Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy po i bëjnë thirrje Kongresit të miratojë rritjen e kufirit të huamarrjes për qeverinë për të shmangur mospagimin e borxhit, që do të kishte pasoja të mëdha për ekonominë. Megjithatë, ligjvënësit demokratë të krahut të majtë progresistë dhe ligjvënësit republikanë me prirje të djathta të dielën shprehën menjëherë kundërshtimin ndaj marrëveshjes për rritjen e tavanit të borxhit mes Presidentit Biden dhe Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.
Presidenti Biden e konfirmoi arritjen e marrëveshjes në parim përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” të shtunën në mbrëmje.
“Është një hap i rëndësishëm përpara që zvogëlon shpenzimet duke mbrojtur programet kritike për njerëzit që punojnë dhe duke rritur ekonominë për të gjithë. Marrëveshja mbron përparësitë kryesore dhe arritjet e mia legjislative dhe të demokratëve në Kongres”, shkroi presidenti Biden.
Ai shtoi më tej se “marrëveshja përfaqëson një kompromis, që do të thotë se jo të gjithë marrin atë që duan. Kjo është përgjegjësia e qeverisjes”.
McCarthy, në emisionin "Fox News Sunday", tha se nga këndvështrimi i republikanëve marrëveshja "Ka shumë gjëra pozitive. Ajo nuk i plotëson kërkesat e të gjithëve, por ky është një hap në drejtimin e duhur.”
Të gjitha detajet e "marrëveshjes në parim" që Presidenti Biden dhe McCarthy arritën të shtunën vonë ende nuk janë bërë publike. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe negociatorët e zotit McCarthy nga shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve po merren me tekstin e projekt-ligjit që Kongresi duhet ta miratojë për të rritur kufirin ekzistues të borxhit prej 31.4 trilion dollarësh të vendit në një shifër të paspecifikuar që do ta lejonte qeverinë të merrte hua deri në tremujorin e parë të vitit 2025, disa muaj pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Tavani i borxhit duhet të rritet në mënyrë që qeveria të mund të marrë hua më shumë para, ose ajo do të mbetej pa para më 5 qershor, duke mos qenë në gjendje të shlyejë detyrimet e saj financiare, ka paralajmëruar Sekretarja e Thesarit Janet Yellen.
Sipas marrëveshjes, shpenzimet që kanë të bëjnë me fushat që nuk përfshijnë Departamentin e Mbrojtjes, do të mbeten relativisht të pandryshuara në vitin financiar 2024, që fillon më një tetor, ndërkohë që do të rriten me 1% në vitin 2025.
Marrëveshja parashikon zgjerimin e kushteve të punësimit për disa amerikanë që marrin ndihmë financiare për të blerë ushqime, duke e rritur kufirin e moshës për përfituesit e ndihmave, që duhet të kërkojnë punë në këmbim të ndihmës, nga 49 në 54 vjeç.
Marrëveshje la në fuqi planin e Presidentit Biden për të shlyer deri në 20 mijë dollarë borxhe të kredive studentore, por kërkon nga huamarrësit të rifillojnë pagesat e kredisë, që ishin ndërprerë gjatë pandemisë së koronavirusit.
McCarthy tha: “Nuk ka asnjë gjë në këtë projektligj për demokratët. Ne do të shpenzojmë më pak dhe do të inkurajojmë njerëzit të kthehen në punë.”
Ligjvënësi Hakeem Jeffries, udhëheqës i Demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve, i tha emisionit "Face the Nation" të kanalit CBS se marrëveshja "mbron popullin amerikan nga efektet shkatërruese të shkurtimeve të propozuara nga republikanët". Ai tha se marrëveshja nuk i prekë pensionet dhe sigurimet e shëndetësore për amerikanët e moshuar, si dhe ndihmën e qeverisë për njerëzit e varfër.
"Unë pres që do të kemi mbështetje të demokratëve" për miratimin e planit të rritjes së tavanit të borxhit, tha zoti Jeffries.
Megjithatë, pati ankesa nga krahu majtë i demokratëve dhe nga grupi i konservatorëve republikanë.
Ligjvënësja Pramila Jayapal, udhëheqëse e grupit prej 102 anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve, tha për emisionin "State of the Union" të kanalit CNN se Presidenti Biden dhe udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries nuk e kanë të garantuar mbështetjen e progresistëve për miratimin e planit për rritjen e tavanit të borxhit.
Jayapal kritikoi zgjerimin e kërkesave të punësimit për përfituesit e ndihmave ushqimore dhe tha se nuk e dinte nëse do të votonte për rritjen e tavanit të borxhit.
Mes republikanëve, ligjvënësi Bob Good shkroi në Twitter, "Askush që pretendon se është konservator nuk mund të justifikojë një votë PO" për marrëveshjen mbi rritjen e tavanit të borxhit.
Një tjetër kritik republikan i marrëveshjes, ligjvënësi Ralph Norman, shkroi në Twitter: "Kjo 'marrëveshje' është marrëzi". Ai tha se një rritje e mundshme prej 4 trilionë dollarësh e borxhit gjatë dy viteve të ardhshme “me pothuajse asnjë shkurtim shpenzimesh nuk është ajo për të cilën ne kemi rënë dakord. Nuk do të votojmë për falimentimin e vendit tonë. Populli amerikan meriton më mirë.”