Lidhje

Elon Musk takohet me ministrin kinez, i cili bën thirrje për respekt të ndërsjelltë në marrëdhëniet SHBA – Kinë


Një punonjës në pavionin e kompanisë Tesla në Pekin (30 maj 2023)
Një punonjës në pavionin e kompanisë Tesla në Pekin (30 maj 2023)

Ministri i jashtëm kinez u takua të martën me drejtorin ekzekutiv të kompanisë Tesla, Elon Musk, dhe tha se marrëdhëniet e tensionuara SHBA – Kinë kanë nevojë për “respekt të ndërsjelltë”, ndërsa po jepte një mesazh për t’i siguruar kompanitë e huaja se janë të mirëpritura.

Marrëdhëniet SHBA – Kinë janë veçanërisht të tensionuara pasi Uashingtoni goditi dhe rrëzoi një balonë kineze që mendohet se mblidhte të dhëna zbulimi dhe paralajmëroi Pekinin të mos furnizojë me armë Rusinë për luftën që po bën në Ukrainë. Gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se Kina ka refuzuar një kërkesë që ministri i saj i Mbrojtjes të takohet me sekretarin amerikan të Mbrojtjes gjatë kohës që do të ndodhen së bashku në Singapor.

“Duhet ta mbajmë timonin në drejtimin e duhur të respektit të ndërsjelltë, bashkë-ekzistencës dhe bashkëpunimit për të mirën e të dyja palëve”, i tha ministri Qin Gang zotit Musk, sipas një njoftimi të nxjerrë nga ministria kineze.

Të dyja palët duhet të “shmanging lëvizjet e rrezikshme”, tha zoti Qin. Ai nuk dha ndonjë hollësi për hapat që duhen marrë për përmirësimin e marrëdhënieve.

Ministri i jashtëm kinez Qin Gang duke u takuar me Elon Musk-un në Pekin (30 maj 2023)
Ministri i jashtëm kinez Qin Gang duke u takuar me Elon Musk-un në Pekin (30 maj 2023)

Vizita e zotit Musk vjen në një kohë kur Partia Komuniste kineze po përpiqet të ringjallë interesin e investitorëve për ekonominë e Kinës, e cila po ngadalësohet. Kompanitë e huaja po ndjekin me shqetësim bastisjet në firmat e konsulencës, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara tashmë të Kinës me Uashingtonin.

Zoti Qin tha se Kina do të “mbështesë në mënyrë të palëkundur hapjen e saj” dhe do të krijojë një “mjedis të orientuar drejt tregut, të bazuar në ligje dhe me sipërmarrje të ndërkombëtarizuar”, thuhet në deklaratë. “Zhvillimi i Kinës është një mundësi për botën”.

Tregu kinez i automjeteve elektrike “ka perspektiva të gjera për zhvillim”, citohet në deklaratën e ministrisë kineze. Në Kinë bëhen gjysma e shitjeve të automjeteve elektrike të globit dhe aty ndodhet fabrika e parë e kompanisë Tesla, jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara.

Tesla ngriti fabrikën e parë në pronësi të huaj për prodhim të automjeteve në Kinë në vitin 2019, pasi Pekini lehtësoi kufizimet e pronësisë për të rritur konkurencën dhe për të përshpejtuar zhvillimin e këtij sektori.

Në deklaratën e ministrisë kineze citohet zoti Musk të ketë thënë se Tesla është e gatshme të zgjerojë biznesin e saj në Kinë dhe se “kundërshton veçimin”, një referencë kjo ndaj frikës se bota mund të ndahet në disa tregje të veçuara me produkte që nuk ndërveprojnë.

Kompania Tesla nuk iu përgjigj kërkesave nëpërmjet postës elektronike për të dhënë informacion në lidhje me vizitën e zotit Musk në Kinë.

XS
SM
MD
LG