Shqipëria është dhe këtë herë, është një nga mikpritëse e stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe “Defender Europe 23” e drejtuar nga Komanda Europiane e SHBA-ve. Nisja e stërvitjes u përurua sot përmes një ceremonie në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë, ku morën pjesë autoritetet më të larta shtetërore dhe ushtarake të vendit.
“Defender 23” synon të dëshmojë aftësitë e aleancës për t’u dislokuar, për të shtuar kapacitet luftarake, për të unifikuar gatishmërinë e njësive në një mjedis të përbashkët, si dhe për të ushtruar aftësitë dhe potencialet e vendeve pritës.
Ndërsa ka kaluar më shumë se 1 vit që nga agresioni rus në Ukrainë, “rëndësia e kësaj stërvitje, është sot më e prekshme se kurrë dhe vijueshmëria e saj më se e nevojshme. Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë”, u shpreh Presidenti Bajram Begaj.
Dhe në fakt, stërvitja shumëkombëshe do të shërbejë gjithashtu për të testuar aftësitë dhe kapacitetet e NATO-s për të mbajtur një qëndrim frenues ndaj të gjithë agresorëve në Evropë.
Për kryeministrin Edi Rama “zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është njëkohësisht dhe shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euro-atlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë tona”.
Ndërsa ambasadorja amerikane Yuri Kim vuri theksin te partneriteti i ngushtë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. “Partneritetet tona ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë më parë. “Defender 23” është krijuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë ushtarake midis Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe aleatëve tanë të NATO-s dhe është një mundësi për ta vënë këtë partneritet në veprim. Kjo do të na tregojë neve dhe pjesës tjetër të botës se së bashku, me aleatët dhe partnerët tanë, mund të përmbushim çdo mision”.
“Defender 23” përfshin 25 mijë trupa nga 29 vende, anëtare të NATO, por edhe nga vende partnere. Aktivitetet stёrvitore pёrfshijnë tё tre komponentёt, atë tokёsor, detar dhe ajror.