Sipas raporteve të mediave amerikane, prokurorët e Departamentit të Drejtësisë kanë një regjistrim audio të ish-presidentit Donald Trump nga një takim i mbajtur pasi ai ishte larguar nga detyra, në të cilin ai thotë se kishte në zotërim një dokument të klasifikuar të Pentagonit në lidhje me një sulm të mundshëm ndaj Iranit.
Rrjeti CNN, i cili raportoi fillimisht për regjistrimin, njofton se në të, Trumpi sugjeron që ai donte të ndante informacionin me të tjerët, por nuk mund ta bënte dot, pasi nuk mund ta deklasifikonte dokumentin, meqë nuk ishte president.
Komentet mbi regjistrimin, të bëra në korrik të vitit 2021 në klubin e tij të golfit në Bedminster, në shtetin e Nju Xhersit, duket se bien ndesh me pretendimet e përsëritura të ish-presidentit se ai i kishte deklasifikuar dokumentet që kishte marrë me vete nga Shtëpia e Bardhë në Mar-a-Lago, në Florida, pas largimit nga detyra. Regjistrimi mund të jetë gjithashtu një provë kyçe për prokurorët, që kërkojnë të vërtetojnë se Trumpi e dinte se aftësia e tij për të mbajtur dokumente të klasifikuara ishte e kufizuar.
Një zëdhënës i Trumpit tha në një deklaratë se hetimi ishte "i pabazë" dhe përbënte "ndërhyrje të vazhdueshme në zgjedhjet presidenciale".
Regjistrimi i është dhënë zyrës së prokurorit të posaçëm Jack Smith, që po heton prej disa muajsh rreth keqpërdorimit të mundshëm të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago dhe nëse Trumpi, apo dikush tjetër, është përpjekur të pengojë në mënyrë kriminale hetimet.
Hetimi penal filloi vitin e kaluar pasi Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve njoftoi FBI-në për praninë e dokumenteve të klasifikuara në 15 kuti të gjetura në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago dhe të dorëzuara me vonesë tek Arkivat.
Hetuesit fillimisht kërkuan që ish presidenti të dorëzonte gjithë dokumentat e mbetura të klasifikuara, por pasi morën vetëm rreth 36 kuti gjatë një vizite në qershor të vitit 2022 në Mar-a-Lago, u kthyen me një urdhër kërkimi dy muaj më vonë dhe gjetën edhe rreth 100 dokumente të tjera të shënuara si të klasifikuara.
Prokurori special Smith, po heton gjithashtu edhe rreth përpjekjeve të zotit Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Një hetim paralele po për këtë çështje po kryhet edhe nga prokurorët në Atlanta, të shtetit Xhorxhia. Prokurorët e Nju Jorkut e kanë akuzuar zotin Trump në fillim të këtij viti ndërkohë për falsifikim të të dhënave të biznesit.
Sipas raportimit të CNN-it, regjistrimi është bërë gjatë një takimi në Bedminster mes ndihmësve të Trumpit dhe dy personave, që po punonin për autobiografinë e ish-shefit të kabinetit të Trumpit, Mark Meadows.
Sipas CNN-it, autobiografia e zotit Meadows përfshin një përshkrim të atij që duket të jetë i njëjti takim. Një avokat i zotit Meadows nuk pranoi të komentojë të mërkurën kur u kontaktua nga agjencia Associated Press.
CNN-i tha se dëshmitarët, përfshirë gjeneralin Mark Milley, Shefin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, janë marrë në pyetje në lidhje me episodin. Një zëdhënës i gjeneralit Milley nuk pranoi të komentojë mbi njoftimet se ai ishte intervistuar.
t