Lidhje

Kreu i grupit rus Wagner: Kemi humbur mbi 20,000 trupa në Bakhmut


Kreu i ushtrisë private ruse ‘Wagner’ njoftoi se ky grup ka humbur më shumë se 20,000 luftëtarë në betejën e përgjakshme 15 mujore, për të marrë kontrollin e qytetit të Bakhmutit. Njëzet për qind e tyre janë nga kontigjenti prej 50,000 të burgosurish, që Wagner i rekrutoi për të luftuar në qytetin lindor të Ukrainës.

Kjo shifër është tërësisht në kontrast me pretendimet e Moskës, që thotë se ka humbur pak më shumë se 6,000 trupa në luftë. Shifra është po ashtu më e lartë, se humbjet e Rusisë gjatë luftës10 vjeçare, 1979-89 në Afganistan, që sipas Moskës ishte 15,000.

Nga ana tjetër Ukraina nuk e ka bërë publike numrin e ushtarëve që ka humbur që nga fillimi i agresionit rus, në shkurt të vitit 2022.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë të mërkurën se komentet e zotit Prigozhin ishin në përputhje me vlerësimet e tyre se numri i të vrarëve në radhët e trupave ruse është rritur. Shtëpia e Bardhë vlerësoi këtë muaj se nga dhjetori i vitit të kaluar, forcat ruse kishin pësuar 100,000 të vrarë e të plagosur. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha në atë kohë, se rreth gjysma e 20 mijë të vrarëve, ishin forca të grupit ‘Wagner’.

Analistët besojnë se shumë nga të vrarët në luftën nëntë-mujore për Bakhmutin, ishin të dënuar rusë të cilët nuk kishin përvojë ushtarake.

Zoti Prigozhin, vetë një ish i dënuar, i ka akuzuar shpesh zyrtarët ushtarakë rusë se nuk i kanë furnizuar trupat e tij me municione të mjaftueshme. Ai ka vënë në pikëpyetje gjithashtu taktikat, përkushtimin dhe aftësitë e tyre drejtuese si dhe ka thënë se nuk i kanë vlerësuar mjaftueshëm forcat e tij, për sukseset e shënuara në fushëbetejë.

Ai ka folur mbi sakrificat e trupave të tij dhe të shtunën trumbetoi pretendimin për kapjen e qytetit të Bakhmutit.

Gjatë një intervistë të botuar të martën, me Konstantin Dolgovin, një ekspert politik pro-Kremlinit, zoti Prigozhin shkoi edhe më tej me kritikat e tij. Ai vuri në pikëpyetje arsyetimin e Presidentit rus Vladimir Putin mbi luftën. Zoti Prigozhin tha se qëllimi i Rusisë për "çmilitarizimin" e Ukrainës ka dështuar, pasi ushtria e Kievit sipas tij është bërë më e forte, falë armëve e stërvitjes që ka marrë nga Perëndimi.

Si justifikim për sulmin ndaj Ukrainës, zoti Putin ka përmendur ndër të tjera, nevojën për të rritur sigurinë e Rusisë dhe për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Që nga fillimi i luftës, Ukraina ka aplikuar për t'u bërë pjesë e NATO-s.

Në Uashington, zoti Kirby komentoi të mërkurën mbi motivet e komenteve të bëra nga zoti Prigozhin.

"Ekziston mundësia që kjo mund të jetë një lloj mënyre e sëmurë e tij, për të marrë merita, për çdo gjë që ata kanë mundur të arrijnë në Bakhmut, duke u përpjekur gjithashtu të turpërojnë publikisht edhe më tej, Ministrinë e Mbrojtjes, duke treguar se kostoja u përballua me gjak e para nga Wagner, dhe jo nga ushtria ruse”.

Gjatë intervistës, zoti Prigozhin sfidoi gjithashtu deklaratat e ashpra mohuese të Moskës, se forcat ruse kishin vrarë civilë.

Bazuar në një vlerësim, që konsiderohet më i ulët nga shifrat reale, Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut thotë se nga shkurti 2022 deri në fillim të prillit 2023, ka regjistruar 22,734 të vrarë e të plagosur mes popullatës civile në Ukrainë( 8,490 të vrarë dhe 14,244 të plagosur).

