Lidhje

Të hënën bisedimet Biden- McCarthy për rritjen e tavanit të borxhit


Presidenti Joe Biden dhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy do të takohen të hënën për të biseduar lidhur me rritjen e tavanit të huamarrjes, njoftoi të dielën udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve. Ai tha se kishte zhvilluar një bisedë telefonike produktive me presidentin ndërsa zoti Biden kthehet në Shtetet e Bashkuara nga Japonia.

Duke folur për shtypin pas telefonatës me presidentin, zoti McCarthy tha keshte zhvilluar diskutime pozitive lidhur me zgjidhjen e krizës dhe se bisedimet mes ekipeve të punës do të fillonin më vonë të dielën.

Presidenti Biden tha më herët se do të ishte i gatshëm të shkurtonte shpenzimet për të arritur një marrëveshje, por oferta e fundit nga republikanët për rritjen e tavanit të borxhit ishte "e papranueshme".

Agjencia Reuters njoftoi se një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte konfirmuar takimin e së hënës.

Para se të largohej nga Japonia, pas një takimi të udhëheqësve të G-7, Presidenti Biden sugjeroi se disa republikanë në Kongres ishin të gatshëm të shihnin dështimin e Shteteve të Bashkuara ndaj detyrimeve financiare, në mënyrë që rezultatet katastrofike ta pegonin demokratin Bien të fitonte një mandat të dytë presidencial në zgjedhjet e vitit 2024.

Ai tha se republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të ndryshojnë qëndrimet e tyre ekstreme në bisedimet për rritjen e tavanit të borxhit.

Duke folur për gazetarët, zoti Biden tha se nuk do të ketë një marrëveshje për të shmangur dështimin amerikan për të paguar borxhet, bazuar vetëm tek kushtet e republikanëve.

Departamenti i Thesarit ka paralajmëruar se pas datës 1 qershor qeveria federale mund të mos jetë në gjendje të paguajë të gjitha detyrimet e saj financiare. Një gjë e tillë do të shkaktonte një kaos në tregjet financiare dhe rritjen e normave të interesit.

“Shumë nga propozimet, janë thjeshtë të papranueshme”, tha Presidenti Biden gjatë konferencës për shtyp në Japoni. “Është koha që republikanët ta kuptojnë se marrëveshjet dypartiake nuk arrihen të vetme, vetëm në bazë të kushteve të tyre partiake. Ata duhet të bëjnë lëshime, gjithashtu”.

Udhëheqësit botërorë në takimin e nivelit të lartë të 7 vendeve më të pasura të botës në Hiroshimë, shprehën shqetësim mbi pasojat ekstreme që do të kishte një dështim i Shteteve të Bashkuara për të paguar detyrimet e saj financiare.

Negociatat mes Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve në Kongres në lidhje me rritjen e tavanit të borxhit federal prej 31.4 trilionë dollarësh dështuan të premten.

Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve këmbëngulin për uljen e shpenzimeve federale para se të pajtohen për rritjen e tavanit të huamarrjes nga qeveria.

XS
SM
MD
LG