Lidhje

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi me shqetësim pas njoftimit se qeveria i ka pezulluar certifikatën e biznesit televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar këtë si veprim të pashembullt në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të televizionit,

Reagimi i Asociacionit pasoi njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për nisjen e kallëzimit penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA”, zyrtarëve përgjegjës të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ministria tha se ka vendosur “të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova” deri në një vendim tjetër”

Drejtoria e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tha se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Më tej në vendim thuhet se “...nuk lejohet regjistrimi i një biznesi ku vendbanimi është në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pasi që në bazë të këtij dokumenti vërtetohet se qyteti i Pejës dhe Gjakovës është nën administrimin e Republikës së Serbisë...”.

Vendimi i ministrisë pasoi një shkrim në portalin Kosovanews rreth kësaj çështjeje.

Klan Kosova shprehu shqetësimin me vendimin e ministrisë, të cilin sic thuhet në një komunikatë, e mori rreth orës 18 të së mërkurës. Më tej thuhet se

Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime dhe as nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur me pretendimet e ministrisë, “të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë”.

Derisa nuk marrim njoftime të tjera, thuhet në komunikatë, “ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shkroi se “është thellësisht i tronditur me njoftimin për pezullimin e licencës së biznesit të televizionit kombëtar privat, Klan Kosova, përmes një vendimi të paargumentuar, pa specifikim të bazës ligjore dhe pa paralajmërim”.

Në një postim në rrjetet sociale, thuhet se Asociacioni “e konsideron veprimin e qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si të paprecedentë në historinë e re të Kosovës, dhe përpjekje direkte për të diktuar dhe kontrolluar përmbajtjen mediale të Klan Kosovës. Në veçanti, ne jemi të shqetësuar me fatin e kolegëve tonë gazetarë, kameramanë dhe punëtore të tjerë të Klan Kosovës të cilët do të afektohen direkt negativisht nga ky vendim arbitrar”.

Ky vendim thuhet më tek “është marrë për të dërguar mesazh tek mediat tjera dhe është dëshmi e pakontestueshme që liria e medias dhe e shprehjes asnjëherë nuk ka qenë më në rrezik se sa aktualisht”.

“Kosova në zi”, shkroi Ricardo Gutiérrez, sekretar i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve.

“Tërheqja e certifikatës së biznesit të një kompanie mediatike është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Sidomos kur flasim për transmetuesin kryesor privat të një vendi. Sot është një ditë e zezë për Kosovën: duke aktivizuar censurën shtetërore ndaj Klan Kosovës, qeveria e Kosovës po shkel standardet evropiane të lirisë së mediave. Ky akt arbitrar e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare që ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike të mbrojtura nga Këshilli i Evropës”, shkroi ai.

XS
SM
MD
LG