Zoti Prigozhin, një biznesmen i pasur me lidhje të gjata me Presidentin Putin, njihet për komentet agresive, e të pacipa, që shpesh i ka bërë pretendimet e tij të vështira të verifikohen. Në mjaft raste ai është tëhequr prej tyre.

Në fillim të këtij muaji, ekipi i tij mediatik publikoi një video të tij teksa bërtiste e shante, duke treguar trupat e vdekur të rreth 30 personave të veshur me uniformë. Ai thoshte se ata ishin luftëtarë të Wagner-it që kishin vdekur brenda një dite. Ai pretendonte se Ministria ruse e Mbrojtjes i kishte lënë ata pa municione dhe kërcënonte se do të hiqte dorë nga beteja për Bakhmutit.

Zoti Prigozhin ka paralajmëruar shpesh për një kundërofensivë ukrainase. Në intervistën e së martës, ai tha se, duke pasur parasysh mbështetjen e vazhdueshme perëndimore, forcat e Kievit mund të kenë sukses në largimin e trupave ruse nga i gjithë territori që ata kanë pushtuar në Ukrainën jugore dhe lindore, përfshirë dhe Krimenë, një territor që Moska aneksoi në vitin 2014.

"Sipas një skenari pesimist: ukrainasve u jepen raketa, ata përgatisin trupat, sigurisht që do të vazhdojnë ofensivën e tyre, do të përpiqen të kundërsulmojnë. Ata do të sulmojnë Krimenë, do të përpiqen të hedhin në erë urën e Krimesë e të ndërpresin linjat tona të furnizimit. Ndaj ne duhet të përgatitemi për një luftë të vështirë”, tha ai.

Pranimi i shifrave të thella të humbjeve në radhët e trupave ruse nga ana e zotit Prigozhin duket se tregon ndikimin e strategjisë së Ukrainës. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se qëllimi i tyre në Bakhmut ishte të rraskapitnin forcat ruse, e të krijonin shpërqendrim të tyre në ato territore që kanë pushtuar, ndërsa fitojnë kohë për furnizime të reja me armë dhe municione perëndimore dhe për të përfunduar stërvitjet.

Media më e madhe shtetërore ruse dhe pro-Kremlinit nuk njoftoi mbi intervistën e zotit Prigozhin, të postuar në një kanal të rrjetit social ‘Telegram’ me vetëm 50,000 ndjekës, duke e bërë të pamundur që ajo të shihet gjerësisht në Rusi. As blogerët ushtarakë rusë, faqet e njohura të Telegramit të të cilëve janë burime të rëndësishme informacioni rreth luftës për shumë rusë, nuk e përmendën atë.

Ndërkohë sot Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se "luftimet e ashpra" po vazhdonin brenda Bakhmutit. Njoftimi vjen disa ditë pasi Rusia pretendoi se kishte pushtuar plotësisht qytetin e shkatërruar. Bakhmuti shtrihet në provincën Donetsk, një nga katër rajonet që Rusia aneksoi në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar.

Kreu i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, tha se forcat e Kievit "po vazhdojnë operacionin e tyre mbrojtës" në Bakhmut, duke shënuar "suksese" në periferi të tij, por pa dhënë më shumë detaje.

Një komandant ukrainas në Bakhmut tha për agjencinë Associated Press të martën se ukrainasit planifikonin t'i rrethonin trupa ruse.

Ndërkohë sot Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace mbërriti në Kiev në një vizitë të papalajmëruar. Ai u takua me homologun e ukrainës Oleksii Reznikov.

Gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp zoti Wallace njoftoi se Britania ka furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi "Storm Shadow". Ai tha se një vendim i tillë u nxit për shkak të përdorimit të vazhdueshëm nga ana e Rusisë, të armative të saj me rreze të gjatë veprimi, që kanë vënë në shënjestër popullatën dhe infrastrukturën jetike civile. Sekretari Walles i cilësoi veprimet e Moskës në kundërshtim me të gjitha ligjet ndërkombëtare dhe konventat e Gjenevës.

Ai shtoi se aleatët do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Ukrainës e do të ofrojnë mbështetjen e nevojshme me armatime, përfshirë avionët e avancuar amerikanë F-16. Ministri Wallace njoftoi se këtë verë Britania do të nisë stërvitjen e pilotëve ukrainas me këta avionë.

XS
SM
MD
LG