Lidhje

Ja pse flluskat e shampanjës ngjiten lart, në vijë të drejtë 


A e keni vënë re ndonjëherë që flluskat, në një gotë shampanje ngjiten lart, në vijë të drejtë? E njëjta gjë nuk ndodh me birrën, apo dhe pije të tjera të gazuara, ku flluskat shpërndahen në mënyrë të çrregullt. Eksperë nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca, kanë tashmë një përgjigje për këtë. Studimi u publikua më 5 maj në revistën shkencore ‘Physical Review Fluids’, një botim i Shoqatës Amerikane të Fizikantëve.

Ja pse flluskat e shampanjës ngjiten lart, në vijë të drejtë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

Një gotë shampanjë është zgjedhja perfekte për çdo festë. Sikurse në ‘Searcys’ një lokal që ofron shampanjë në Londër. Por jo të gjithë mund t'i vënë re cilësitë e veçanta të këtyre pijeve të gazuara, cilësi të cilat kanë magjepsur shkencëtarët.

Ata prej kohësh ishin përpjekur të kuptonin se pse flluskat e shampanjës ngrihen lart në një vijë të drejtë, ndërsa ato të birrës, ose tek pije të tjera të gazuara, ngrihen në mënyrë të çrregullt. Dhe më në fund, ata kanë një përgjigje për këtë.

“Ka diçka brenda shampanjës, në vetë lëngun që ndikon në lëvizjen e flluskave. Pra, ajo që zbuluam është se ka këto molekula që ndodhen në sipërfaqen e flluskave dhe ato, në rastin e shampanjës qëllojnë të jenë edhe pjesa më e mirë e saj, pasi janë molekulat që prodhojnë shijen e saj”.

Siç shpjegon eksperti kryesor i këtij studimi profesor Roberto Zenit, jo të gjitha flluskat në pijet e gazuara, sillen në të njëjtën mënyrë.

Tek birra, flluskat shkojnë në të gjitha drejtimet.

“Birra sigurisht që ka një shije të ndryshme, përbërje të ndryshme dhe një origjinë krejt ndryshme nga vera e gazuar, kështu që në atë rast ato molekula, janë të një lloji tjetër, ato janë proteina që janë më të vogla të cilat ndonjëherë ngrihen në sipërfaqe, e ndonjëherë jo”.

Presioni që krijohet gjatë procesit të fermentimit lirohet menjëherë sapo hapet një shishe shampanje.

Por ka një arsye tjetër të rendësishme se pse lëvizja e flluskave në verën e gazuar, apo tek shampanja, ka përqendruar vëmendjen e shumë shkencëtarëve në mbarë botën. Zoti Zenit shpjegon se kjo po i ndihmon studiuesit të kuptojnë fizikën në botën natyrore, e si mund të zbatohet ajo për të ndihmuar shoqërinë njerëzore.

“Kjo është me rëndësi të madhe për të kuptuar shumë fenomene natyrore, si për shembull mënyrën se si ngrihen flluskat e metanit nga fundi i oqeanit”, thotë ai.

Por ndërsa janë përpjekur të kuptojnë shkencën pas flluskave, tek verërat e gazuara, shkencëtarët kanë shijuar edhe mostrat e përdorura për kërkimet e tyre në laborator.

"Po në fakt, disa nga eksperiment i bëmë me shampanjë e birrë, por vetëm disa gota për të treguar arsyen se pse flluskat ngjiten në këtë mënyrë në sipërfaqen e gotës”, thotë ai.

XS
SM
MD
LG