Lidhje

NASA flet mbi UFO-t përpara raportit përfundimtar mbi objektet flutarake të paidentifikuara


Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA zhvilloi, këtë të mërkurë, takimin e parë publik mbi UFO-t, një vit pasi nisi një studim mbi objektet fluturake të paidentifikuara.

Agjencia lejoi transmetimin televiziv të një seance dëgjimore prej disa orësh që përfshinte një panel me ekspertë të pavarur. Ekipi përfshin 16 shkencëtarë dhe ekspertë të tjerë, mes tyre dhe austronauti që ka dalë në pension, Scott Kelly, amerikani i parë që qëndroi thuajse një vit në hapësirë.

“Shumë anëtarë të komitetit kanë qenë objektiv i sulmeve dhe kërcënimeve në internet për shkak se kanë qënë pjesë e këtij ekipi, çka çon në shpërqëndrim ndaj procesit shkencor”, tha Dan Evans nga NASA, duke shtuar se ekipi i sigurisë së NASA-s po trajton këtë çështje.

"Është pikërisht kjo qasje rigoroze, e bazuar në prova që do të mundësojë ndarjen e fakteve nga trillimet," tha zoti Evans.

Studimi përfaqëson hapin e parë në përpjekjet për t’i dhënë shpjegim objekteve fluturuese misterioze që NASA i quan fenomene ajrore të paidentifikuara.

“Ekipi po shqyrton se çfarë informacioni jo sekret disponohet mbi këtë temë dhe cilat janë nevojat e tjera për të kuptuar se çfarë po ndodh në qiell,” tha astrofizikani David Spergel, kryetar i komitetit që drejton Fondacionin Simons.

Studimi nuk përfshin të dhëna ushtarake sekrete, si për shembull, të dhëna mbi balonën spiune kineze që fluturoi mbi territorin amerikan gjatë këtij viti.

Takimi u mbajt në selinë e NASA-s në Uashington ndërsa publiku ndoqi diskutimet në distancë.

Raporti përfundimtar pritet të publikohet në fund të korrikut.

XS
SM
MD
LG