Udhëheqës të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë theksuan të shtunën forcimin e pozitës dhe bashkëpunimit të shqiptarëve në rajon dhe thanë se integrimi në familjen euro-atlantike, është një mision për të cilin duhet punuar me përkrahjen e aleatëve perëndimorë.
Ata i bënë këto komente gjatë shënimit të 145 vjetorit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, që llogaritet si një nga ngjarjet kryesore të historisë shqiptare.
Lidhja ishte themeluar më 10 qershor të viti 1878, për t’iu kundërvënë vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Shën Stefanit, si pasojë e të cilit trojet shqiptare i merreshin perandorisë osmane për t’iu dhënë shteteve të Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha sot se e ardhmja e kombit shqiptarë do të jetë gjithnjë më e begat nëse luftohen ndasitë dhe përçarjet mes njëri tjetrit.
“Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi në familjen e madhe euro-atlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkërisht. Dhe për të mbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjik të besueshëm tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë”, tha presidenti Begaj.
Udhëheqësit e Kosovës theksuan bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtar në përmbushjen e synimeve të popullit shqiptar.
“Pra liria e Kosovës erdhi nëpërmjet luftës çlirimtare të shtetit të Kosovës, të popullit të Kosovës por edhe me përkrahjen të pa kusht të shteteve aleate të cilat edhe sot i kemi pranë nesh, e për të cilat do të jemi gjithmonë falënderues”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth Lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë evropianë e amerikanë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kosova po përballet me një nga krizat më të thella në marrëdhëniet e saj me aleatët ndërkombëtarë për shkak të situatës në veri të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkërendimit lidhur me veprimet në veri dhe paralajmëruan pasoja. Përjashtimi i Kosovës nga stërvitjet "Defender Europe 2023", ishte hapi i parë ndëshkues.
Zyrtarë evropianë nuk kanë përjashtuar mundësinë që edhe Bashkimi Evropian të vendosë ndonjë masë ndëshkuese për Kosovën në rast të mospërmbushjes së kërkesave për uljen e tensioneve ne veri.
Diplomatët perëndimorë thonë se Kosova dhe Serbia duhet t’i hapin rrugë zbatimit të marrëveshjes së arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, që nënkutpon edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Të enjten kryeministri shqiptar Edi Rama tha se i ka dorëzuar presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz një projekt statut të asociacionit. Ai tha se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës.
Nisma e kryeministrit Rama për Asociacionin u prit me qëndrime të ndara në Prishtinë, ndërsa kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca e cilësoi veprim i njëanshëm.
“Në parim mendoj që është gabim pavarësisht përmbajtjes, do të thotë një difekt në parim sepse kryeministri shqiptar nuk do të duhej të bënte veprime të tilla pa u ul me kryeministrin e Kosovës dhe pa i sqaruar të gjithë këto probleme”, tha zoti Konjufca.
Kryeministri Kurti i cili të mërkurën pritet që bashkë me kryeministri Rama të udhëheqë mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, nuk deshi të komentojë nismën.
Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha të premten se “çdo ndihmesë konstruktive në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja, në kuadër të të cilit është duke u diskutuar edhe për Asociacionin është e mirëpritur”, por çështja mund të trajtohet vetëm në kuadër të këtyre bisedimeve.