Lidhje

BE-ja e pakënaqur me planin e Kurtit për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës


Bashkimi Evropian u shpreh i pakënaqur me planin e publikuar të martën nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja në veri, pakësimin e forcave të sigurisë, dhe rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve me Serbinë në Bruksel.

Por një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha se shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell ka marrë një letër nga kryeministri Kurti, por nënvizoi se “deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap të vendosur dhe të menjëhershëm nga kryeministri Kurti, të nevojshëm për shtensionimin e situatës”.

Zëdhënësi Peter Stano në një përgjigje me shkrim dërguar Zërit të Amerikës tha se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi ende vazhdon, dhe kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

Ne i kemi diskutuar me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian një përmbledhje të masave që duhen marrë, nëse kryeministri Kurti nuk hedh hapat e duhur dhe të menjëhershëm për të ulur tensionet”, tha ai.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se "Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë qenë shumë të qartë për pritshmëritë e tyre nga të dyja palët. Këto diskutime ende vazhdojnë", sipas zëdhënësit.

Më herët gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se u ka ofruar një plan pesë pikësh diplomatëve perëndimorë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që përfshinë edhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe. Ai tha se hapi i parë është vendosja e sundimit të ligjit në veri të Kosovës, që do pasohej nga ulja e pranisë së forcave të posaçme të policisë.

Kryeministri Kurti plan për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:03 0:00

“Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e pjesëtarëve të policisë së Kosovës në tri objektet komunale në veri të vendit do të zvogëlohet në përputhje me rrethanat”, tha ai.

Tensione në veri të Mitrovicës – arrestohet një i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it

Policia e Kosovës tha të martën se arrestoi një pjesëtar të komunitetit serb nën dyshimet për organizimin e sulmeve ndaj forcave paqeruajtëse muajin e kaluar, gjatë protestave të grupeve të qytetarëve serbë kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në zyrat komunale ne veri.

Tre pjesëtarë policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë operacionit, shkroi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, sipas të cilit i arrestuari Milun Milenkoviç- Llune, është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile' dhe prijës i bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës".

Grupe qytetarësh serbë që u mblodhën në veri të Mitrovicës për të kundërshtuar arrestimin, hodhën gurë mbi pjesëtarët e policisë.

Sipas planit të kryeministrit Kurti policia e Kosovës dhe KFOR-i apo EULEX-i do të kryenin vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo pesëmbëdhjetë ditë, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë, si dhe për të mbështetur masat e sundimit të ligjit.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të koordinohet me të gjithë aktorët dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar e liberale”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se ka propozuar që Kosova dhe Serbia të rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli dhe udhëheqësit e të dy shteteve të takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.

Tensionet janë të larta që nga 26 maji prej kur grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe. Të hënën e 29 majit protestat u përshkuan me dhunë nga e cila mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

Që nga fillimi i krizës në veri diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë e posaçme të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme në zonë si dhe të ulë shkalën e gatishmërisë ushtarake të shpallur më 26 maj.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë se palët do të përballen me pasoja nëse dështojnë të përmbushin kërkesat.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të hënën në mbrëmje në një intervistë në Beograd se tashmë është ulur “shkalla e gatishmërisë”, por në afërsi të kufirit me Kosovën ka forca të mjaftueshme.

Ai tha se tani është koha që Prishtinë të fillojë me procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është edhe kërkesë e diplomatëve perëndimorë.

Javën e kaluar kryeministri shqiptar Edi Rama tha se i ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një projekt statut të asociacionit. Ai tha se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës.

Unë nuk kam dyshim që kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Edi Rama beson që propozimi i tij i draft statutit është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë draft statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të hapur, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha sot kryeministri Kurti, i cili nesër pritet të takohet me kryeministrin Rama në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG