Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim mbështeti veprimet që autoritetet vendase ndërmorrën gjatë ditës së djeshme në Kampin Ashraf 3 ku strehohen Muxhahedinët e popullit iranian. Ajo deklaroi se mysafirët e një vendi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara. Palët u përfshinë në përplasje, pasi policia, në zbatim të një vendimi gjykate, hyri në mjediset e kampit për të ushtruar kontroll në mjediset e tij. Komentet e sotme, ambasadorja Kim i bëri në një dalje për mediat në fund të mandatit të saj në Tiranë, për të paraqitur një bilanc të arritjeve gjatë misionit të saj diplomatik.
Të njohur si disidentët e regjimit të Iranit, muxhahedinët, lëshuan dje akuza të ashpra ndaj policisë shqiptare se kishte ushtruar dhunë ndaj tyre, madje kërkuan publikisht që Shtetet e Bashkuara t’i dënonin veprimet e autoriteteve shqiptare.
Autoritetet shqiptaremohuan kategorikisht akuzat, duke u kujtuar anëtarëve të MEK-ut, se policia kishte vepruar për ekzekutimin e një vendimi të Gjykatës së Posaçme, pas dyshimeve që Prokuroria kishte për aktivitetete kibernetike që kryeheshin brenda kampit, në dëm të të vendeve të treta.
Sot ambasadorja amerikane Yuri Kim, nuk la vend për mëdyshje në qëndrimin mbi situatën e krijuar: “Një gjë është e qartë, mbështesim të drejtën e Shqipërisë, për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu terma të caktuar që zbatohen për çdo lloj mysafiri, dhe këta mysafirë duhet t’i respektojnë ato”.
Zonja Kim ishte në një dalje para mediave, ndërsa misioni i saj diplomatik në Shqipëri po përmbyllet. Kur në janar të vitit 2020, mbërriti në Tiranë, ajo deklaroi se përparësia e saj do të ishin tre fusha: demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Pas gati 3 vjet e gjysëm, ambasadorja Kim thotë se ndjehet krenare për progresin dhe hapat e mëdhenj që janë bërë për të çuar përpara partneritetin mes dy vendeve: “Shqipëria ka ndërmarrë reforma të vështira, vecanërisht në fushën e Drejtësisë, të cilat i dhanë mundësinë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Reforma në Drejtësi nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo po jep rezultate”.
Në fushën e mbrojtjes, ambasadorja Kim shprehet se bashkëpunimi ka arritur nivele të reja. Ndërsa vuri në dukje stërvitjet e mëdha të ushtrisë amerikane Defender 21 dhe Defender 23, ambasadorja Kim nënvizoi se “për herë të parë në histori ushtria amerikane po mban një prani të vazhdueshme në Shqipëri. Në vitin 2022 forcat speciale të SHBA në Europë ngritën në Shqipëri selinë rajonale të Task Forcës për Ballkanin dhe Ushtria e SHBA-ve në Europë vendosi një Brigade të forcave ndihmëse të sigurisë këtu në Shqipëri”.
Në fushën ekonomike ajo kujtoi memorandumin e bashkëpunimit ekonomike të firmosur në tetor të vitit 2020, i cili sic vuri në dukje, i hapi rrugën investimeve në fushën e energjisë. Ambasadorja Kim foli për një rritje të investimeve direkte amerikane apo shumëfishimin e eksporteve shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara. “Jam besimplotë se investimet e SHBA do të vijojnë të rriten ndërsa Shqipëria modernizon dhe përmirëson rregullat dhe procedurat për biznesin, zgjidh kërkesat dhe zbaton të drejtat e pronës, dhe ç’rrënjos korrupsionin nga Gjykatat e Shqipërisë”, u shpreh ajo duke shtuar se "Çështja e Reformës në Drejtësi, c’rrënjosja e korrupsionit, nuk është një çështje morali personal, por një çështje që lidhet me forcimin dhe begatinë kombëtare, dhe Shtetet e Basjhkuara duan që Shqipëria të jetë një vend i pasur".