Lidhje

OKB e shqetësuar rreth situatës së sigurisë në centralin bërthamor në Zaporizhzhia


Ukraine Russia Nuclear Plant
Ukraine Russia Nuclear Plant

Kreu i OKB-së për çështjet bërthamore vizitoi të enjten centralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën jugore, ku shpërthimi i digës në lumin Dnipro dhe fillimi i kundërofensivës nga trupat ukrainase kanë rritur rreziqet e sigurisë.

Vizita u njoftua nga kompania kombëtare e energjisë bërthamore të Ukrainës, “Energoatom”, në një postim në Telegram.

Rafael Mariano Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, u takua të martën në Kiev me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy për të diskutuar shqetësimet rreth sigurisë në centralin bërthamor në Zaporizhzhia, që kontrollohet nga Rusia.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka ngritur vazhdimisht alarmin për objektin, i cili është një nga 10 centralet më të mëdha në botë, mes frikës për një katastrofë të mundshme bërthamore. Agjencia ka zyrtarë të dislokuar në centralin bërthamor në Zaporizhzhia, i cili ende drejtohet nga personeli ukrainas.

Centrali bërthamor është rrezikuar vazhdimisht nga luftimet mes forcave ruse dhe atyre ukrainase, që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe e mori menjëherë nën kontroll objektin bërthamor.

Javën e kaluar, shkatërrimi i digës Kakhovka në rajonin e Khersonit në Ukrainën jugore, pjesërisht të pushtuar nga Rusia, shkaktoi shqetësime të reja mbi funksionimin e centralit bërthamor. Diga e lumit Dnieper, ndihmoi në mbajtjen e ujit në një rezervuar që ftoh reaktorët e centralit bërthamor.

Gjashtë reaktorët e termocentralit janë mbyllur prej muajsh, por ai ende ka nevojë për energji elektrike dhe personel të kualifikuar për të operuar sistemet thelbësore të ftohjes dhe funksionet e tjera të sigurisë.

Ukraina kohët e fundit tha se shpresonte ta mbyllte reaktorin e fundit funksional përmes një procesi të posaçëm të ftohjes së bërthamës së tij.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha të enjten se në zonat e vijës së frontit, me një gjatësi prej 1000 kilometrash, në Ukrainë janë zhvilluar "luftime të ashpra" që nga fillimi i ofensivës së Kievit. Në këtë ofensivë, ushtria ukrainase është duke përdorur armë të furnizuara nga Perëndimi.

Zoti Stoltenberg tha se forcat ukrainase “po bëjnë përparim”. Megjithatë, analistët perëndimorë dhe zyrtarët ushtarakë kanë paralajmëruar se fushata për të dëbuar forcat e Kremlinit nga Ukraina mund të zgjasë shumë.

Ukraina deri më tani ka "testuar" mbrojtjen ruse, në përpjekje për të gjetur dobësi, tha këshilltari i presidentit Zelensky, Mykhailo Podolyak.

"Ne nuk e kemi filluar ende kundërofensivën në shkallë të gjërë", tha ai.

Ai vuri në dukje se trupat ukrainase po nisnin sulme të njëkohshme në shumë drejtime, në përpjekje për të shkaktuar panik në mesin e trupave ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ndërkohë, tha se ushtria e saj përdori raketa me rreze të gjatë veprimi për të goditur fabrikat e prodhimit të dronëve në Ukrainë. Ministria ruse e mbrotjes pretendoi se të gjitha objektivat ishin goditur, por nuk dha hollësi mbi vendndodhjen e tyre.

XS
SM
MD
LG