Lidhje

Zelensky: Ukraina po bën “kundërofensivë dhe operacione mbrojtëse”


KIEV – Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën se ka filluar kundërofensiva dhe operacionet mbrojtëse kundër forcave ruse. Ai shtoi se komandantët e lartë ukrainas janë optimistë, ndërsa forcat ukrainase janë angazhuar në luftime intensive përgjatë frontit.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Kiev me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau, udhëheqësi ukrainas iu përgjigj një pyetjeje për komentet e bëra një ditë më parë nga Presidenti rus Vladimir Putin se kishte filluar kundërofensiva e Ukrainës dhe se forcat ukrainase kishin pësuar “dëme domethënëse”.

Presidenti Zelenskyy tha se “kundërofensiva, veprimet mbrojtëse po ndodhin në Ukrainë. Nuk do të flas për fazën në të cilën ndodhen”.

“Jam në kontakt çdo ditë me komandantët tanë në drejtime të ndryshme”, shtoi ai, duke përmendur emrat e pesë drejtuesve kryesorë ushtarakë të Ukrainës. “Të gjithë janë pozitivë. Kalojani këtë (mesazh) Putinit”.

Kryeministri Trudeau është udhëheqësi i parë i huaj që viziton Ukrainën që kur çarja e digës së lumit Dnieper shkaktoi përmbytje shkatërrimtare. Ai premtoi 375 milionë dollarë ndihma të reja ushtarake, të cilat i shtohen ndihmës së deritanishme prej 6 miliardë dollarësh që Kanadaja ka dhënë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022. Zoti Trudeau njoftoi edhe 7.5 milionë dollarë të tjera në formën e ndihmave humanitare pas përmbytjes.

Zoti Trudeau tha se shembja e digës ishte “një pasojë e drejpërdrejtë e luftës së Rusisë”, por ai nuk fajësoi drejtpërdrejt Moskën.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha të shtunën se po zhvilloheshin “beteja të ashpra”, me mbi 34 luftime gjatë ditës së mëparshme në pjesën industriale në lindje të vendit. Shtabi ukrainas nuk dha detaje të mëtejshme, por tha se forcat ruse po “mbronin veten” dhe se kishin filluar sulme ajrore dhe me artileri në rajonet jugore ukrainase Kherson dhe Zaporizhia.

Autoritetet e larta ukrainase nuk kanë shpallur një kundërofensivë frontale, megjithëse disa analistë perëndimorë kanë thënë se luftimet e ashpra dhe futja e forcave rezerviste sugjerojnë se kundërofensiva ka filluar tashmë. Furnizimet më të fundit me paisje ushtarake për Ukrainën me vlerë prej miliarda dollarësh, disa prej të cilave janë armatime tepër moderne, kanë shtuar pritshmëritë nga futja e tyre në përdorim dhe efikasitetin që do të kenë ndaj vijës së ngritur nga forcat ruse.

Për muaj të tërë, komandantët ukrainas në qytetin lindor Bakhmut – i cili u shkatërrua pothuajse tërërisht gjatë luftimeve që zgjatën me muaj të tërë duke u shndërruar kështu në një nga betejat më të përgjakshme të luftës – kanë përdorur gjuhën e operacioneve të kundërsulmit dhe operacioneve mbrojtëse për të përshkruar aktivitetin e atjeshëm.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha të premten se epiqendra e luftimeve ka qenë në lindje, veçanërisht në rajonin Donetsk, dhe përmendi "betejat e ashpra" në Lyman, Bakhmut, Avdiivka dhe Marinka.

Valerii Shershen, zëdhënës i forcave të armatosura të Ukrainës në Zaporizhzhia, i tha Radios Liria (Radio Liberty) se po identifikonin dobësitë në mbrojtjen e Rusisë në pjesën perëndimore të rajonit.

Kompania që administron funksionimin e termocentralit bërthamor në Zaporizhia, më i madhi në Evropë dhe i cili është pushtuar nga forcat ruse, njoftoi të enjten fikjen e reaktorit të fundit nga gjashtë reaktorët, pesë prej të cilëve kishin qenë në gjendje të fikur që më parë.

“Energoatom”, agjencia bërthamore ukrainase, tha në një deklaratë të premten vonë se nuk kishte "asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë" për centralin në Zaporizhia për shkak të çarjes së digës në Kakhovka në lumin Dnieper, që ka detyruar mijëra njerëz të largohen për shkak të përmbytjeve dhe gjithashtu ka ulur ndjeshëm nivelin e ujit në një rezervuar që përdoret për ftohjen e centralit bërthamor.

“Energoatom” tha se mbylli reaktorin e fundit për shkak të nivelit më të ulët të ujit dhe për shkak të bombardimeve pranë objektit që kanë dëmtuar linjat elektrike që lidhin termocentralin me sistemin energjitik të Ukrainës. Centrali në Zaporizhia u pushtua nga forcat ruse që në fazat e hershme të luftës, por mbahet në funksionim nga personeli ukrainas.

Njësitë energjitike të objektit nuk kanë funksionuar që nga shtatori i vitit të kaluar. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike do të vizitojë Ukrainën në ditët në vijim.

Gjithashtu të shtunën në mëngjes, autoritetet ukrainase raportuan se të paktën katër civilë kanë vdekur në të gjithë vendin pasi forcat ruse sulmuan me dronët Shahed të prodhuar nga Irani, raketa, artileri dhe mortaja.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës raportoi se 3 persona u vranë dhe më shumë se 24 u plagosën gjatë natës në një sulm ndaj portit Odesa në Detin e Zi. Një zëdhënëse e komandës operacionale jugore të Ukrainës, Natalia Humeniuk, tha se dy fëmijë dhe një grua shtatzënë ishin mes të plagosurve.

Forca ajrore ukrainase thanë se gjatë natës, kishin rrëzuar 20 nga 35 dronët Shahed dhe dy nga tetë raketat e "llojeve të ndryshme" të lëshuara nga forcat ruse.

Luftimet dhe viktimat në radhët e civilëve tërhoqën vëmendjen pasi autoritetet në Ukrainën jugore thanë se nivelet e ujit kanë ardhur në rënie në një zonë të madhe nën digën e çarë.

Gati një e treta e zonave të mbrojtura natyrore në rajonin Kherson mund të zhduken nga përmbytjet pas thyerjes së digës në Kakhovka, paralajmëroi ministri ukrainas i mjedisit të shtunën.

Drejtuesi për ndihmat humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, tha në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press të premten se një numër i jashtëzakonshëm prej 700 mijë njerëzish kanë nevojë për ujë të pijshëm.

XS
SM
MD
LG