Lidhje

Tensione në veriun e Kosovës – grupe qytetarësh serbë përplasen me policinë


Grupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

Në një njoftim të policisë thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve.

Rreth 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore në një spital lokal duke u ankuar për lëndime të lehta dhe ndikimin e gazit lotsjellës.

Sipas policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ende nuk dihet vendi i saktë.

Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në Beograd tha se është urdhëruar një lëvizje urgjente e trupave, meqë sipas tij, “është e qartë se terrori ndaj komunitetit serb në Kosovë po ndodh”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier shkroi se Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë, shkroi ai.

Senatori amerikan Chris Murphy, duke shpërndarë postimin e ambasadori Hovenier tha se ka biseduar në telefon me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet për zhvillimet në veriun e Kosovës.

“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, ai nuk përmendi një plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam kapur tërësisht në befasi dhe ai duhet t'i japë fund këtij provokimi menjëherë. Po, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe nën juridiksionin e Prishtinës. Këta zyrtarë kanë të drejtën ligjore teknike për të hyrë në këto ndërtesa. Por pikërisht në këtë moment, me situatën kaq të tensionuar në veri, është një hap qëllimisht provokues dhe i panevojshëm”, shkroi senatori Murphy.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, diskutoi me dyer të mbyllura me komandantin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, lidhur me situatën në veri.

Në një komunikatë të zyrës së kryeministrit Kurti ai citohet të ketë thënë se “kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”.

Në komunikatë thuhet se kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se “Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim. Kryeministri theksoi se objektet e komunës janë pronë e Republikës”, thuhet në komunikatë.

KFOR: Situatë e rrezikshme për procesin e normalizimit

Forcat paqeruajtëse thanë se po e ndjekin nga afër situatën në komunat në veri të Kosovës “ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Bashkërendimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it në të cilën theksohet se përparësi e tij është një mjedis i sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan një ditë më parë nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

Marrëveshja Kosovë - Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe ata për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Osmani: Veprimet e policisë – të ligjshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të premten se “veprimet e policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të (Aleksandar) Vuçiçit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

Në një postim në rrjetet sociale ajo shkroi se “qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”.

Opozita kërkon bashkërendim me aleatët perëndimorë

Partia Demokratike e Kosovës shprehu shqetësim për tensionet veriun e Kosovës, duke dënuar “tendencën për dhunë nga grupe të dirigjuara nga Serbia”.

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se “në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t'i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve. Ftojmë qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t'i ndërmarr në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdigjku u bëri thirrje qeverisë së Kosovës, “të shfrytëzoj gjithë potencialin e vet diplomatik e shtetar e të koordinojë çdo përpjekje me aleatët tanë ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurojë funksionimin e rregullt të institucioneve tona në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të shmanget nga çfarëdo gracke potenciale destabilizuese që vie nga Serbia e më pas përkthehet në koncesione tjera dialoguese për Republikën e Kosovës. Përgjegjësia dhe sjellja e matur në këto momente është jetike për funksionimin e Republikës së Kosovës”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cilësoi ta papranueshme tensionet në veri. “Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bijnë pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti. Kryeministri i Kosovës nga ana e tij, të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë”, shkroi ai, duke nënvizuar se “ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri”.

Edi Rama: Zhvillimet e sotme në veri nuk e ndihmojnë Kosovën

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!”, shkroi të premten në rrjetet sociale kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi ai duke reaguar ndaj zhvillimeve në veriun e Kosovës.

XS
SM
MD
LG