Komandantët amerikanë që drejtojnë stërvitjet vjetore kundër terrorizmit në Afrikën Perëndimore, u kanë kërkuar vendeve aty, që të varen nga njëra-tjetra për të frenuar një kryengritje islamike në zgjerim, dhe jo tek fuqitë joperëndimore. Rreth një vit më parë qeveria e Malit, punësoi mercenarë rusë për të ndihmuar lidhur me këtë çështje.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, janë tensionuar edhe më shumë, që pas sulmit të Moskës në Ukrainë, më shumë se një vit më parë. Uashingtoni dhe aleatët e tij po përpiqen të frenojnë ndikimin rus në Afrikën Perëndimore.
Pjesë e saj janë dhe stërvitjet e zhvilluara gjatë këtij muaji në Ganën veriore. Në qendër të strategjisë është angazhimi i komuniteteve në kufi me njëri-tjetrin dhe sigurimi që ushtritë e tyre të punojnë së bashku në një rajon ku kufijtë shtrihen në qindra kilometra në shkretëtirë, e ku popullata aty është tejet e rrallë.
"Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë këtë gjë vetë. Ka të bëjë me sinkronizimin dhe bashkimin e të gjithëve për të zgjidhur një problem të përbashkët. Kjo do të thotë se në vazhdim duhet t'u mësohet vendeve në rajon, se si të arrijnë përtej kufijve dhe të flasin me fqinjët e tyre e ta zgjidhim problemin e përbashkët, së bashku. Kjo do të thotë të dëgjosh njerëzit e partnerët lidhur me nevojat që kanë, dhe besoj kjo është ajo që është e dobishme për Shtetet e Bashkuara", thotë kolonel Robert Zyla i Komandës të Operacioneve Speciale amerikane në Afrikë (SOCAF).
Pushtuar nga grupet islamiste dhe në mes të një mosmarrëveshjeje me ish-fuqinë koloniale, Francën, qeveria ushtarake e Malit punësoi vitin e kaluar kontraktorin ushtarak privat rus grupin ‘Wagner’, luftëtarët e të cilit po luajnë role kyçe në Ukrainë, për të luftuar militantët islamikë. Kjo gjë ka krijuar shqetësim tek qeveritë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara, të cilat thonë se vendimi, ka çuar në rritje të dhunës.
Mali, qeveria e të cilit mori pushtetin falë një grushti ushtarak shteti, në vitit 2021, ka thënë më parë se forcat ruse nuk janë mercenarë, por ata apo stërvitin si dhe po ndihmojnë trupat lokale me pajisje nga Rusia.
"Bëhet fjalë për një qeveri me kaq shumë probleme saqë ajo nis të kontaktojnë me aktorë të tjerë keqdashës, të cilët ndoshta janë edhe më shfrytëzues të burimeve që disponojnë këto vende, tërësisht në kontrast me atë që ne po përpiqemi të sjellim, që është partneritete mes fqinjëve dhe kombeve të tjera demokratike", thotë kolonel Zyla.
Për një dekadë, ofensivat kanë dështuar për të ndalur një kryengritje islamike që ka shkaktuar vrasjen e mijëra personave e zhvendosjen e miliona njerëzve. Ekspertët e sigurisë thonë se situata mund të përkeqësohet pas largimit të detyruar nga junta ushtarake këtë vit, të mijëra trupave franceze, nga Mali dhe Burkina Faso.
Në Gane, kjo ka nënkuptuar heqjen menjëherë dorë nga stërvitjet konvencionale, drejt strategjive asimetrike të luftës.
"Ne stërviteshim kryesisht për luftë konvencionale. Por tashmë është bërë shumë më e vështirë, pasi po luftojmë me njerëz që vishen si ne, që jetojnë mes popullatës sonë, e që nuk e dimë kush janë. Kërcënimi po bën që forcat e armatosura të evoluojnë e ne të ndryshojnë disa nga taktikat që po përdorim", thotë koloneli Richard Kainyi Mensah, shefi i operacioneve për brigadën e operacioneve speciale të Ganës.
Sfida kryesore është mungesa e burimeve dhe angazhimi ndërkombëtar në shkallë të gjerë për mbrojtjen e një prej rajoneve më të varfra të botës, thonë ekspertët.Gana ka forcuar praninë ushtarake në pjesën veriore të saj. Por nuk ka dronë zbulimi për të monitoruar zonat kufitare, thotë kolonel Mensah.
Nuk është e qartë se sa burime të tjera dhe çfarë janë të gatshme të ofrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Uashingtoni ka hezituar të angazhohet pas vrasjes së katër ushtarëve të tij në Niger në vitin 2017. Britania, Gjermania dhe vende të tjera po tërheqin trupat nga një mision paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Mali mes përkeqësimit të situates së sigurisë.
Në fillim të këtij muaji, gjenerali Michael Langley, kreu i Komandës amerikane në Afrikë, u tha gazetarëve se puna në rajon po përqëndrohej tek stabiliteti dhe siguria, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Disa besojnë se nuk po bëhet sa duhet.
"Ka shumë hezitim për të dislokuar më shumë trupa se sa duhet. Ironia është se në thelb po vendoset një fasho, në një gjymtyrë të prerë”, thotë Aneliese Bernard, drejtore e Këshillit të Stabilitetit Strategjik, një grup këshillues me bazë në SHBA.
Koha është vendimtare, thonë ekspertët e sigurisë dhe zyrtarët ushtarakë. Dhuna islamike që filloi në vitin 2012 në Mali është përhapur. Grupet e armatosura kanë një bazë në vendet bregdetare, duke përfshirë Beninin dhe Togon dhe po kërcënojnë Bregun e Fildishtë dhe Ganën.