Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë miratoi të premten vendimin që e detyron televizionin kombëtar Klan Kosova që brenda 30 ditësh të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës.
Vendimi u mor dy ditë pasi qeveria e Kosovës vendosi t’i pezullojë certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, njoftoi se ka nisur kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.
Kryetari Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, tha se ky kallëzim penal ka vënë në mëdyshje ligjshmërinë e regjistrimit të këtij biznesi.
“Dështimi për të vepruar në pajtim me këtë rregullore brenda afatit të përcaktuar me këtë vendim do të rezultojë me masa sanksionuese të përcaktuara në nenin 30 të ligjit të KPM-së”, tha zoti Mehmeti.
Ligji i KPM-së parasheh disa lloj sanksionesh nga gjoba në vlerë prej një mijë deri në 100 mijë euro, pezullimi i një pjese ose gjithë programit për një periudhë të caktuar kohore, ndryshimi i programit, ndryshimi i kushteve të licencës e deri të ndërprerja apo refuzimi i vazhdimit të licencës së transmetuesit.
Zoti Mehmeti tha se rregullorja e Komisionit të Pavarur të Mediave për dhënien e licencave përfshin disa kushte dhe i pari është që kompania private duhet të jetë ligjërisht e regjistruar në Republikën e Kosovës.
“Për më tepër kemi edhe rregulloren për kushtet dhe termet e dhënies së licencës e cila thotë se informacionet që të licencuarit obligohen t’i ofrojnë KPM-së mes tjerash janë ndryshimet e pronarëve të kompanisë që ka licencë në KPM, identifikimi i pronarëve që zotërojnë më shumë se dhjetë për qind të aksioneve, të dhënat mbi menaxhmentin kryesor dhe ajo që është me rëndësi i licencuari nuk mund të bartë licencën të dikush tjetër pa miratim të KPM-së”, tha ai.
Punonjësit e televizionit Klan Kosova janë shfaqur në ekran e në rrjete sociale me gojë të mbyllura gjatë ditëve të fundit në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë. Udhëheqësit e tij thanë se nuk kanë pasur asnjë kontakt as mundësi të japin shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online”.
Disa kanale televizive në Kosovë vunë në ekrane logon e Klan Kosovës në shenjë solidariteti, ndërsa ekspertë e përfaqësues mediesh e organizatash të gazetarëve dhe diplomatë perëndimorë e cilësojnë të kundërligjshëm dhe shqetësues vendimin e qeverisë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka arsyetuar të enjten vendimin duke thënë se dokumentacioni me adresë të rreme është veprim shumë i rëndë përpara ligjit e Kushtetutës, por tha se qeveria nuk hap as nuk mbyll media.
Flutura Kusari, juriste e medias, i tha Zërit të Amerikës se vendimi i qeverisë është me bazë të gabuar ligjore dhe paraqet ndërhyrje flagrante në lirinë e medias.
“Ajo që duhet të ndodhë tani është që të sigurohemi që Komisioni i Pavarur për Media, në të cilin unë kam besim, të mos vazhdojë tutje këtë çmenduri nga ana e ministrisë dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim i cili do të jetë në disfavor të Klan Kosovës. Vendimi të cilin e kam analizuar është me bazë të gabuar ligjore, pa justifikim, i marrë nga drejtoria që as nuk është përgjegjëse për të suspenduar certifikatën e biznesit”, tha ajo.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se në aspektin ligjor ky vendim është i parakohshëm, paragjykues dhe i kundërligjshëm.
“Ligji i aplikueshëm në Kosovë nuk njeh pezullimin e licencave në situata të tilla, e kur kësaj i shtohet fakti se pjesë e shoqërisë aksionare të cilës i pezullohet licenca është edhe një medium televiziv, atëherë kjo çështje del jashtë kompetencave dhe kapacitetit ligjor të MINT-it, duke marrë kompetenca dhe përgjegjësi të një autoriteti kushtetues sic është Komisioni i Pavarur për Media”, tha zoti Miftaraj.
Drejtoria e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tha të mërkurën se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”, duke shtuar se “nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka arsyetuar të enjten vendimin duke thënë se dokumentacioni me adresë të rreme është veprim shumë i rëndë përpara ligjit e Kushtetutës.
“Siç e dini Agjencia për Regjistrim të Bizneseve trajton vetëm rastin e kompanisë si biznes, çështjet e medias si të tilla trajtohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe as ministria e as qeveria nuk hap as nuk mbyll media”, tha ajo.
Por zoti Miftaraj tha se pezullimi i një certifikate në këtë mënyrë, pa u gjykuar nga një gjykatë kompetente mund të ketë pasoja të parikuperueshme.
“Andaj, edhe në rastin konkret ka tejkalim të ligjit dhe procedurës duke u konsideruar vendimi i tillë si arbitrar dhe i drejtuar kundër lirisë së shprehjes dhe lirisë së mendimit, me këtë edhe kundër parimeve të demokracisë si një ndër themelet bazë të Kushtetutës së Kosovës”, thotë zoti Miftaraj.
Pezullimi i certifikatës së televizionit Klan Kosova, që pasoi një shkrim në portalin Kosovaneës rreth kësaj çështjeje, ka nxitur reagime të ashpra.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka cilësuar këtë si veprim të pashembullt në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të televizionit.
Federata Evropiane e Gazetarëve ka vlerësuar se me këtë veprim qeveria e Kosovës po shkel standardet evropiane të lirisë së mediave. “Ky akt arbitrar e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare që ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian, thuhet në reagimin e tyre.
Ambasadorët e Britanisë dhe Gjermanisë në Kosovë, thanë të premten se po ndjekin nga afër zhvillimet rreth këtij vendimi ndërsa iu bashkuan shqetësimeve të organizatave që mbrojnë lirinë e medias.
“Po shoh shqetësimin e përhapur në shoqërinë civile dhe kërkoj nga institucionet përkatëse që të mendojnë me shumë kujdes për çdo masë të mëtejshme si pasojë e kësaj, dhe të marrin parasysh implikimet më të gjera për lirinë e mediave në Kosovë”, shkroi ambasadori britanik Nicholas Abott.
“Procedurat që po vazhdojnë duhet të jenë të drejta dhe të mos kërcënojnë rritjen mbresëlënëse që ka shënuar Kosova së fundmi në renditjen globale të lirisë së medias”, shkroi ambasadori gjerman Jorn Rhode.