Lidhje

Escobar dhe Lajçak: Ulje tensionesh, zgjedhje të reja në veri të Kosovës dhe kthim në tryezën e bisedimeve


Pas më shumë se dy orë diskutimesh me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari amerikan Gabriel Escobar shfaqën shpresën për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Zoti Lajçak tha se në takim u paraqitën propozimet me tri elemente: “i pari shtensionimi i situatës në terren, i dyti, zgjedhjet e reja sa më parë në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve”.

Zoti Lajçak i cilësoi të gjata, të hapura dhe të vështira diskutimet me kryeministrin Albin Kurti për këto propozime.

I dërguari amerikan tha se nuk ka parë kurrë me parë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe çdo mik i Kosovës i ka bërë të njëjtat kërkesa. Shpresoj se do të dëgjohemi”, tha zoti Escobar.

Një gjë dua të them, “erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën. Duam që Kosova të përmbushë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë suaj tokësore. Krejt çfarë po kërkoj është të dëgjohemi”, theksoi zoti Escobar.

Tensionet në veri të Kosovës pasuan zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe. Kryetarë komunash u zgjodhën kandidatët e partive shqiptare dhe dërgimi i tyre në zyrat komunale nën përcjelljen e njësive të posaçme të policisë, nxiti reagime dhe grupe serbësh u hodhën në protesta të cilat u përshkuan me dhunë të hënën e kaluar duke shkaktuar plagosjen e 30 pjesëtarëve të KFOR-it dhe duke nxitur shqetësime për ripërtëritje të konfliktit në rajon.

Grupe qytetarësh serbë që nga 26 maji u mblodhën çdo ditë para ndërtesave të komunave për të kundërshtuar hyrjen në zyra të kryetarëve shqiptarë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës zhvendosjen e përkohshme e kryetarëve të rinj në zyra të tjera alternative dhe siç tha zoti Lajçak të hënën në mbrëmje, në veri duhet të jenë kryetarë që kanë legjitimitet.

Nga Serbia ndërkaq kërkohet tërheqja e forcave të armatosura serbe të stacionuara afër kufirit me Kosovën dhe ulja e gjendjes së gatishmërisë, ruajtja e qetësisë së protestuesve në veri dhe sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në zgjedhje të reja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sipas një komunikate të zyrës së tij, citohet të ketë thënë se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”. Ai ftoi Brukselin dhe Uashingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se “vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore”.

Komunikata citon kryeministri Kurti të ketë thënë po ashtu se “rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”.

Bashkimi Evropian të shtunën paralajmëroi se dështimi për të bërë hapa në shtensionim të situatës do të ketë pasoja negative për të dyja palët. Të hënën BE-ja tha se pas raportimit të zotit Lajçak lidhur me takimet në Kosovë dhe Serbi, shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, do t'i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë.

Nën trysninë perëndimore udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në komunat veriore të banuara me shumicë serbë, por kanë akuzuar njëri tjetrin për situatën në terren.

Të hënën Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës tha se do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja por pasi të jenë larguar njësitë e posaçme të policisë nga zona dhe të jetë themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Tensionet në veri nxitën debate të brendshme në Kosovë. Opozita kritikon ashpër qeverinë për veprime të cilat nuk janë bashkërenduar me aletatët e Kosovës dhe dëmtim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, të cilat pezulluan pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga stërvitjet “Defender Europe 2023” dhe paralajmëruan masa të tjera ndëshkuese.

XS
SM
MD
LG