Lidhje

Grupi Wagner pretendon se kontrollon Bakhmutin, Ukraina thotë se luftimet në qytet vazhdojnë


Udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin tha të shtunën se trupat e tij kishin vënë nën kontroll të plotë qytetin e Bahkmutit, por ky pretendim u hodh poshtë nga Ukraina, e cila tha se luftimet po vazhdojnë.

Drejtuesi i grupit Wagner i ngriti pretendimet përmes një videoje ku thoshte se mesditën e së shtunës, i gjithë qyteti ishte nën kontrollin e trupave të tij.

Por zëdhënësi i ushtrisë së Ukrainës, Serhiy Cherevatyi i tha agjencisë Reuters se kjo nuk ishte e vërtetë dhe se njësitë ukrainase po vazhdonin të luftonin në qytet.

Bakhmuti ka qenë epiqendër e luftimeve më të ashpra dhe më të përgjakshme mes forcave ruse dhe trupave ukrainase, që prej nisjes së agresionit nga Moska, rreth 15 muaj më parë.

Luftimet në Bakhmut po vazhdojnë prej më shumë se 8 muajsh.

Nëse trupat ruse marrin kontrollin e qytetit, ato do të përballen me sfidën për të vënë nën kontroll pjesën e mbetur në rajonin e Donetskut, që është ende nën kontrollin e Ukrainës.

Nuk është e qartë se cilës palë “i kanë kushtuar më shtrenjtë” luftimet në Bakhmut.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, kanë pësuar humbje në radhët e forcave të tyre, humbje që besohet të jenë me mijëra, por asnjë nga palët nuk ka dhënë shifra për numrin e të vdekurve dhe të të plagosurve.

XS
SM
MD
LG