanë shkaktuar shumë viktima në Amerikë dhe Kanada. Duke forcuar punën tonë së bashku në dialogun mbi drogën në Amerikën e Veriut me Meksikën dhe duke ndërtuar një koalicion të ri global kundër opioideve sintetike, ne po punojmë që këto droga vdekjeprurëse si fentanili të eliminohen nga komunitetet tona", tha Presidenti Biden.

Zoti Galvan thotë se në tregun e paligjshëm të fentanilit janë shfaqur edhe substanca të rreme, që ngjajnë me ato të fentanilit legjitim. Të tjerat janë lyer me ngjyra ylberi për t'i bërë ato më tërheqëse për klientët më të rinj në mediat sociale.

“Ata përdorin simbole në vend të fjalëve për identifikimin e tyre në mediat sociale. Nuk është e nevojshme të komunikojnë me fjalë me askënd. Bisedat mund të jenë thjesht një seri simbolesh që përfaqësojnë gjithçka, çmimin dhe vendin e takimit", thotë ai.

Zoti Galvan thotë se kartelet e drogës nuk shohin asnjë problem me shitjen e fentanilit që mund të shkaktojë vdekjen e klientëve të tyre, sepse tregu në mediat sociale është aq i madh sa ata mendojnë se ai vlen të rrezikohet.

XS
SM
MD
LG