Guvernatori republikan i Floridës Ron DeSantis ka hyrë tashmë zyrtarisht në garën presidenciale të vitit 2024. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Herman, që ai të përballet me kandidatin potencial të Partisë Demokrate, Presidentin Joe Biden, do t’i duhet të mposhtë fillimisht, ish-Presidentin Donald Trump.
Ron DeSantis e zyrtarizoi vendimin mbrëmjen e së mërkurës, duke njoftuar kandidimin e tij për president, në një bisedë në Twitter që u transmetua vetëm me zë, mbushur me probleme teknike. Por gjatë prezantimit të videos së tij të parë të fushatës, gjithçka shkoi mirë.
"Unë jam Ron DeSantis dhe po kandidoj për president, për të udhëhequr rikthimin tonë të madh si amerikanë".
Sondazhet tregojnë se guvernatori i Floridës renditet i dyti, por me diferencë të konsiderueshme, pas Donald Trump-it në garën brenda partisë.
Ekspertë politikë, sikurse Daniel Cox, i ‘American Enterprise Institute’, një institut hulumtimi mbi politika publike, janë të kujdesshëm në lidhje me sondazhet e hershme.
“Anketimet janë të dobishme. Ato mund të përcaktojnë se ku ndodhen ata që konkurrojnë në një moment të caktuar të garës. Por gjithçka mund të ndodhë”, thotë ai.
Sipas sondazheve mbështetja ndaj zotit DeSantis ishte më e lartë disa muaj më parë. Popullariteti i tij u dëmtua nga komentet që ai bëri mbi sulmin rus në Ukrainë, duke e cilësuar atë si një mosmarrëveshje për territore, takimet e vakta me donatorë të pasur, si dhe një dështim i perceptuar, për t'u lidhur me një pjesë të votuesve.
Mbështetja ndaj zotit Trump mbetet e fortë, mes shumicës së bazës së tij tradicionale konservatore, veçanërisht atyre pa arsim universitar ose të ardhura më të larta.
Por guvernatori i Floridës po tregon forcë me një grup tjetër kyç republikan, thotë zoti Cox.
“Trump-i mendohej se ishte i preferuari mes të krishterëve të bardhë, ungjillorë, por sondazhet tregojnë, të paktën deri në këtë fazë, se ata duket se mbështesin edhe DeSantis-in”.
Zotit Trump thotë se i takon atij merita për transformimin e zotit DeSantis, nga një ligjvënës i panjohur, në një guvernator me dy mandate.
“Është një nder i vërtetë të jem këtu e të gëzoj mbështetjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara”, tha zoti DeSantis gjate nje fjalimi.
Zoti Trump e ka paralajmëruar tashmë zotin DeSantis, të cilin ai u përpoq ta shkurajojë për të mos kandiduar, se ai do ta sulmojë pa mëshirë kundërshtarin e tij. Një qasje që në vitin 2016, e ndihmoi atë të eliminonte nga gara kandidatët e tjerë republikanë, duke fituar më pas edhe garën për Shtëpinë e Bardhë.
"Merita duhet t'i takojë politikës së identitetit".
Kështu u shpreh zoti DeSantis në Twitter të mërkurën në mbrëmje, një prej disa sulmeve indirekte ndaj zotit Trump. Por ajo që tërhoqi vëmendjen e shtypit, ishin problemet teknike të platformës sociale, gjatë intervistës së tij.
Që zoti DeSantis të mposhtë zotit Trump, retorika e tij duhet te jetë më e fortë ndaj kandidatit kryesor republikan, thotë William Galston i institutin ‘Brookings’.
“Nëse zoti DeSantis do të fitojë garën brenda partise, ai nuk duhet t'i bjerë rreth e rrotull kur flet për Donald Trump-in, por t’i drejtohet atij direkt. Ai duhet të tregojë të njëjtën forcë në përballjen me Donald Trump-in, sikurse Trump-i po përpiqet të tregojë në përballjen me të”.
Ekipi i zotit DeSantis shpreson gjithashtu se votuesit republikanë do të tërhiqen nga historiku i tij prej një ultra-konservatori. Si guvernator i Floridës, zoti DeSantis ka nxjerrë jashtë ligjit abortin pas javës se gjashtë të shtatzanisë, ka kufizuar të drejtat e homoseksualëve dhe transgjinorëve, si dhe ka zhvilluar një betejë që ka marrë shumë vëmendje, kundër korporatës ‘Disney’, punëdhënësi i dytë më i madh privat i shtetit të Floridës.
Tashmë guvernatori e gjen veten duke e zhvendosur vëmendjen nga ‘Mickey Mouse’, tek Donald Trump-i.