Lidhje

Republikanët kritikojnë marrëveshjen e prokurorit me Hunter Biden-in


Djali i Presidentit amerikan Joe Biden Hunter Biden, ka arritur një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë për t'u deklaruar fajtor për dy akuza federale që lidhen me mospagesën në kohë të taksave nga ana e tij, në vitin 2017 dhe 2018. Po kështu 53 vjeçari do të deklarohet fajtor edhe për zotërimin e një armë gjatë kohës që ishte përdorues droge.

Sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, Departamenti i Drejtësisë ra dakord të mos ngrinte akuza ndaj zotit Biden lidhur me blerjen e një pistolete në vitin 2018, kohë gjatë së cilës ai ishte përdorues droge ndërsa në dokumentin që shoqëronte blerjen e armës ai pretendonte të kundërtën.

Sipas marrëveshjes Hunter Biden-i duhet të mos përdorë drogë për dy vjet dhe të mos zotërojë më kurrë një armë zjarri.

Falë këtyre marrëveshje zoti Biden nuk ka gjasa të dënohet me burg. Ai do të lirohet me kusht, kohë gjatë së cilës do të mbahet nën vëzhgim nga autoritetet.

Hetimet ndaj Hunter Biden-it u kryen nga David Weiss, kryeprokuror i shtetit të Dellauerit, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump, dhe u mbajt në detyrë edhe pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden-it, me synimin për të vazhduar të trajtojë këtë çështje me ndjeshmëri politike.

Në një deklaratë, avokati i Hunter Biden-it, Christopher Clark tha se “me arritjen e këtyre dy marrëveshjeve mes klientit të tij dhe zyrës së Prokurorit të Dellauerit, hetimi pesëvjeçar ndaj Hunter Biden-it ka përfunduar”.

Por më vonë prokurori Weiss tha se hetimi ishte "në vazhdim".

Marrëveshjet tashmë duhet të miratohet nga një gjykatës federal. Hunter Biden pritet të paraqitet së shpejti në një gjykatë federale në Dellauer, e të pranojë fajësinë lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij. Nëse nuk do të ketë ndërlikime të minutës së fundit, gjasat janë që ai të mos dënohet me burg.

"Presidenti dhe Zonja e Parë e duan djalin e tyre dhe e mbështesin atë ndërsa ai bën përpjekje të rindërtojë jetën e tij. Nuk do të kemi asnjë koment të mëtejshëm", thuhej në një deklaratë të zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams.

Zoti Trump dhe republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë përpjekur prej kohësh të gjejnë lidhje mes marrëveshjeve të biznesit jashtë vendit të Hunter Biden-it si në Ukrainë ashtu edhe në Kinë, me aktivitete të paligjshme financiare që dyshohet të kete kryer familja Biden.

Ligjvënësi James Comer, i cili ka udhëhequr një hetim mbi financat e familjes Biden, sulmoi marrëveshjen e arritur mes prokurorit Weiss dhe Hunter Biden-it.

"Hunter Biden po ia hedh me një dënim të lehtë kur provat në rritje të zbuluara nga Komisioni i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve zbulojnë se familja Biden është përfshirë në një model korrupsioni, tregtie duke përdorur ndikimin që ata kanë, e ndoshta ryshfeti", tha ai.

Republikanët kanë pretenduar se Hunter Biden-i arriti të siguronte marrëveshje biznesi fitimprurëse jashtë vendit vetëm për shkak të pozitës së babait të tij, fillimisht nënpresident e më pas president.

Puna që Hunter Biden-i kreu për kompaninë ukrainase të energjisë ‘Burisma’ nga viti 2014 deri në 2019, për të cilën mediat amerikane thonë se paguhej me dhjetëra mijëra dollarë në muaj, luajti një rol në akuzat e para që u ngritën në Kongres për shkarkimin e Presidentit të atëhershëm Donald Trump.

Në korrik të vitit 2019, ndërsa po qartësohej se Joe Biden do të ishte po kundërshtari i mundshëm democrat për garën për president, zoti Trump i kërkoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy të "shqyrtonte" aktivitetet e biznesit dhe ato politike të Joe dhe Hunter Biden-it në Ukrainë. Një javë para telefonatës, zoti Trump kishte bllokuar miliona dollarë në ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza për shkarkimin e zotit Trump lidhur me telefonatën, por Senati i hodhi poshtë duke e shpallur atë të pafajshëm.

Të martën, pas publikimit të marrëveshjes mes prokurorit dhe Hunter Biden-it, zoti Trump tha se Departamenti i Drejtësisë i kishte dënuar me atë thjesht me një gjobë ngjashëm me ato që merr për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

XS
SM
MD
LG