Lidhje

Lumenjtë e Shqipërisë, të ndotur ose shumë të ndotur


Lumenjtë
Lumenjtë

Një studim i INSTAT zbulon se pjesa më e madhe e lumenjve të Shqipërisë janë tejet të ndotur – një problematikë që sipas ekspertëve të mjedisit është neglizhuar prej vitesh nga autoritetet dhe vazhdon të injorohet.

Lumenjtë e Shqipërisë, të ndotur ose shumë të ndotur
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Qindra tonelata mbetje të ngurta gjenden nëpër grykëderdhjet e lumenjve të Shqipërisë. Mbetjet plastike dhe ato inerte derdhen në det përmes lumenjve, duke shkaktuar një ndotje alarmante.

Por kjo është vetëm pjesa e dukshme.

Një studim i kryer nga INSTAT mbi cilësinë e ujërave të lumenjve për vitet 2014- 2021 tregon nivele të larta të ndotjes në shumicën prej tyre si dhe tejkalim të vlerave të amoniakut dhe orto-fosfateve, si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza dhe përdorimit pa kriter të pesticideve në bujqësi.

"Lumenjtë në Shqipëri janë në gjendje të cilësisë së keqe ose shumë të keqe. Kjo vjen nga një sërë faktorësh ndotës, të cilët janë faktorë urbanë. Shkarkimet e pakontrolluara të ujërave të tualeteve, lavamanëve, që kalojnë të patrajtuara në lumenj. Pjesa tjetër është ajo që e shohim, nga mostrajtimi i mbetjeve të ngurta urbane – gjithë qeset plastike, kontejnerët. Më pak janë të ndotur lumenjtë nga industria, sepse është e lokalizuar në pjesë të vogla të territorit, gjithmonë nëse i krahasojmë me lumenjtë e tjerë në Ballkan dhe në Europë”, thotë Olsi Nika, Drejtor i organizatës Eco Albania.

Sipas studimit të INSTAT, ndotja më alarmante gjendet në stacionet e lumit Ishëm, i cili klasifikohet në gjendje të keqe të kategorisë së pestë. Ishmi formohet nga bashkimi i Lumit të Tiranës dhe përrenjve Tërkuzë dhe Zezë, ndërsa ndotja përfundon në det përmes deltës në kepin e Rodonit.

Pas Ishmit, Semani klasifikohet lumi i dytë më i ndotur në Shqipëri. Kjo për shkak të degës së tij, Gjanicës, ku derdhen mbetje me origjinë nafte dhe nënprodukte të saj nga zonat naftë-nxjerrëse të Marinzë–Patosit dhe ish-uzinës së Përpunimit të Naftës në Ballsh. Prej gati 40 vitesh, ujërat e këtij lumi janë nën efektin e ndotjes së vazhdueshme, duke zhdukur çdo formë jete.

Sipas ekspertit Edi Tuka nga organizata lokale “North Green Association”, ndotja nuk është e kufizuar vetëm te këta dy lumenj.

“Të gjithë janë të ndotur, por në nivele të ndryshme. Kjo ndotje vjen nga mbetjet e ngurta urbane, por edhe papërgjegjshmëria e njerëzve që jetojnë pranë këtyre baseneve. Por njëkohësisht duhet theksuar roli i qeverisjes vendore dhe qëndrore, të cilat janë organet kompetente që duhet të kenë rolin kryesor të mbrojtjes së këtyre baseneve nga ndotja”, thotë Edi Tuka, përfaqësues i “North Green Association” .

Lumenjtë e Shqipërisë u klasifikuan si më të ndoturit në Europë edhe përmes një studimi të mëparshëm të Bashkimit Europian. Megjithatë, ekspertët e mjedisit thonë se mungon vullneti për ta trajtuar këtë problematikë dhe gjendja e tyre vazhdon të injorohet.

“Shumica e bashkive tona nuk kanë kapacitete për të trajtuar mbetjet e tyre të ngurta dhe të lëngëta, nuk kanë kapacitete buxhetore dhe njerëzore. Pastaj mungon edhe vullneti për t’i pasur, sepse mund të mos i kesh një vit ose dy vjet, por jo 30 vjet”, thotë Olsi Nika, Drejtor i organizatës Eco Albania.

Ekspertët bëjnë apel për zgjidhje afatgjata me trajtimin e mbetjeve urbane dhe ujërave të zeza, në mënyrë që lumenjtë të rikuperojnë dalëngadalë ekosistemin dhe habitatet e tyre.

XS
SM
MD
LG